Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri hungarez Victor Orban, u takua të premten e kaluar me ish-presidentin amerikan Donald Trump në rezidencën e këtij të fundit Mar-a-Lago të Floridas. Ai deklaroi për mediat shtetërore hungareze të dielën se Trump “nuk do të japë asnjë qindarkë në luftën Ukrainë-Rusi, prandaj lufta do të përfundojë, sepse është e qartë se Ukraina nuk mund të rezistojë dot e vetme”.
Ndoshta Orban ka të drejtë. Antipatia e Donald Trump ndaj Ukrainës nuk është ndonjë sekret, dhe aleatët tanë evropianë do ta kenë të vështirë të mbështesin luftën e Ukrainës kundër Vladimir Putinit pa SHBA-në, aktoren kryesore në koalicionin pro-ukrainas.
Ndërsa Uashingtoni po e vonon ndihmën e re për Kievin, situata në front po përkeqësohet. Edhe pse tërheqja e ukrainasve nga Avdiivka disa javë më parë, nuk ka sjellë ndonjë avantazh madhor për Rusinë, fakt është forcat ruse po përparojnë dalëngadalë përgjatë disa fronteve. Forcat ukrainase mund të dëmtohen akoma më tej para se të kapitullojnë . Kohët e fundit, mora pjesë në një konferencë mbi luftën në Ukrainë, ku nga disa nga ekspertët më të njohur ranë dakord se Ukraina përballet aktualisht me tre probleme kryesore. Së pari, ajo ka mungesë të burimeve njerëzore, jo sepse i ka shfrytëzuar të gjitha rezervat, por sepse politika e saj e mobilizimit është ende shumë liberale.
Kështu, për momentin Ukraina përjashton nga rekrutimi burrat nën 27 vjeç, pjesërisht për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të fuqisë punëtore në ekonominë civile. Edhe pse niveli i saktë i mungesës së personelit, është një nga sekretet ushtarake të ruajtura me shumë kujdes, është e qartë se ai është i konsiderueshëm dhe në rritje të vazhdueshme.
Problemi është tek e fundit i natyrës politike. Një mobilizim i gjerë është jopopullor, dhe thuajse asnjë zyrtar ukrainas nuk dëshiron të marrë dalë në publik duke e propozuar një hap të tillë. Muajin e kaluar, gjenerali Valerii Zaluzhny u zëvendësua si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, pjesërisht për shkak se presidenti Volodymyr Zelensky thuhet se ishte i pakënaqur me kërkesën e tij për 500.000 trupa të tjera në front.
Një propozim për ta ulur moshën e mobilizimit në 25 vjeç, mbetet ende pezull në parlamentin e Ukrainës, dhe mund të mbetet i tillë derisa Zelensky të sinjalizojë mbështetjen e tij.
Problemi i dytë i Ukrainës, ka të bëjë me mungesën e fortifikimeve të forta, aty ku ajo ka më shumë nevojë për to.
Dhe kjo ndodh pjesërisht për shkak të mungesës së burimeve të duhura. Teksa forcat e armatosura të Ukrainës po përpiqen të mbajnë vijën aktuale përgjatë një fronti të gjerë, dhe ukrainasit e tjerë po punojnë pa rreshtur për të mbajtur në këmbë infrastrukturën e vendit, ndërtimi i pozicioneve të forta mbrojtëse prapa vijës së frontit nuk ka qenë ndonjë prioritet kryesor.
Strategjia e qeverisë për t’i mbrojtur pozicionet aktuale me çdo kusht, teksa po përgatitet për të rinisur ofensivën, ka ndikuar gjithashtu në papërshtatshmërinë e mbrojtjes së saj në prapavijë. Problemi i tretë i madh është mungesa e shumëpërfolur e e municionit.
Sipas shumë raporteve, përfshirë ato të komandantëve të vijës së parë të frontit, forcat ruse kanë pasur një avantazh 5 me 1 në furnizimet bazë për disa muaj, dhe ky çekuilibër mund të jetë në rritje. Ndërkohë Rusia ka një epërsi ajrore të dukshme, pasi Ukrainës i mungojnë furnizimet e duhura me raketa kundërajrore.
Aleatët tanë po e ndihmojnë Kievin për t’i plotësuar këto boshllëqe, por pa SHBA-në në krye, mungesat do të vazhdojnë. Për këtë arsye Kievi dhe e gjithë Evropa, po shohin me ankth atë që po ndodh në Uashington, ku ndihma shtesë për Ukrainën është e kushtëzuar nga çështje të tjera, përfshirë politikën ndaj migracionit, kundërshtimin e disa demokratëve për ndihmën e pakufizuar për Izraelin, por edhe dëshirën e disa republikanëve për të ulur të ashtuquajturin buxhet diskrecional, pra pjesën e shpenzimeve federale që i nënshtrohet ndarjeve vjetore.
Muajin e kaluar, kundërshtimi i Trump ndaj një kompromisi dypartiak në Senat mbi sigurinë kufitare, për t’i hapur më pas rrugës miratimit të paketës së re të ndihmës për Ukrainën, bëri që lideri i pakicës, republikani Mitch Mcconnell të bllokonte një projektligj që vetë e mbështeti.
Kjo e detyroi Senatin t’i dërgonte Kongresit një projekt-ligj për ndihmë financiare dhe ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, pa dispozitat për çështjen e migracionit.
Refuzimi i kreut të Kongresit Mike Johnson për ta futur këtë projektligj në rendin e ditës, solli edhe ngërçin aktual.
Siç e kam theksuar edhe më herët, mbështetësit e ndihmës për Ukrainës në Kongres, janë duke punuar mbi procedurat parlamentare që mund të nxjerrin një projekt-ligj alternativ që i kapërcen edhe kundërshtimet e kryetarit.
Në mes të shkurtit, një grupim dypartiak i udhëhequr nga kongresmenët Brian Fitzpatrick dhe Jared Golden, prezantuan një draft kompromisi për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të siguruar fonde të mbrojtjes për Ukrainën, por pa dhënë asnjë ndihmë financiare për qeverinë e Kievit.
Gjatë fundjavës së shkuar, senatori Lindsey Graham tha se nëse rizgjidhet për një mandat të dytë, Trump mund të jetë i gatshëm të ndihmojë Ukrainën me hua dhe jo me grante. Askush nuk e di se cila nga këto strategji, nëse ka vërtet të tilla, ka shanset më të mira për të pasur sukses.
Ajo që dimë tani për tani, është se nëse SHBA-ja ngurron të veprojë, rezistenca e Ukrainës ndaj agresionit rus do të dobësohet, dhe në fund do të dështojë. Dhe kjo do ta afronte Putinin me qëllimet e tij afatgjata:zhdukjen e sovranitetit të Ukrainës, dobësimin e NATO-s dhe rivendosjen e kontrollit të Rusisë mbi popujt dhe territoret e ish-bllokut sovjetik.
Pas vizitës së tij në Mar-a-Lago, Victor Orban e quajti Donald Trumpin një “njeri të paqes”. Pra unë supozoj se ai ishte si Neville Chamberlain dikur. Por siç e zbuloi kryeministri britanik në prag të Luftës së Dytë Botërore, qëllimet tuaja paqësore nuk kanë shumë rëndësi në rast se ato nuk ndahen edhe nga pala tjetër.
Burimi: Wall Street Journal/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




