Propozim i SI

Si rrjedh paraja nga shitja e armëve në Ukrainë dhe interesat gjeostrategjike të Shqipërisë 

Nga Gazeta 'Si'-Teksa Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e saj të tretë, Kievi ndodhet aktualisht në një pozicion shumë të vështirë. Humbjet e fundit territoriale, edhe pse modeste në madhësi, e kanë inkurajuar shumë Rusinë e presidentit Putin, e cila muajt e ardhshëm mund të provojë një sulm të ri në shkallë të gjerë me synim pushtimin e Kievit dhe rrëzimin e qeverisë pro-perëndimore.

Në kushtet kur administrata Biden ka hyrë në fushatë, dhe rivalët republikanë po i sabotojnë paketën e re të ndihmës për Ukrainën, ukrainasit po i varin shpresat tek evropianët. Presidenti Volodymyr Zelensky, ka nisur një fushatë të gjerë diplomatike për të mbledhur çdo lloj ndihme të mundshme.

Vizita e tij në Tiranë, në kuadër të një konference të përbashkët me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, synon që t’u japë atyre një peshë më të madhe se ajo që kanë në të vërtet në këtë luftë, por edhe në aleancën e NATO-s më në përgjithësi. 

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në konferencë për shtyp

Për të shmangur shtimin e rreziqeve për vendet aleate në kufi me Rusinë, Ukraina e nxitur nga SHBA-ja, po mendon të rishpërndajë burimet e furnizimit ushtarak në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ofruar partneritet me kompanitë e shumta ukrainase në këtë sektor në prodhimin e armëve dhe municioneve, për të cilat ajo ka dëshpërimisht nevojë në këto momente.

Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore me qendër në Gjermani, deri në 15 janar të këtij viti ndihma globale për Ukrainën kishte arritur në 253 miliardë euro. Mbështetjen më të madhe si shtet e ka ofruar SHBA-ja me 75 miliardë dollarë, e ndjekur nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Bashkimi Evropian ka dhënë në tërësi rreth 93 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. Në raport me PBB-në, Danimarka dhe Estonia renditen në krye, duke dhënë një ndihmë që arrin në më shumë se 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku Estonia ka shkallën më të lartë me 3.55 për qind.

Norvegjia, Lituania, Letonia , Finlanda dhe Polonia janë gjithashtu ndër donatorët më të lartë për nga përqindja e PBB-së. Sa për krahasim SHB-ja ka përdorur 0.32 për qind të PBB-së së saj për ndihmën ndaj Ukrainës. Kjo shifër është 0.55 për qind për Britaninë dhe 0.57 për qind për Gjermaninë.

Gjithsesi duke theksuar se në shumicën e tyre, këto shpenzime shkojnë më shumë për kompanitë vendase të prodhimit të armëve. Për shembull për SHBA-në, kjo normë shkon në mbi 75 për qind të ndihmës së dhënë për Ukrainën.

Muajt e fundit SHBA-ja ka dërguar edhe sistemet raketore mbrojtëse “Patriot”, teksa është në fazën e zëvendësimit të tyre në territorin e saj, me një sistem akoma më të përparuar të mbrojtjes raketore dhe bërthamore. Ndërkohë rigjallërimi i industrisë së mbrojtjes në Evropë, ka shumëfishuar fitimet e kompanive ushtarake shtetërore dhe private, duke e rritur ndjeshëm edhe vlerën e aksioneve të tyre në bursa.      

Një investigim i portalit ukrainas “Kyiv Indipendent” botuar në janar të këtij viti, zbuloi sesi kompanitë perëndimore po fitojnë shuma marramendëse në marrëveshjet e nënshkruara me Ukrainën. E dëshpëruar për armë në javët e para të pushtimit, Ukraina ishte gati t’i blinte ato me çdo çmim dhe kusht.

E dëshpëruar për armë në javët e para të pushtimit, Ukraina ishte gati t’i blinte ato me çdo çmim dhe kusht.

Dhe tregtarët privatë evropianë të armëve panë një mundësi të artë, duke i rritur çmimet e shërbimeve të tyre. Në një rast specifik, “Kyiv Independent” zbuloi se një ndërmjetës mori 3-6 herë më shumë para sesa mesatarja e tregut. Dhe rritja e këtyre e çmimeve, ndikoi në fuqinë shpenzuese të aleatëve të Ukrainës.

Sepse sa më të larta të jenë çmimet, aq më pak armë shkojnë në Ukrainë. Në fillim një kompani holandeze, më pas një estoneze dhe në fund një kompani çeke u përfshinë në sigurimin e municioneve për Ukrainën. Si rezultat i marrëveshjes, të paktën një nga ndërmjetësit mori 2 milionë euro, ose 30 për qind të vlerës së kontratës, një normë tejet e lartë.

“Shumë kompani në mbarë botën, kanë arkëtuar fitime shumë të mëdha nga lufta në Ukrainë”- do të deklaronte Fedir Venyslavsky, deputet i partisë në pushtet “Shërbëtori i Popullit” dhe anëtar i komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare.

Por pse përfshihen ndërmjetësit nëse ata i rrisin çmimet?

Zakonisht, ndërmjetësuesit sigurohen që marrëveshja të shkojë pa probleme duke garantuar pagesën. Për më tepër, në kohë lufte, prania e tyre mund të justifikohet nga frika e shitësve nga Rusia. Për shembull, Bullgaria, refuzoi t’i shiste drejtpërdrejt armë Ukrainës deri në dhjetor të vitit të kaluar, pikërisht nga frika e pasojave nga Kremlini.

Në këto kushte, përfshirja e një ndërmjetësi shpesh mund të maskojë furnizuesin e vërtetë. Por nga ana tjetër, ndërmjetësit mund të jenë gjithashtu një mbulesë për përvetësimin e parave. Ukraina ka një histori të gjatë të korrupsionit në prokurimeve ushtarake.

Dhe tani në mesin e gjendjes së luftës, oferta nuk është më publike, gjë që e bën pothuajse të pamundur të gjurmosh se ku shkojnë paratë. Po ashtu, nuk ndihmon as fakti që tregu evropian i armëve është gjithashtu i fshehtë dhe u siguron anonimitet të plotë tregtarëve të etur për të paguar më shumë.

Ndërkaq, pushtimi rus në shkallë të plotë i Ukrainës, i dha një shtysë të re tregut global të armëve, duke sfiduar ndërmjetësit që të gjenin urgjentisht armë dhe municione të epokës sovjetike për Ukrainën, por që gjithashtu u siguronte atyre flukse të jashtëzakonshme parash.

Bullgaria, refuzoi t’i shiste drejtpërdrejt armë Ukrainës deri në dhjetor të vitit të kaluar, pikërisht nga frika e pasojave nga Kremlini.

Kështu, nga një marrëveshje e arritur në mesin e marsit 2022,  3 javë pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës, një kompani holandeze ua shiti ukrainasve një granatahedhës anti-tank sovjetik, të prodhuar 60 vjet më parë, 2 herë më shumë sesa çmimi i para luftës

Rezervat e municioneve në Evropë, janë mbajtur shpesh qëllimisht të ulëta në kohë paqeje, për shkak të vjetërsimit të tyre dhe kostove të mirëmbajtjes. Dhe nevojat e Ukrainës ishin gjithashtu shumë specifike:mortaja të prodhimit sovjetik, granatahedhës dhe municione, pajisjet më të përdorura nga ushtria ukrainase, por që mungonin në Perëndim.

Vetëm një pjesë e vogël e vendeve të Evropës Lindore, kishin atë që i nevojitej Ukrainës në atë kohë. Disa hezituan të shesin, nga frika e reagimit të Rusisë. Por pasi Rusia e zgjeroi pushtimin, Bullgaria dërgoi fshehurazi furnizime me armë përmes ndërmjetësve. Dhe çmimet për armët dhe municionet sovjetike të prodhuara në Bullgari u rritën 3-4 herë

Vetëm një pjesë e vogël e vendeve të Evropës Lindore, kishin atë që i nevojitej Ukrainës në atë kohë

Ndërkohë për Shqipërinë, ka një mungesë të dhënash mbi koston e ndihmës që ka dhënë këto 2 vite. Në ditët e para të pushtimit në shkallë të gjerë në shkurtin e vitit 2022, presidenti Zelensky zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama, të cilin e falënderoi për “ndihmën domethënëse në armë dhe municione”, por pa përmendur shifra konkrete.

Vetëm në korrik të vitit të kaluar portali holandez Oryx, i profilizuar mbi çështjet ushtarake, shkroi se Shqipëria i dërgoi Ukrainës 22 mjete të blinduara të dhuruara vitet e fundit nga ushtria e SHBA-së. Por sërish nuk ka të dhëna konkrete mbi sasinë e plotë të armëve dhe municioneve të dërguara.  

Rezervat e mëdha, pavarësisht dëmeve të mëdha që shkaktuan ngjarjet e 1997-ës, lënë të kuptohet se ndihma në armë të lehta dhe të kalibrit të mesëm do të ketë qenë e konsiderueshme, krahasuar me ekonominë modeste që vendit. Sipas një përllogaritje nga specialistët, deri në fundin e viteve 1980, ushtria shqiptare zotëronte asete me vlerë 130 miliardë dollarë.

Vetëm municioni i ushtrisë shqiptare, ai i importuar dhe ai i prodhuar në vend, i sistemuar në disa qindra depo e tunele, kapte shifrën e 65 miliardë dollarëve. Uzina e Poliçanit prodhonte 48-58 tonë municion në 24 orë, fishekë pushke, automatiku, mitralozi të lehtë e të rëndë.

Ndërsa ajo e Gramshit prodhonte 400-500 automatikë e pushkë automatike në ditë ose 120 mijë në vit me një kosto 6000 dollarë copa. Uzina e Mjekësit (me teknologji suedeze) prodhonte më shumë se 6000 ton eksploziv në vit.

Artileria kundërajrore numëronte 4000 gryka zjarri që përbëheshin nga mortajat 60 mm, tek topat obuz 122 dhe 150 mm. Në bashkëpunim me NATO-n, Shqipëria ka rindërtuar dhe modernizuar bazën ajrore të Kuçovës, e cila pritet të inaugurohet pas disa ditësh, dhe që do të jetë një tjetër bazë e rëndësishme e aleancës në rajon.  

Gama e plotë e bashkëpunimit të ngushtë ushtarak midis Ukrainës dhe Shqipërisë, mbetet e panjohur. Por nevojat akute të Kievit për armë dhe municione, nënkuptojnë mundësinë e rivënies së shpejtë në punë të uzinave të sipër-përmendura.  Më shumë se përfitime direkte financiare nga kjo ndihmesë, Tirana zyrtare shpreson që të rrisë më tej profilin e saj rajonal, si një vend që jo vetëm prodhon së brendshmi stabilitet por e eksporton atë atje ku ka mundësi.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë