Drejtësia

Shtyhet seanca për ‘Gërdecin’, një nga dëshmitarët mbron Fatmir Mediun: Kurrë nuk ka ndikuar në vendime

Gazeta Si- Seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë e Gërdecit, në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shty, ndë seanca e radhës u caktua në 13 mars.

Ish-drejtori i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, Dritan Minxolli, refuzoi të dëshmonte në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kemi ardhur në respekt të fletëthirrjes. I kemi thënë të gjitha në procesin e parë”, mësohet të kenë thënë ata në sallën e gjyqit.

Minxolli shfrytëzoi të drejtën për të mos dëshmuar, njëlloj siç bënë më pas edhe dy dëshmitarët e tjerë, ish të pandehur në dosjen “Gërdeci”, Sokol Ngjeçi e Besnik Dauti.

I vetmi që pranoi të japë dëshmi ishte Rezart Tërshana, ish-shef sektori në Drejtorinë Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes. Tërshana tha se kishte qenë anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve për demontim.

“Ne përcaktimin e çmimit për demontim, elementet e kostos ishin në një anë, vlera e mbetjes, produktet që përftohej në anën tjetër. Diferenca nxirrte çmimin. Ne nuk kemi llogaritur kostot e transportit. Komisioni i çmimeve e vendoste çmimin në magazinë. Ne nuk e dinim se ku do të shkonin. Ne madje nuk dinim as depot nga do merreshin. Me to merreshin strukturat ushtarake”, tha dëshmitari.

Në përgjigje të avokatëve, Tërshana tha se procesi i demontimit nuk ka qenë asnjëherë me fitim.

“Ndër vite janë shpenzuar 30-35 milionë euro të shpenzuara nga buxheti i shtetit për demontimin. Gjithmonë është shpenzuar. Ndaj çdo çmim që vinte nga kompanitë private të licensuara ishte i favorshëm për ne. Kemi qenë të lirë në marrjen e vendimeve. Asnjëherë, ish-ministri Mediu nuk ka dhënë orientime, apo ndikuar”, vijoi Tërshana.

I pyetur nga avokati i Mediut, Ardian Visha, për marrëdhënien mes tyre, dëshmitari tha se kishin pasur vetëm raport profesional për shkak të punës, jo miqësi.

“Asnjëherë nuk më keni orientuar, apo ndikuar. Demontimi ishte një kërkesë ligjore. Mediu është njëshi! Demontimi ishte çështje sigurie, jo çështje fitimi. Unë nuk e kam takuar ndonjëherë Mihal Delihorgjin. Nuk dija as marrëdhënien e tij me Sac Albademil”, tha ai.

Ndërkohë, jashtë ambienteve të SPAK, Fatmir Mediu u shpreh se çdo person i përfshirë në këtë ngjarje duhet të pyetet në mënyrë që të zbardhet e vërteta.

Mediu thotë se çdo element duhet të jetë pjesë e dëshmisë, përfshirë këtu dhe shpjegimet e shtetasve të huaj të kompanisë që bëri procesin e demontimit në atë kohë.

“Sa i përket thirrjes së dëshmitarëve, është detyrim i prokurorisë që të jenë prezentë, mundësisht nëse nuk kanë pyetje vetë, të paktën të dëgjojnë pyetjet tona sepse ndihmojnë në zbardhjen e procesit. E para, mendoj se nëse ka mangësi në mënyrën si ka proceduar Prokuroria nuk është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes. Mendoj që është kompania që ka pasur kontratën, që ka bërë procesin e demontimit, transaksionet e ndryshme, ka prezantuar te Ministria teknologjinë. Çdo element duhet të ishte pjesë e dëshmisë. “

Për faktin që disa dëshmitarë nuk pranuan të flasin, ai u shpreh: Në dijeninë time, sado e cunguar të jetë, një i bashkëpandehur ka të drejtë të heshtë, por edhe t’u përgjigjet pyetjeve që i konsideron të rëndësishme. Ka ca pyetje që janë të palës tonë, s’ka pasur asnjë marrëdhënie subjektive, në marrëdhëniet që kanë të bëjnë me procesin. Nëse dëshmitarët s’duan të pyeten, mos të kemi më asnjë tentativë.

Përpos kësaj, ish-ministri tha se ai vetë është i gatshëm të pyetet në çdo moment, por me akt real.

Mediu ka deklaruar në daljet e tij publike se nuk ka shkelur detyrën dhe ka respektuar të gjitha procedurat gjatë kohës që ka qenë ministër i Mbrojtjes.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Nga tragjedia e Gërdecit, që ndodhi në 15 mars 2008, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë