Analize

Stigma ndaj ‘agjentit të huaj’: Si kaloi Rusia nga autokracia në diktaturë

Nga Gabriele Carrer-Vladimir Putin mbajti të enjten e javës së kaluar një fjalim mbi gjendjen e kombit në Asamblenë Federale ruse, i cili ishte i dominuar nga retorika e fushatës zgjedhore. Historiani Sergey Radchenko e quajti atë si “fjalimin ndoshta më të paarsyeshëm të mbajtur nga një udhëheqës rus, që kur Nikita Khrushchev premtoi të arrinte të ndërtonte plotësisht komunizmin deri në vitin 1980”.

Ndërkohë një ditë më vonë, u zhvillua funerali i Alexey Navalny-t. Por ndërsa kinematë ku Kremlini imponoi transmetimin e fjalimit të presidentit ishin bosh, qindra mijëra njerëz donin që ta nderonin me një tufë lule në duar kundërshtarin politik të regjimit, i cili vdiq në një burg të sigurisë së lartë në Siberi.

Dhe e bënë këtë në mënyrë paqësore, sepse deri më sot pjesëmarrja duket se ka mbetur mjeti i vetëm në dispozicion të opozitës ndaj regjimit të Vladimir Putinit, qoftë edhe në funksion të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen pas dy javësh.

Shtypja e regjimit rus, gjithnjë e më pranë totalitarizmit, është forcuar shumë me disa ligje të reja apo me interpretime më të gjera të tyre çdo ditë që kalon, që pas fillimit të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Një luftë, ose për ta thënë sipas diktatit të Kremlinit një “operacion ushtarak special”, që duket se nuk merr mbështetje jashtë rrethit magjik të cilin lideri e drejton përmes frikësimit.

Mjafton të thuhet se Vasily Dubkov, një nga avokatët e Navalny-t, u arrestua ditët e fundit në Moskë me akuzën e “prishjes së rendit publik”, dhe më pas u lirua disa orë më vonë. Ishte ai që e shoqëroi Lyudmila Navalnaya-n, nënën e Nalvany, në qytetin arktik Salekhard më 16 shkurtin për ta ndihmuar që të merrte trupin e djalit të saj.

Apo për njerëzit e arrestuar pas demonstratave pro-Navalni pas vdekjes së tij. Në mesin e tyre ishte edhe 78-vjeçare Yelena Osipova nga Shën Petersburgu. Gruaja, që u arrestua në shtëpi nga oficerët e policisë pak orë më vonë pas protestës, ishte ndaluar edhe 2 vite më parë gjatë një proteste kundër luftës në Ukrainë zhvilluar në Shën Petersburg.

Javës që shkoi, u dënua me 2 vite e gjysmë burg nga gjykata e Moskës Oleg Orlov, ish-bashkë-drejtues i Fondacionit Memorial, fitues i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2022. Akuza:ka denoncuar vazhdimisht agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

“Gjykata e shpall Orlov fajtor, dhe urdhëron një dënim me 2 vjet e 6 muaj në një koloni penale të regjimit të përgjithshëm”- tha gjyqtari. Formalisht, Orlov u akuzua për “diskreditim” të ushtrisë ruse, sipas një ligji për kriminalizimin e kritikës ndaj luftës, miratuar pas fillimit të pushtimit.

“Unë jam në gjyq për një artikull, në të cilin e quajta ‘fashist’ dhe ‘totalitar regjimin aktual politik në Rusi”- tha disidenti, duke folur gjatë një seance. “E shkrova këtë më shumë se një vit më parë. Në atë kohë, disa nga miqtë e mi mendonin se po ekzagjeroja, por tani është qartësisht e qartë:nuk po e ekzagjeroja fare”-shtoi ai.

Në burg është edhe Vladimir Kara-Murza, i dënuar në prill 2023 me 25 vite burg për tradhti kombëtare dhe për denoncimin e sulmut të Rusisë ndaj Ukrainës. Ai po e vuan dënimin në një burg siberian të sigurisë maksimale. Ilya Yashin, ish-këshilltar në Bashkinë e Moskës, u dënua në dhjetor 2022 me 8 vjet e 6 muaj për raportimin e masakrës në Bucha të Ukrainës në kanalin e tij në YouTube në prill 2022.

Goditja e regjimit po prek edhe mediat. Shembulli më i fundit ka të bëjë me Novaya Gazeta, redaktori i së cilës Serghei Sokolov u gjobit të enjten e kaluar me 30.000 rubla (300 euro) me akuzën e “diskreditimit” të ushtrisë pasi u ndalua nga policia në Moskë.

Në vendimin e marrë kundër tij, citohet një artikull i publikuar në dhjetor të vitit të kaluar në kanalin Telegram të Novaya Gazeta, në të cilin u gjetën “shenja gjuhësore dhe psikologjike të diskreditimit verbal të veprimeve të strukturave të pushtetit”.

Me shumë gjasa, kjo akuzë është formuluar nga njerëzit e famëkeqes Qendra E, përgjegjëse për luftimin e të ashtuquajturit “ekstremizëm”, akuza e përdorur shpesh për t’i mbyllur gojën disidencës në Rusi. Duket se ky është pikërisht qëllimi që e nxiti Vladimir Putinin të nënshkruante ditët e fundit një ligj, të miratuar nga Duma që në janar, i cili parashikon konfiskimin e pronave të atyre që “diskreditojnë” forcat e sigurisë.

Por parlamenti i Moskës nuk ndalet me kaq: të mërkurën e javës së kaluar ai dha dritën jeshile një ligji tjetër, që i ndalon rusët të reklamojnë përmbajtjen e individëve dhe organizatave të përcaktuara që etiketohen si “agjentë të huaj”, dhe të reklamojnë këtë përmbajtje në platformat në pronësi të tyre.

Kjo masë përbën një goditje tjetër të fortë për mediat opozitare. Media ruse RBK, raportoi se agjencitë e mëdha ruse të reklamave, kanë përfshirë tashmë klauzola të njëanshme të përfundimit të kontratat e tyre, në rast se Kremlini cakton një nga klientët si “agjent të huaj” gjatë afatit të kontratës.

Po të mërkurën, gazeta e opozitës ruse Verstka raportoi se gjatë viteve 2022-2023 Kremlini i dyfishoi ndjekjet penale të agjentëve të huaj për shkeljen e ligjeve të censurës ruse, kryesisht për shkak të informacionit të supozuar “të rremë” mbi ushtrinë ruse apo për promovimin e ekstremizmit.

Shtypja është edhe lokale. Parlamenti i territorit të Krasnodarit, po shqyrton miratimin e një ligji që do t’i pengonte nga e drejta e votës në zgjedhje, rusët e dënuar për përhapjen e informacionit të rremë, diskreditimin e forcave të armatosura ruse apo promovimin e ekstremizmit.

Pra gjithçka duket gati, për zgjedhjet presidenciale të 15-17 Marsit. Edhe sepse 3 javë më parë u refuzua kandidatura e “pacifisit” Boris Nadezhdin, e rrëzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me justifikimin e mos-plotësimit të kritereve. Prandaj, arma e vetme për kundërshtarët në Rusi duket të jetë abstenimi. Duket se Putini nuk mund të shpikë asgjë për t’i shtyrë njerëzit të dalin në votime.

Burimi: Huffington Post/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Gabriele Carrer është një gazetar i specializuar në politikën e jashtme italiane dhe sigurinë kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë