Mjedis

Ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura / Shoqatat mjedisore kërkojnë ndërhyrjen e BE dhe konventave ndërkombëtare

Nga Gazeta Si - Ekspertë dhe përfaqësues të Organizatave të mjedisit kërkojnë që në ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura të ndërhyjnë edhe BE dhe konventat ndërkombëtare.

Në konferencën për shtyp, Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës EcoAlbania tha se janë vënë në dijeni edhe koneventat ndërkombëtare: Konventa e Bernës, por edhe Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe ata kanë shprehur shqetësimin për ligjin që po shqyrtohet në Komisionin e Mjedisit.

“Projektligji, nuk vendos më asnjë kufi ndaj veprimtarive shkatërruese. Pra, këtu vetëm qielli është kufiri”, tha Taulant Bino, president i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë, duke shtuar se kanë bërë takime të ndryshme “ku kemi kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Europian, në përputhje me të gjitha direktivat që preken, në përputhje me të gjithë rrjetin e zonave të mbrojtura të Shqipërisë, që përmban brenda tij edhe rrjetin EMERALD, rrjetin e ardhshëm Natyra 2000. Përveç kësaj ka iniciativa për kontakte me Parlamentin Europian, që do të thotë që qëndrimi ndaj integrimit të Shqipërisë ka për të qenë shumë kritik”, tha Bino.

Gjatë konferencës për shtyp, ata kërkuan publikimin e draftit nga ana e parlamentit, pasi aktualisht ai iu është dërguar vetëm deputetëve.

Ndërkaq, sipas ekspertit Zef Preçi përpara ndryshimeve, është domosdoshmëri kryerja e një analize të detajuar të legjislacionit aktual.

“Ndërhyrjet që propozohen, pa iu nënshtruar një filtrimi se ku ka çaluar kuadri ligjor i derisotëm dhe njëkohësisht duke u larguar nga aktet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është pjesë dhe nga kuadri ligjor që ka miratuar mbi këtë bazë krijojnë terren për të forcuar pandëshkueshmërinë dhe për të zhbërë në tërësinë e tyre zonat e mbrojtura. Pra, do të kemi një tip zonash të mbrojtura model shqiptar, por kurrsesi nuk do të kemi atë që vendi është shprehur në masterplane, strategji zhvillimore, etj.”, thotë eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.

Projektligji i propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste ishte parashikuar të miratohej në seancën parlamentare të datës 15 shkurt, por më pas u hoq nga rendi i ditës.

Ky projektligj u iniciua nga 12 deputetë të PS-së të cilët i kërkuan Kuvendit që ligji t'u jepte Bashkive mundësi të merrnin pjesë në administrimin e këtyre zonave në territoret e bashkive të tyre.

Ndryshimet e reja përveç dhënies në administrim të 20 për qind të territorit për bashkitë, parashikojnë lejimin e investimeve dhe aktivitetit industrial në Zonat e Mbrojtura natyrore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë