Ne rrjet

Historike / Votohet Talat Xhaferi, i pari Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ali Ahmeti: Kjo është shtëpia jonë e përbashkët

Me 65 vota pro dhe 3 kundër deputetët në Shkup votuan Qeverinë teknike e cila ka mandat 100 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. Deputetët e VMRO-DPMNE-së ndonëse ishin në sallë, ashtu edhe siç paralajmëruan nuk e votuan qeverinë teknike me kryeministrin e parë shqiptar, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare nuk ishin prezent.

Para votimit, Talat Xhaferi mbajti një fjalim në Kuvend duke shpalosur programin e tij si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.  Ai falënderoi Ali Ahmetin dhe BDI si dhe presidentin e vendit për besimin e dhënë, ndërsa nënvizoi përkushtimin në ushtrimin e detyrës me seriozitet.

Xhaferi tha se pa marrë parasysh se sa gjatë do të jetë në krye të Qeverisë, ai do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet, në përputhje me Kushtetutën dhe pritjet e qytetarëve.

“Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë Qeveri një ditë apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton Qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse. Unë dhe Qeveria do të vazhdojmë të punojmë për realizimin me sukses dhe efikasitet të plotë të politikave të qeverisë”, tha Xhaferi.

Mandatari për formimin e Qeverisë teknike tha se ekzekutivi që ai do drejtojë, do të mbetet e fokusuar në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe uljen e inflacionit.

“Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian...Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike. Problemet e qytetarëve në nivel lokal, pavarësisht se të cilës komunë i takojnë, do të kenë mbështetjen e plotë të pushtetit qendror”, u shpreh Xhaferi.

Xhaferi në postin e kryeministrit pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që në 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.

Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.

Xhaferi në postin e kryeministrit teknik është caktuar nga BDI-ja, e cila seancën plenare të 28 janarit e ka cilësuar si “ditë historike”.

“Të dielën, 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq dhe për maqedonasit, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkërisht po ndërmarrim përgjegjësinë për t’i prirë vendit jo njëri pas tjetrit, por krahë për krahë për një Maqedoni evropiane”, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një mesazh drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Kryeministri shqiptar” ishte premtuar nga kryetar i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat u fituan nga Lidhja Social Demokrate, dhe për rrjedhojë kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.

Por, në marrëveshjen për formimin e Qeverisë në vitin 2020, Ahmeti dhe Zaev ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të mandatit, Qeveria teknike të drejtohej nga një emër i propozuar nga BDI-ja.

Ndërkaq, VMRO-ja, edhe pse do të jetë pjesë e Qeverisë, tha se në aktin e votimit do të jetë e përmbajtur.

Nga kjo parti maqedonase thanë se nuk mund të votojnë Talatin Xhaferin për kryeministër, “për shkak të shkeljeve të shumta që ka bërë derisa ishte kryetar i Kuvendit”.

“Ai është njeriu i cili nga fillimi i tij e deri tani në fund si kryetar i Kuvendit ka bërë shumë veprime kundërkushtetuese dhe kundërligjore, pavarësisht se të gjitha iniciativat e ngritura u rrëzuan nëpër gjykatat dhe prokuroritë e kurdisura. Por, një ditë kur ato institucione do të lirohen nga prangat politike, do të ketë përgjegjësi për çdonjërin që ka shkelur ligjet”, është shprehur drejtuesi i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Kundër zgjedhjet së Talat Xhaferit është shprehur edhe opozita shqiptare, e bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim.

Edhe ajo akuzon Xhaferin për “shkelje të shumta” gjatë punës në cilësinë e kryetarit të Kuvendit maqedonas.

“Talat Xhaferi është zgjedhja më e keqe që ka mund të ofrojë BDI-ja. Pas 20 vjetësh në Qeveri, BDI-së në pozita të larta i kanë mbetur njerëzit më të korruptuar dhe njerëzit që më së shumti i kanë bërë dëm çështjes shqiptare. Derisa ishte në krye të Kuvendit, [Xhaferi] ka udhëhequr vetëm politika të partisë së tij dhe jo ato që ishin në interes të qytetarëve”, tha Bilall Kasami, përfaqësues i Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

Ahmeti: Barazia na solli stabilitet, Maqedonia shtëpi e përbashkët

Ali Ahmeti në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit tha se kjo është një ditë historike për të gjithë shqiptarët.
Ai replikoi me Antonio Milloshovskin për komunën e Kërçovës, duke i thënë se kurrë më në harmoni shqiptarët dhe maqedonasit nuk kanë jetuar.

Ai gjithashtu i reagoi dhe e pyeti edhe Pavle Trajnov se kur ka qenë më mirë tani që jemi të barabartë apo para 20-30 viteve kur shqiptarët janë persekutuar.

"Nuk është e vërtetë që ju jeni qiraxhi, por është një e vërtetë që Marëveshja e Ohrit, i dha të drejtë Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e tij. Kjo marëveshje nuk u ndryshoi vetëm shqiptarëve gjendjen, por me këtë marëveshje fituan të gjithë që jetojnë në Maqedoni, si turqit, romët, serbët, etj" tha kreu i BDI.
Ali Ahmeti tha se lufta e ftohtë ka mbaruar dhe tani është një luftë shurdhe, një luftë me armë bërthamore, duke shtuar se Moska ka shkelur mbi dinjitetin dhe sovranitetin e Ukrainës, prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë politikash do të drejtojmë. A do të mbetemi peng i atyre ideve që kokën e kanë në Moskë, e trupin në Europë. Prandaj pa dallimi përkatësia duhet të themi JO RUSISË, PO EUROPËS", tha Ahmeti.

Kryeministër shqiptar në RMV, kush është Talat Xhaferi?

Talat Xhaferi lindi më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.

Studimet e larta i përfundoi në akademinë ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ka shërbyer si drejtues i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Më pas, nga viti 1992 deri më 2001 ka qenë oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Nga viti 2004 deri më 2006, ai shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2008, Xhaferi u rizgjodh deputet, ndërkaq në vitin 2013 u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016 ushtroi postin e deputetit në Kuvendin maqedonas, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Këtë post Xhaferi e mbajti deri në caktimin si mandatar për formimin e Qeverisë teknike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë