Mendim

Si u shiti Bullgaria shqiptarëve mijëra pasaporta të rreme?

Një zëvendëskryeministër, një ministër dhe një eurodeputet bullgar duket janë përgjegjësit për shitjen ilegale të pasaportave bullgare, një skemë korruptive që u mundësoi edhe qindra shqiptare të lëviznin të lirë brenda Bashkimit Europian.

Zëvendëskryeministri Krasimir Karakachanov, ish-ministrja e drejtësisë Ekaterina Zaharieva (tani ministre e jashtme) dhe eurodeputeti Andrey Kovatchev (nga partia GERB e kryeministrit Bojko Borisov) janë ndër zyrtarët që kanë marrë pjesë në procedurat e paligjshme që u kanë ka mundësuar mijëra të huajve, kryesisht nga Ballkani, të marrin pasaporta bullgare në shkëmbim të parave dhe në këtë mënyrë të kenë të drejtën për të udhëtuar pa viza anembanë BE-së.

Lajm u bë publik për gazetën “Euroactiv” nga ish-drejtoresha e Këshillit për Bullgarët Jashtë Shtetit, një organ që merr vendimet për dhënien e shtetësisë bullgare për të huajt. Katya Mateva ka deklaruar se u shkarkua nga ministria Zaharieva në vitin 2016, pasi refuzoi të marrë pjesë në këtë skeme korruptive.

Zëvendëskryeministri Kovatchev ishte i pari që iu përgjigj akuzave kundër tij, duke thënë se ishe tejet i "befasuar" dhe se mohonte çdo përgjegjësi. “Unë do të doja të mohoja kategorikisht dhe fuqimisht këto akuza ", - tha ai për “Euroactiv”.   

Agjencia Shtetërore për Bullgarët Jashtë Shtetit u përfshi në një skandal të madh pas raporteve se kishte lëshuar certifikata të rreme, duke u mundësuar mijëra të huajve, mes tyre edhe shqiptarë, të merrnin shtetësinë bullgare. Në shumicën e rasteve të huajt që nuk kishin realisht origjinë bullgare u pajisën më certifikata në këmbim të ryshfeteve që arrin deri në 5000 euro.

Skandali i dhënies së pasaportave në shkëmbim të parave u përfol fillimisht se mund të rrëzonte qeverinë e Bojko Borisov. Kreu i agjencisë, Petar Haralampiev, u arrestua nën akuzat se kishte qenë po ashtu pjesë e këtij grupi të krimit të organizuar.

Krasimir Karakachanov

Ndërkohë që hetimi ndaj Këshillit për Bullgarët Jashtë Shtetit vazhdon, më shumë se 285,000 euro gjetën në një depozitë të sigurt që i përkiste Krassimir Tomov, sekretarit kryesor të këtij institucioni. Tomov është në paraburgim, së bashku me Haralampievin dhe dy zyrtarë të tjerë, të dyshuar se ishin pjesë e kësaj skeme korruptive.

Të hënën, më 26 nëntor, kryeministri Borisov njoftoi çuditërisht se agjencia, e cila është e shumë e rëndësishme për dhënien e pasaportave, do të mbyllet. Borisov argumentoi se kishte institucione të tjera, të tilla si ministria e drejtësisë dhe e ministria e brendshme, që mund ta zëvendësonin.

Qeveria e Bojko Borisov varet nga koalicioni i saj me VMRO-në, e cila udhëhiqet nga Krassimir Karakachanov. Mateva shprehej se burimi kryesor i të ardhurave për VMRO, nën udhëheqjen e Karakachanov, ishte skema e shitjes së pasaportave, e cila në kohën kur ajo ishte në detyrë aplikohej kryesisht për shtetasit maqedonas.

Ajo tha se i ka bërë të ditur prokurorisë bullgare se Karakachanov ka marrë deri në 1500 euro për çdo maqedonas të pajisur me pasaportë bullgare. Numri i të huajve që merrnin nënshtetësinë në ditë ishte 200. Sipas të dhënave, të huajt paguanin para për të marrë një certifikatë të rreme me origjinë bullgare. Mateva fillimisht bllokoi mbi 7,000 kërkesa, por Karakachanov (në cilësinë e kryetarit të VMRO-së) ushtronte vazhdimisht presion mbi ministrinë e drejtësisë për zhbllokimin e aplikacioneve.

Mateva tha se Karakachanov ishte nën presion nga maqedonasit të cilët kishin paguar ryshfete dhe kërkon paratë mbrapsh. Sipas Matevas, edhe Zaharieva vetë ka qenë nën presion nga Karakachanov dhe fillimisht u mundua t’i rezistonte, derisa eurodeputeti Andrey Kovatchev organizoi një takim më 3 qershor 2016 me përfaqësuesit e një OJQ bullgare në Maqedoni. Që atëherë, Zaharieva miratoi dhënien e pasaportave për të gjithë shtetasit që kishin paguar ryshfete.

Mateva ka paraqitur prova të mjaftueshme të pretendimeve të saj ndaj prokurorisë, por asnjë nga tre zyrtarët e lartë të përmendur në këtë artikull nuk është hetuar. Ajo pohon se injorimi i vazhdueshëm i dëshmisë së saj erdhi si pjesë e marrëveshjes së koalicionit të arritur mes Karakachanov dhe Borisov.

Boyko Borisov

Mijëra shqiptarë kanë blerë në rrugë të jashtëligjshme pasaporta bullgare dhe udhëtojnë sot lirshëm nëpër Europë. Nënshtetësia bullgare u mundëson atyre qëndrimin në vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe në Angli si dhe lehtësira të shumta në shkollimin e fëmijëve.

Skandali i pajisjes në mënyrë të paligjshme me pasaportat bullgare të qytetarëve shqiptarë u vu në qendër të vëmendjes së mediave në Tiranë rreth dy vite më parë. Banorë nga Trebishta, një fshat verilindje të Shqipërisë, i cili dikur kishte 6 mijë banorë kanë treguar për AFP më shumë se gjysma e banorëve kanë ikur në perëndim me një pasaportë bullgare.

Trebishti në është kthyer tanimë në një fshat fantazmë, si shumë nga fshatrat e rreth Prespës, Gollobordës dhe Gorës. Nëntë fshatrat e kësaj zone popullohen nga banorë që kanë trashëguar gjuhën sllave të ngjashme me atë maqedonase, e që mendohet se ndodhen aty që mes shekujve XI dhe XIII.

Bullgaria dhe Shqipëria nuk ndajnë një kufi. Dhe Shqipëria, vend jo anëtar në BE, nuk i përfshin bullgarët midis bashkësive të njohura etnike. Sipas “AFP”, një dëshmi për origjinën gollobordase, bashkë me kartën e anëtarësisë së shoqatës u kushton shqiptarëve 150 euro. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe banorët e rajonit të Prespës, të cilët masivisht janë duke u pajisur me pasaporta bullgare. 

Trebisht

“Përgjatë dy dekadave të tranzicionit, ky komunitet është tunduar shpesh nga ofertat për nënshtetësi ballkanase. Në vitet ‘90 erdhën serbët që u munduan ta përgatisin Gorën si minoritet të tyren në Shqipëri. Më pas, edhe maqedonasit synuan një gjë të ngjashme, shkruan AFP. “Të tretët ishin bullgarët, të cilët ndryshe nga dy pretendentët e parë ia dolën të shkaktonin valën më të madhe të emigrimit dhe zbrazjen e zonës nga banorët e saj. “

Në fillim të vitit 2017, fshatrat e Shishtavecit dhe Zapodit u vendosën në fokusin e medias për të ilustruar fluksin e lartë të largimeve nga Shqipëria dhe kërkesave për azil në vendet e BE-së. Në të vërtetë, banorët e këtyre fshatrave përdorën pasaportat e reja bullgare për të nisur një jetë të re në Perëndim, shumë herë më të favorizuar se mijëra shqiptarë që përfunduan në kampet e refugjatëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë