Nga Gazeta ‘Si’- Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë.
Sipas dëshmitarëve, më 15 janar 1999, rreth orës 6:30, forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, ishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllav.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Homazhet
Ndërkohë që në orët e hershme të ditës së sotme kreët shtetërorë të Kosovës, familjarë e qytetarë të shumtë kanë nisur homazhet në Reçak,në nderim të 45 civilëve të cilët u vranë dy dekada e gjysmë më parë.
Sipas presidents së Kosovës, Vjosa Osmanit, masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës.
“…në një kohë kur për fat të keq, regjimi i sotëm i presidentit serb, Aleksandar Vuçiçit, që është vazhdimësi e regjimit të ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviçit, jo vetëm që mohon masakrën e Reçakut, por edhe i arreston e torturon ata të cilët vendosin lule mbi varret e fëmijëve të vrarë gjatë luftës”, tha Osmani.
Ajo falenderoi ish-ambasadorin amerikan, William Walker, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni.
Për Walkerin, ky përvjetor është ngjarje emocionuese, por ai shtoi se banorët e këtij fshati sakrifikuan që qytetarët të kenë sot Republikën e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se masakra e Reçakut “e tronditi opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë ndërkombëtare dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë”.
Ndërkaq, kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se pas masakrës së Reçakut, bota demokratike e “kuptoi se gjuha që e njeh Serbia është gjuha e forcës”, duke iu referuar bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.