Njerez

Attal, kryeministri që synon Elysee në 2027, dikur bullizohej për orientimin e tij seksual

Kryeministri i ri francez është Gabriel Attal, 34 vjeç, më i riu i Republikës së Pestë (Laurent Fabius ishte emëruar nga Mitterrand në 1984 në moshën 37-vjeçare), Ministër i Arsimit që nga qershori i kaluar. “I dashur Gabriel Attal, – shkroi Presidenti Emmanuel Macron në X, - e di se mund të mbështetem në energjinë dhe angazhimin tuaj për të zbatuar projektin e rilindjes që kam njoftuar...”.

I ardhur nga radhët e të majtës si Elisabeth Borne që i parapriu, Gabriel Attal ishte një anëtar aktiv i Partisë Socialiste për rreth dhjetë vjet, midis 2006 dhe 2016, dhe gjatë presidencës së Hollande ai punoi për ministren e atëhershme të Shëndetësisë Marisol Touraine.

I zgjedhur për herë të parë si deputet në vitin 2017, Attal u emërua Sekretar i Shtetit për Rininë në 2018 dhe zëdhënës i qeverisë dy vjet më vonë. Më pas, në fillim të mandatit të dytë të Macron, u delegua tek financat publike, përpara se të kalonte në arsim.

Më 20 dhjetor 2023, gjatë intervistës në programin "C à vous" në France 5, Emmanuel Macron vlerësoi "energjinë dhe guximin e Gabriel Attal në përballimin e betejave të nevojshme", dhe sipas një sondazhi të publikuar më 4 janar nga Figaro ai është ministri më popullor në qeveri, me disa pikë përpara Bruno Le Maire (që drejton Financat).

Attal luajti kartën e autoritetit për heqjen e shamisë në klasë, duke e vënë theksin tek laicizmi në shkolla (2004). Pastaj Attal mori masa të reja kundër bullizmit, duke thënë se ai vetë ishte viktimë e tij në shkollën e mesme dhe vazhdoi gjithashtu betejën e tij për të ndërtuar profilin e tij si një Macron i ri i mundshëm.

Kur Attal u emërua Ministër i Arsimit në vend të Pap Ndiaye përparimtar, eseisti tradicionalist i ekstremit të djathtë Philippe de Villiers evokoi një "katastrofë" sepse shkolla sipas tij po kalonte "nga kultura e zgjuar në botën LGBT". Attal ka bashkëjetuar me vite me Stéphane Séjourné, sekretar i partisë së Rilindjes (partia e Macronit), dhe për këtë arsye është kryeministri i parë homoseksual i parë në historinë e Francës.

Attal iu përgjigj sulmit të Villiers: “Jam mësuar me sulme homofobike. Kur dëgjoj këto fraza, mendoj mbi të gjitha për miliona francezë që përjetojne situata të tyre në anonimat dhe gjejnë më pak mbështetje sesa unë në shoqëri”.

Attal nisi një fushatë të madhe kundër bullizmit në shkolla, duke thënë se ishte viktimë e tij. Një shok i shkollës së mesme, Juan Branco, më vonë një avokat i jelekverdhëve dhe kritikues i ashpër i Emmanuel Macron, përdori bloget e tij të para gjatë ditëve të shkollës për ta tallur atë duke i vënë në dukje orientimin e tij seksual.

Attal nuk e fsheh homoseksualitetin e tij, por pretendon të drejtën për të pasur një jetë private të ndarë nga ajo publike. Edhe marrëdhënia e tij me Séjourné u zbulua gjithashtu vite më parë jo nga ai, por në Tëitter nga i njëjti ‘armik’ personal si gjithmonë, Juan Branco.

I ri, brilant dhe ndonjëherë impulsiv, Gabriel Attal përjetoi një moment negativ në Itali gjatë krizës së parë të emigrantëve italo-francez, në korrik 2018, kur ai ishte zëdhënës i partisë La République En Marche (tani Rilindja)...

Me kalimin e kohës, Attal është bërë më pak i nxituar dhe më i ekuilibruar, por jo më pak i vendosur, aq sa shumë ia atribuojnë dëshirën për të synuar Elysée në vitin 2027, kur Macron nuk do të jetë më në gjendje të qëndrojë pas dy mandatesh në detyrë. Me këtë profil, Attal thirret të ripërtërijë guximin e makronizmit origjinal.

Attal u zgjodh gjithashtu për të udhëhequr kampin makronist në funksion të zgjedhjeve evropiane në qershor, pasi ai gjykohet i aftë për t'u përballur në mënyrë efektive me të riun tjetër (28 vjeç) që është shumë brilant në media, Jordan Bardella, i cili reagoi  ashpër pas emërimit: “Duke emëruar Gabriel Attal si kryeministër, Emmanuel Macron dëshiron të kapet pas popullaritetit të tij në sondazhe për të lehtësuar dhimbjen e një fundi të pafund të mbretërimit të tij. Por më tepër rrezikon të tërheqë zvarrë ministrin kalimtar të Arsimit në rënien e tij...”corriere.it


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë