Nga Reed Galen-Donald Trump ishte më aksidentali nga presidentët amerikanë. Kur ai nisi fushatën e tij në vitin 2016, posti ekzekutiv me i rëndësishëm që kishte pasur ndonjëherë, ishte kur pretendonte se pushtonte nga puna konkurrentët në një reality show me temë sipërmarrjet e reja.
Sado qesharake që mund të dukej, imazhi i Trumpit i ulur pas një tavoline të madhe, duke thënë frazën “Je i pushuar nga puna!” – bindi miliona votues amerikanë, përfshirë shumë nga ata që nuk kishin votuar më parë, se ai ishte një njeri që dinte si t’i realizonte punët që i ngarkoheshin.
Kjo përshtypje, së bashku me kohën dhe fatin e mirë, i dha mundësi Trumpit të mposhtte ikonën politike Hillary Clinton në një garë që dukej sikur se do të shkonte në favor të saj. Por pavarësisht pretendimeve të Trump, fitorja e tij ishte tejet e ngushtë. Në fakt, ai humbi votën popullore me 2.8 milionë vota më pak, diferenca më e madhe se çdo president tjetër amerikan në histori.
Që atëherë, Trump ka rezultuar të jetë shumë toksik në zgjedhje. Në zgjedhjet e mesit të mandatit në vitin 2018, demokratët e mposhtën Partinë Republikane të Trump. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, Trump humbi me një rezultat të ngushtë në Kolegjin Zgjedhor, dhe me një diferencë të madhe në votën popullore.
Në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2022, kandidatët e zgjedhur nga Trump humbën në të gjithë vendin. Kandidatët demokratë ose i mbajtën vendet e tyre ose fituan vendet e republikanëve në shtetet kryesore, përfshirë Arizona-n, Michiganin, Pensilvaninë dhe Wisconsin, shpesh me një diferencë të madhe.
Ndërsa këto dështime mund të kenë frymëzuar disa kritika në gjirin e republikanëve, Trump arriti të vendosë nën kontroll të gjithë strukturat kryesore, por edhe të ketë mbështetjen e anëtarëve të saj më ekstremistë. Është një model, për të cilin Partia Republikane do të pendohet në fund të këtij viti, kur si Trump ashtu edhe PR do të përballen me atë që ka të ngjarë të jetë një humbje elektorale shkatërruese.

Sjellja e rrëmujshme e Trump, retorika antidemokratike dhe kërcënimet ndaj kundërshtarëve të tij, do të sjellin humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por është përbërja demografike e Amerikës, ajo që do të çojë përfundimisht Trumpin në një pension të përhershëm.
Thënia e vjetër se “demografia është fati” – e artikuluar për herë të parë filozofi francez Auguste Comte – mund të jetë më e rëndësishme për rezultatin e këtyre zgjedhjeve sesa ka qenë në të gjitha zgjedhjet e mëparshme presidenciale.
Midis zgjedhjeve të viteve 2016 dhe 2024, rreth 20 milionë votues të moshuar do të kenë vdekur dhe rreth 32 milionë amerikanë të rinj do të kenë mbushur moshën e votimit. Shumë votues të rinj, i përçmojnë të dyja partitë, ndërsa republikanët po anëtarësojnë në mënyrë aktive (kryesisht burra të bardhë) në kampuset e kolegjeve.
Por çështjet që janë më të dashura për të rinjtë e Brezit Z – aborti, demokracia dhe mjedisi – do të bëjnë që shumica e tyre të votojnë për Partinë Demokratike. Realiteti është se që kur Trump hyri në politikën amerikane në vitin 2016, Partia Republikane është bërë më e vjetër, më e bardhë, më mashkullore dhe më ekstremiste.
Ndërkohë, është edhe mosgatishmëria e Trump për të tej kaluar bazën e tij të mbështetësve, ajo që e bën të vështirë, nëse mos të pamundur, tërheqjen e të moderuarve dhe të pavarurve. Presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden ka më shumë votues në dispozicion të tij sesa Trump.
Kjo s’do të thotë se fitorja do të jetë e lehtë, por se ai mund të dëmtohet më pak nga votuesit që qëndrojnë në shtëpi. Nëse Trump do që të fitojë, ai do të ketë nevojë për çdo votues të mundshëm në partinë e tij. Po ashtu, ai duhet të marrë vota nga amerikanët ende të pavendosur, të cilët mund ta kenë acaruar prej kohësh, jo vetëm për shkak të sjelljes së tij personale, por edhe për shkak të politikave që promovon.
Partia Republikane, është në anën e gabuar të çdo çështjeje madhore me të cilën po përballet populli amerikan. Marrim si shembull të drejtën e abortit. Gjykata e Lartë amerikane e dominuar aktualisht nga republikanët, vendosi në vitin 2022 të rrëzonte padinë ‘Roe vs Wade”, e cila kishte siguruar të drejtat e abortit për gjysmë shekulli.
Parlamentet shtetërore ultra-konservatore e kanë nxjerrë jashtë ligjit abortin, madje edhe në rastet e përdhunimeve apo inçestit. Dhe Gjykata e Lartë e Alabamës, mori fundmi një vendim që i barazon embrionet e ngrira me fëmijët. Kjo tendencë, i ka nxitur gratë dhe të moderuarit që të zhvendosen akoma më shumë tek demokratët, ose të paktën në kampet e të pavendosurve apo të kujtdo përveçse jo Trumpit.
Sa i përket çështjes së sigurisë kombëtare, Trump është rreshtuar shpesh me kundërshtarët tradicionalë të Amerikës, duke i mërzitur, zemëruar apo u armiqësuar me një segment të rëndësishëm të elektoratit. Shumë republikanë të moshuar mbajnë ende në zemrat e tyre shpirtin e Ronald Regan, dhe e shohin Amerikën si një “qytet të ndritshëm mbi një kodër“, një fener lirie dhe demokracie për njerëzit në mbarë botën.
Për ata që janë mjaftueshëm në moshë për të kujtuar Luftën e Ftohtë, Rusia është një armik i paepur i SHBA-së. Këta republikanë e shohin të papranueshme pushtimin e Ukrainës demokratike nga Rusia. Një sondazh i kohëve të fundit, zbuloi se 43 për qind e republikanëve besojnë se Shtetet e Bashkuara, po ofrojnë ose shumë pak ose jo sasinë e duhur të ndihmës për Ukrainën.
Sigurisht, ata nuk janë dakord me kërcënimet e Trump për të braktisur NATO-n, apo edhe inkurajimin që ai i bën Rusisë për të sulmuar anëtarët që nuk përmbushin detyrimet e tyre për shpenzimet ushtarake. Afërsia e Trump me shtetet autoritare – nga Rusia në Hungari, e deri në Arabinë Saudite – është për ta gjithashtu e papranueshme.
Deri këtë javë, republikanët kishin ende një opsion tjetër:Nikki Haley, ish-ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara. Sulmet e përshkallëzuara të saj ndaj rekordit politik të Trump, duket se kanë pasur një ndikim. Në zgjedhjet paraprake në New Hampshire, Nevada dhe Karolinën e Jugut, ajo mori rreth 30 për qind të votave.
Por tani Haley i ka dhënë fund fushatës së saj presidenciale, pasi humbi në zgjedhjet paraprake të “Super të Martës” në 14 shtete. Por deri më tani, ajo ka refuzuar të mbështesë Trump, duke deklaruar se i takon atij që të punojë për të fituar mbështetjen e votuesve të saj. Dhe ka arsye të forta të dyshohet se do të ketë sukses.
Në fakt, në vend se të votojnë për Trumpin në nëntor, shumë nga mbështetësit e Haley ka të ngjarë ose të qëndrojnë në shtëpi ose të votojnë për Joe Biden. Në Iowa, 49 për qind e mbështetësve të Haley, thanë se do të vepronin pikërisht kështu. Trump i humbi zgjedhjet e vitit 2020, dhe më pas nxiti një kryengritje të dhunshme.
Që nga ajo kohë, ai nuk e ka moderuar as retorikën dhe as sjelljen e tij. Përkundrazi është bërë më ekstremist. Nëse kjo qasje do të zvogëlojë pjesëmarrjen e votuesve republikanë qoftë edhe pak, atëherë Trump do të përballet me një humbje të madhe. Nuk ka mjaftueshëm amerikanë që janë të gatshëm ta rikthejnë atë në Shtëpinë e Bardhë.
Burimi: Project Syndicate/Përshtati Gazeta Si
Shënim: Reed Galen, bashkëthemelues i “Lincoln Project”, një organizatë pro-demokracisë e themeluar nga ish-strategë të Partisë Republikane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




