Mjedis

Viti i pyjeve, 33 bashki nuk kanë asnjë plan. Kumbaro e ashpër me Kryebashkiakët

Nga Gazeta Si- Në vitin 2016 pyjet kaluan në administrim të Bashkive ndërkohë që viti 2024 është shpallur viti i pyjeve. Në kuadër të kësaj, Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë bërë një vëzhgim 2 vjeçar në çdo bashki, duke zbuluar se gjysma e tyre nuk kanë asnjë plan mbarështimi për pyjet.

“Fatkeqësisht rreth 8 vite pasi u bë kalimi i pyjeve në administrim të bashkive na rezulton se më shumë se gjysma, 33 bashki nuk kanë asnjë plan mbarështimi. Ka bashki që gjatë gjithë periudhës 8-vjeçare që administrojnë pyjet, nuk kanë asnjë shpenzim si zë investimesh në fondin pyjor. Prandaj përfshirja dhe mirëkoordinimi në nivelin më të lartë të të  gjithë aktorëve është hapi i parë që “Vitin e pyjeve” ta kthejmë në një plan kombëtar e jo të bëjmë mbjellje sporadike sa për të thënë që po mbështesim vitin e pyjeve. Dhe puna më e rëndësishme këtu u takon bashkive jo vetëm në përcaktimin e hartave, pyllëzimet, rigjenerimet e vegjetacioneve pyjore por në planifikimin e modeleve të menaxhimit”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja Kumbaro renditi bashkitë në rang kombëtar që kanë performancë të dobët.

“Kemi bërë monitorim të detajuar të gjithë situatës. Për 61 bashkitë kemi hartuar kartat e performancës, ku detyra kryesore janë hartimi i planeve të mbarështimit. Është kusht i domosdoshëm për t’i administruar këto ekonomi. E quaj të papranueshme që 8 vite pasi jeni bërë pronarë dhe administratorë të këtyre pyjeve, 50% e bashkive nuk i kanë këto plane mbarështimi. Performancë të dobët kanë pasur veçanërisht disa bashki që kanë fond pyjor të konsiderueshëm, kanë edhe të ardhura falë këtyre ekonomive por nuk kanë fare investime. Kam parasysh këtu Mirditën, Fushë-Arrëzin, Kolonjën, Pukën, Tropojën, Skraparin, Dibra. Nuk është normale as fakti që bashki me sipërfaqe shumë të madhe pyjore realizojnë apo deklarojnë të ardhura shumë të pakta prej ekonomive pyjore, si Malësia e Madhe, Puka, Hasi. Ka bashki që raportojnë 0 Lekë të ardhura si Himara, Finiqi, Lezha, Dropulli, Memaliaj, Kurbini, Vlorë, Divjaka, Roskoveci dhe i bie që janë afërsisht 1/3 e bashkive në Shqipëri që nuk realizojnë të ardhura nga ekonomia pyjore”, tha Kumbaro, duke përmendur më pas edhe Bashkitë që i kanë realizuar investimet në fondin pyjor.

“Kemi dhe shembuj pozitiv. Për vitin që lamë pas kemi raste inkurajuese të 13 bashkive që kanë kryer investim të rëndësishëm në fondin pyjor. Bashkia e parë është Tirana. E dyta bashki është e Elbasanit, e ndjekur nga Korça, Prrenjasi, Kukësi, Devolli, Librazhdi, Poliçani, Vau i Dejës, Gramsh, Patos. Ndonëse Bashkia Shkodër nuk ka pasur të ardhurat e duhura për sipërfaqen e konsiderueshme që ka, në gjysmën e dytë të këtij viti ka bërë investime në pyje shumë më tepër nga çka nxjerrë të ardhura. Me sipërfaqen pyjore që ka, Shkodra mund të bëjë më shumë”, u shpreh ministrja Kumbaro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë