Nga Gazeta ‘Si’- Duket sikur Viktor Orban është shndërruar në një “vaksinë” që po e forcon Bashkimin Evropian, duke e detyruar atë të veprojë me vendosmëri, sa herë që duket sikur është zhytur në krizën e radhës.
Disa javë më parë, në mesin e dhjetorit 2023, udhëheqësit e shteteve të tjera anëtare i kërkuan kryeministrit hungarez që të sillte nga salla dhe “shkonte të pinte një kafe”, ndërsa ata po miratonin fillimin e procesit të anëtarësimit në union të Ukrainës dhe Moldavisë.
Në këtë mënyrë, Orban nuk e bllokoi vendimin historik, në një kohë që mundi të mburrej se e kundërshton atë. Ndërkohë të enjten e javës së kaluar, udhëheqësi hungarez, idhulli i fansave të “demokracisë jo liberale” nga Shtetet e Bashkuara në Turqi, dhe deri në Rusi, u detyrua që t’i nënshtrohej presioneve të homologëve të tij në takimin e nivelit të lartë të BE-së, si dhe të binte dakord për një paketë ndihme shtesë prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën.
Dhe kjo e fundit nuk ishte rezultat i një truku, siç ishte një mungesa momentale gjatë procesit të votimit, por i presionit të fortë që ushtroi Brukseli, duke shkuar deri tek kërcënimi për t’i shkaktuar qëllimisht dëme ekonomisë hungareze. Po çfarë e nxiti në fakt zgjimin e Bashkimit Evropian?
Marrëdhënia ndërmjet BE-së dhe shteteve anëtare, është sa e thjeshtë dhe komplekse. Nga njëra anë, unioni përbëhet nga anëtarët e tij, ku secili forcohet nga fuqia e tyre kolektive. Nga ana tjetër, bashkëjetesa dhe bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve bazohet në dinamikën e brendshme politike të çdo vendi.
Këto procese të brendshme, ndikohen drejtpërdrejt nga ajo që ndodh në nivel evropian dhe anasjelltas. Ndonjëherë është e lehtë të shihet se si interesat e së tërës, përkojnë me ato të anëtarëve të saj (si për shembull nevoja për stabilitet).
Ndërsa në raste të tjera, mund të ketë ndjeshmëri dhe mosmarrëveshje specifike nga vendet për çështje të caktuara. Madje mund të ketë raste kur një vend (ose grup vendesh), mund të kthehen kundër të gjithëve në mënyrë që të marrin nga Bashkimi Evropian atë që dëshirojnë.
Pikërisht përmes këtij procesi dhënie-marrjeje demokratike, dhe përmes nevojës për t’u përballur me krizat, Evropa arrin që të ecë përpara. Këtë gjë e kemi parë disa herë edhe gjatë viteve të shkuara, nga kriza e borxhit deri tek pandemia dhe lufta në Ukrainë.
Kur kërcënimi është i madh, grupi përpiqet instinktivisht që të mbrohet dhe të parandalojë shpërbërjen e tij. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian mund të tolerojë të gjitha llojet e Orban-ëve në qarkullim, derisa agresioni i tyre kundër të gjithëve të shndërrohet në një kërcënim të drejtpërdrejtë.
Kjo tolerancë është rezultat i procesit demokratik, i cili kërkon unanimitet. Për këtë arsye, vendimi i një jave më parë ishte aq shumë i rëndësishëm, sepse unioni duhet t’u qëndrojë besnik parimeve të tij. Por kur një vend i minon vazhdimisht këto parime të demokracisë liberale dhe kur kryeministri i tij nuk e fsheh admirimin e tij për autokratë si Trump, Putin dhe Erdogan, atëherë Bashkimi Evropian duhet të tregojë nëse është i aftë të zgjidhë problemet, apo nëse synon që të dorëzohet para forcave shkatërruese që zhvillohen brenda tij.
Sot kërcënimet janë të shumta, nga forcimi i lëvizjeve të së djathtës ekstreme në shumë shtete anëtare, tek lufta e Rusisë në Ukrainë, dhe pasiguria mbi politikën amerikane. (Sidomos e ndihmës amerikane për Ukrainën, që është penguar deri më sot nga republikanët ekstremistë në Kongres).
Është kjo arsyeja pse çdo vendim hezitues i BE-së, duhet të shqyrtohet dhe analizohet me kujdes për të përcaktuar nëse ai është produkt i kujdesit apo i konfuzionit. Menaxhimi i sjelljeve problematike të Victor Orban, është një hap inkurajues.
Burimi: Kathimerini/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



