Gazeta Si – Skënderbeu në volejboll për femra dhe Partizani në volejboll për meshkuj janë fituesit e trofeut ‘Gjergj Kastrioti’ për këtë edicion, ku marrin pjesë ekipe shqiptare dhe kosovare. Të dyja këto skuadra kanë dominuar finalet, duke mundur përkatësisht Dritën dhe Tiranën me rezultatin 3-0.
Korçaret e rrjetës e fitojnë këtë trofe për herë të tretë radhazi, çka tregon qartë supermacinë e tyre. Në një ambient të shkëlqyer sportiv të krijuar në pallatin e sportit ‘Tamara Nikolla’, skuadra e drejtuar nga trajneri Orlando Koja tregoi forcën e saj, duke mundur 3-0 Dritën.
Festë e ligjshme më pas me tifozët vendës, që kishin mbushur pallatin e sportit. Kapitenia Elena Bego ngriti lart trofeun e radhës për Skënderbeun. Për sa i takon finales, dy setet e para ishin të ekuilibruar, përfunduan 26-24 dhe 25-23, kurse të tretin vajzat korçare e mbyllën 25-15.
Me të njëjtin rezultat e fitoi finalen e meshkujve Partizani, që mposhti 3-0 Tiranën me një lojë shumë të bukur. Plotësisht i merituar trofeu ‘Gjergj Kastrioti’ për djemtë e drejtuar nga trajneri i njohur, Ylli Tomorri.
Edhe kjo finale u zhvillua në qytetin e Korçës. Partizani ishte më lart se rivalët në këtë kompeticion mbarëkombëtar, ku meritoi gjithçka. Vetë rezultati i finales flet qartë: 25-21, 25-18 dhe 25-22 përfunduan 3 setet.
Vlen të theksohet fakti se Partizani ka në skuadër 4 lojtarë brazilianë, të cilët bashkë me vendësit bëjnë një grup shumë të fortë. Lojtari më i mirë i finales ishte braziliani Koutinjo, që shënoi 20 pikë. Kapiteni Klodian Kasa fitoi trofeun e parë mbarëkombëtar, pas 19 titujsh kampion dhe 20 kupash të fituara në karrierë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.