Politike

‘Albana më e dashur, por unë nuk di të jap urdhra e as të marr, Jorushi i Tabakëve nuk dihet ku është’. Satira e Gjekmarkajt për rikthimin në shtëpi

Nga Agron Gjekmarkaj- 1) Hapi i dytë.

Gjithçka dje për mua nisi nga fillimi.

Asgjë nuk ishte si më parë. Magjia e iluzioneve u këput si ushkur i vjetruar brandavekesh. Cullak mbrëmë përballë realitetit. Guri i zi i Sizifit u rrokullis prapë mbi mua.

Pas asaj simbolikes, shkuam në mbledhje  avash avash drejt selisë. Lajmi se vetë zonja Garo do na priste me kafe e kumel bëri të veten. Jermi  i konfliktit të gjatë duhej lyer me pak ëmbëlsi.

Nuk qe ashtu. Një përshërimë e idhët si bryma u përhap aty këtu në shenjë proteste.

Na u premtua që pas betejës do shfaqej për saluto. Unë dhe Lideri në perspektivë Gazi shkuam si Luku me Tukun të menduar. Pas nesh Sajme Korreshi e Lefko Gështenja si Coli e Loli plot hare.

Ankthi i paemër mori fund kur mbërriti Kryezëvendës Lideri Muli mbështjellë me një tis enigme e misteri siç ja lyp koha. Na ngjatoi një nga një dhe më pas na frymëzoi për qëndresë. Mondi rënkoi nga kënaqësia. Xhela u shkryth nga befasia. Dhurata Çupi bashkë me syzet ka katër sy dhe sheh kudo qime në përpeq.

Oerdi është bërë pak më zemër se zakonisht kohët e fundit. Albana pothuaj më e dashur aq sa më propozoi si udhëheqës të rebelimit të djeshëm. E gatshme që nën urdhrat e mia të shkonim drejt sublimes e esfelit. Më mallëngjeu. Tanimë me ka xhan. Çdo mendojë Jorushi?!

Pafajësia e saj me ç’armatosi dhe ju gjegja si i zënë në faj “po unë moj bekime nuk di të jap urdhëra e as të marr”. Mangësitë më stolisin. Do zhgënjehet shumë partia prej meje në këtë drejtim, u vrenjta.

Nuk ishte as Salianji ai që çdo të mirë i gjen një të keqe e çdo të keqeje një të mirë. Virani kushedi ku nomatis proçka!

U armatosem me besimin në fitore e armë të tjera. Vrapuam drejt luftës. Tritani mbante një obiçe në krah. Ludoviku i tha të gjejmë një mushkë po nuk pranoi se nga përvoja e di që ajo që duket ka vlerë në politike.

2) Interpelanca Muço -Arbi -Mamica! Blinken si intermexo.

Hymë në sallë. Gratë u bënë krenaria jonë. Na zbardhen faqen. Ina me një dorë filmonte me tjetrën mbante një pankartë. Kundër regjimit me gojë buçiste. Njeriu orkestër do ja kishte zili.

Mamica krejt nektarin e nurin e Qeverisë mbi supe si velenxe mbante. E zymtë sikur kishte fjetur brenda një ëndrre me djaj, izmin e Babos mori për të bërë interpelancë me Muçon.

Në oborr  Muço zymbyli e quajti Blinkenin koleg duke harruar kolegun Lavrov që e sponsorizoi në ditë të keqe (do shënonte qoftëlargu Salianj).

Ndërsa erdhën bilbilat në lëmë nën zë flitej se Blinken sapo Babo po i ziente kafen e qeramit i qënkesh hakërryer, si na e bëtë këtë?

Babua  ishte hutuar. Ç’kam bërë Padishah ? Sekretar i vendit të madh ankuar ishte

Arber Agallia prej tre muajsh nuk po e mbron më Ameriken e as vetë atë  nga rreziqet qe po i kanosen. Ai udhën ka marrë për ta darovitur këtë punë i trazuar.

Babo e qetësoi duke i rrëfyerr angazhimin me porosi të tij në një interpelancë në emër të sojliut Muço. Por do ju mbrojë së shpejti.

Bana, Arbërin e gjorë e dëboi nga foltorja duke i thënë “do të kopanis po u afrove “. Elda Hoti  si tarzan u hodh  dhe kartën i mori me skërmitje -“fole?!….ta nduka mjekrën zullap”. Pikërisht ajo Elda me pamje engjëllore ta shtryll gjakun nga vetulla qerratesha.

3) Ndezullia e Tezes dhe retrospektive mbi asamblenë

Tezja ishte veshur si Zelenski. Si një sorkalle e pa ngarkuar  motesh vraponte e shpenguar. Fjalimin në Asamble e kishte lexuar me delegim. Lajtmotivin “nga fitorja në fitorje” perçoi. Dje, Beles e cila partinë e ndjen në deje,  i çoi një kafe të pjekur në zjarr jugu nën shikimin e vagelluar të Ogit e cila buzeqesh gjithnjë e më pak për fatin e njeriut. Filxhanin e mori sapo rrufitja u krye. Do zihet me Nikoqirin kush e terezit më safi, se Ulsiu nuk mërzitet mjaft që kafja të bjerë rehat në mide.

Toni me qortoi për cinizmin tim ndaj Hyut. Nuk e kuptova cilit prej Zotave i referohej se mua  me  psalmet e Babos me zë i ngrati gjumë.

Kosta i Gramozit dhe Linditës  duke kafshuar gishtat nynykaste për mua “qerratai i menduar/në Tabir nuk ka qetësi/me  Fred Xhaferrë krah peë krah/silloisur si ai/”

Ismet Beqiri dhe Bujari i Lushnjes shikonin njëri tjetrin me xhelozi profesionale rapsodesh.

Atyre u ishte besuar të shkruanin himnin e asamblesë. Njeri do fitojë.

Ismeti ishte përqendruar tek dy shkuarjet në banjo të shokut Gramoz ndërsa  Bujari tek qendresa pa lëvizur gjashtë orë e Namikut.

Ndërsa për atë pesë minutëshe të  Babos në yzyrhane   u caktua një grup pune me Bafton, Damon dhe Braçen për të kuptuar kush janë liberalet e konservatoret kush.

Gjatë mungesës së tij rëndi dhe qetësia i qenë besuar Klosit te cilin salla e respektoi me muhabet.

Fjalimin  e Dilos ministrja e re  e qoshes që ënde si dihet emri  po e konspektonte si shtysë për sukses.

Babua ëndërron që të gjithë një ditë të flasin si njeriu i mirë Dilo, me atë gëzim, besim e dliresi. Gonxhe ka filluar ta bëjë. Çuçi po studion fort. Shalsi besohet se e arrin.

Laerti ënde se ka kapur atë përsosje. Ben Pllumi po ecën mirë. Etilda ju korrigjon gabimet. Ajo është pasqyra ku shihen. Bora me hodhi një shikim të mëshirshëm.

4) Enigma e Jorushit, pritja për zonjen Garo dhe kthimi i luftëtarëve në kërkim të dermanit.

Jorushi i Tabakëve nuk dihet ku ishte a për të na lënë vetëm apo për të manifestuar vetminë e saj noprane kush e di?!

Ajo diku larg mendon mos e do çojmë si Ifgjininë në Aulidë.

Tek mbaja mbi supe Luan Baçin të plagosur nga hasmi u kthyem në oborr të selisë.

Drobitur nga plagët e këputur  nga lodhja u shtrimë nën lisa e qeparisa.

Zonja Garo zbriti si nga qielli,  vuri melhem aty këtu. Helidon Bushatit i duhej një kusi plot. Bledion Nallbati lypte  veç një buzëqeshje se barnat duhen kursyer, vikati mos u bëni qaramanë. Tek qëmtoja monë e shkuar atij  trazimi zonja Kalaja kaloi pranë e na tha “ah çamarrokë çamarrokë mjaft hodhet vickla, jo kështu jo ashtu-gjepura, gjepura, por në vathen e Doktorit erdhët por ja bëtë zemrën mal ama”.

Lideri në perspektivë  Gazi duartrokiti e tha ” e vërteta na bën të lirë, ne ishim robër të paqartësisë, mendojmë njësoj”. Zonja Kalaja i tha të kam falur, hallall dhe e përqafoi si evlat.

Me një zhgun të erret, lidhur me konop, si të Marin Barletit silueta e Alfred Lelës tek shkruante “Pd e rrethueme” na mbante në mbikqyrje.

Tek kronika mbyllet ndanë mejhanes ku jam ulur me një celular në dorë po kalon Mimi di Puccini se jetojmë të dy në një lagje por shihemi rrallë o sa rrallë edhe pse pikat mbi qelq vinë vërdallë.

Ajo i jep leje ditës të bëhet natë dhe kësaj të fundit të shërojë plagët e ditës, të pikëllimeve e melankolive që shkaktoi mos mbajtja e interpelancës me Mamicën. Na kishte marrë ai zuzar mall që ti ndjenim zënë atë sokellimë që bën terbiet të madh e të vogël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë