Analize

Dmytro Kuleba: Ukraina nuk ka një plan B, nëse ndërpritet ndihma do luftojmë sa të kemi mundësi

Nga Gazeta ‘Si’ – Dmytro Kuleba është shumë i bindur se Ukraina “do të dominojë” në këtë luftë. Por në një kohë kur duket se po lëkundet mbështetja perëndimore, dhe kur lufta e Rusisë kundër Ukrainës është shndërruar në një betejë rrënuese, Ministri i Jashtëm ukrainas këmbëngul se mbështetja për qeverinë e Volodymyr Zelenskiy, është gjithashtu edhe një mbështetje për demokracinë.

Dhe ai po përpiqet ta rindezë këtë ndjenjë emergjence tek aleatët e tij, e cila ishte e dukshme në vitin e parë të pushtimit rus.

“Ukraina duhet të jetë një çështje që bashkon dhe jo që përçan”-thotë ai gjatë një interviste dhënë të enjten të kaluar nga ndërtesa e Ministrisë së Jashtme e rrethuar me thasë rëre në një lufte që po i afrohet 700-ditëve.

“Ukraina duhet të fitojë, Rusia duhet të humbasë. Dhe i gjithë mendimi politik duhet të përqendrohet rreth arritjes së këtij qëllimi”- thotë Kuleba, i cili këmbëngul se Vladimir Putin nuk është i interesuar për një konflikt të ngrirë dhe as për paqe, se gjithçka tjetër është thjesht zhurmë, dhe se asnjë nga aleatët e Ukrainës nuk i ka vënë këto opsione mbi tavolinë.

Më 1 shkurt, BE-ja do të diskutojë sërish mbi paketën e ndihmës financiare prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën – aktualisht e bllokuar nga kryeministri hungarez Viktor Orbán – ndërsa një paketë tjetër e ngjashme ndihme mbetet e ngrirë në Uashington. Kuleba beson se fondet do të miratohen.

“Ne nuk kemi asnjë plan B”- këmbëngul ai.

Ky është një vit shumë sfidues, ku do të mbahen zgjedhje në gjysmën e botës, në SHBA, për Parlamentin Evropian dhe në disa vende të BE-së. Ukraina është dhe do të mbetet një çështje shumë e rëndësishme në fushatat zgjedhore. A keni frikë se Ukraina do të bëhet peng i përplasjeve të brendshme politike, siç po e shohim tashmë në Uashington?

Do të ishte një lëvizje dritëshkurtër, që forcat politike të çdo vendi ta shndërronin luftën ruse kundër Ukrainës në një çështje të debatit të brendshëm. Pasi kjo luftë nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainë, por me agresionin rus kundër Ukrainës dhe gjithë botës demokratike. Dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjitha forcat demokratike që marrin pjesë në fushata dhe zgjedhje.

Rusia nuk e njeh demokracinë. Ajo nuk e respekton atë. Dhe nëse mbizotëron në këtë luftë, në rast se stili rus i politikës bëhet dominues dhe fiton popullaritet, nuk do të ketë zgjedhje të vërteta dhe as demokraci reale. Dhe kjo nuk është diçka që e kërkojnë këto forca politike. Ndaj humbja e Rusisë në Ukrainë, është në interesin më të mirë strategjik të vendeve evropiane, të Amerikës së Veriut, si dhe rajoneve të tjera të botës. Prandaj çështja e Ukrainës duhet të jetë përbashkuese dhe jo përçarëse.

Shtetet e Bashkuara kanë gati rreth 61 miliardë dollarë fonde të reja për Ukrainën në pritje të miratimit, që tani për tani është bllokuar nga republikanët. Çfarë do të ndodhë nëse nuk miratohet ky fond?

Ne do të vazhdojmë të luftojmë me burimet që kemi në dispozicion, sepse janë në rrezik demokracia, siguria dhe prosperiteti global. Për ne ukrainasit, është në rrezik ekzistenca e kombit. Nëse dikush vendos ta pezullojë apo ndalë mbështetjen tani, për shkak të mungesës së burimeve, Rusia do të jetë në gjendje të ketë sukses në fushën e betejës dhe të thyejë linjat tona të mbrojtjes.

Unë mendoj se do të rinisë sigurimi i mbështetjes për Ukrainën, pasi të ketë një reagim shumë të fortë publik në favor të mbështetjes së saj. Dhe të njëjtët politikanë që vendosën ta ndërpresin këtë mbështetje, do të marrin vendimin për ta rifilluar atë, por në rrethana shumë më të vështira. Pra, edhe nga një këndvështrim racional, nga një politikë realiste, ka më shumë kuptim të na ofrohet ndihma e duhur tani, për të shmangur një krizë më të rëndë në të ardhmen.

A keni një plan rezervë në rast se nuk mbërrijnë këto fonde?

Ne nuk kemi një plan B. Nga jashtë ndoshta njerëzit e shohin dhe mendojnë ndryshe situatën. Ata mund të flasin për plane A, B dhe C. Mund të publikojnë artikuj dhe strategji analitike. Por këtu në Ukrainë, e gjithë energjia dhe e gjithë fuqia jonë intelektuale duhet të përqendrohet vetëm tek një gjë:ta bëjë funksional planin A.

Ju po përpiqeni të organizoni një takim midis presidentit Volodymyr Zelenskiy dhe kryeministrit hungarez Viktor Orbán, që perceptohet si një lider i afërt me Rusinë…

Ne jemi duke punuar për këtë gjë, në mënyrë që të sheshojmë të gjitha mos marrëveshjet tona. Sepse nëse po flasim për interesat kombëtare hungareze, mendoj se është më se e qartë se pasja në kufi e një Ukrainë paqësore, demokratike, evropiane është në interesin më të mirë të Budapestit. Mund të bisedosh me Putinin, mund të bësh biznes me të. Por unë nuk besoj se Hungaria dëshiron ta ketë Rusinë si fqinje të saj.

Në dhjetor, BE-ja ra dakord të hapte negociatat e anëtarësimit me Ukrainën. Në institucionet e Brukselit, po flitet gjithnjë e më shumë për një model gradual integrimi për anëtarët e rinj. Çfarë mendoni ju?

Çdo zgjerim i BE-së është shoqërua me debate. Pas çdo vale të zgjerimit, ka pasur zëra kritikë që thoshin se kjo nuk është mënyra për të evoluar. Dhe se në vend të zgjerimit, BE-ja duhet të synonte një integrim më të thellë brenda vetes së saj. Megjithatë çdo zgjerim i BE-së, solli një rritje të zhvillimit ekonomike dhe forcim të sigurisë së Evropës.

Edhe sot jemi sërish në të njëjtin terren. Ukraina është një lojtare e rëndësishme, një vend i madh, dhe unë besoj se ka një ndryshim midis integrimit të një vendi më të vogël dhe një vendi më të madh. Por nëse e mendoni këtë zgjerim në aspektin e biznesit, Ukraina është një treg i madh, një kontribuues i madh në nxitjen e industrive evropiane, dhe ajo ruan të gjithë krahun lindor të Evropës.

Anëtarësimi është një çështje kompromisi, sepse duhet vendosur një ekuilibër midis rregullave dhe praktikave ekzistuese dhe anëtarit të ri që hyn. Por jam i sigurt se do të kemi sukses, pasi përfitimi strategjik nga anëtarësimi i Ukrainës në BE do të jetë më i madh se çdo lloj zëri kundërshtues.

A do të ishte Ukraina e hapur ndaj njërës prej atyre formave të integrimit gradual. Për shembull, fillimisht hyrjen në tregun e përbashkët dhe programeve të tjera, dhe më pas kalimit drejt anëtarësimit të plotë?

Ne nuk do të pranojmë asnjë gati-anëtarësim apo anëtarësimin si një Plan B. Kriteri i vërtetë për anëtarësim është pjesëmarrja në vendimmarrje – Komisioni, Parlamenti Evropian dhe të gjitha strukturat e tjera – dhe qasja në tregun e përbashkët, që tashmë është përfshirë në marrëveshjen tonë të asocimit me unionin.

Sepse mund të jesh brenda BE-së, dhe të mos jesh anëtar i zonës Shengen apo bashkimit monetar. Vetë natyra e BE-së parashikon njëfarë integrimi gradual, por qasja në tregun e përbashkët dhe pjesëmarrja politike, është në thelb të konceptit të anëtarësimit. Dhe ne nuk do të pranojmë asnjë skenar alternativ apo kompromis në lidhje me këto dy elemente.

A keni një kalendar të punëve që duhen kryer?

Sigurisht që njerëzve u pëlqen të bëjnë plane, por ju e dini thënien:Kur njerëzit bëjnë plane, Zoti qesh.

Kohët e fundit kemi dëgjuar mbi synimet e supozuara të Rusisë për ta ngrirë konfliktin, dhe se Putini dëshiron të negociojë. A është kjo një mënyrë për t’i dërguar një mesazh Ukrainës që  të dorëzohet?

Putin nuk dëshiron një konflikt të ngrirë apo paqe. Ata që sugjerojnë një konflikt të ngrirë, duke argumentuar se po veprojnë në interesin më të mirë të Ukrainës dhe botës, në realitet po e ndihmojnë Putinin dhe po shpërfillin atë që është Rusia e sotme. Gjatë viteve 2014- 2022 (gjatë luftës së Donbasit në lindje të vendit), ne patëm gati 200 raunde bisedimesh me Rusinë.

Arritëm 20 armëpushime, të cilat u shkelën që të gjitha nga Rusia. Dhe negociatat e pafundme u pasuan nga pushtimi në shkallë të gjerë i Putinit. Ka luftëra ‘bardh e zi’, ku njëra palë duhet të fitojë dhe pala tjetër duhet të humbasë. Dhe agresioni rus kundër Ukrainës është kjo lloj lufte. Ukraina duhet të fitojë. Rusia duhet të humbasë. Dhe i gjithë mendimi politik, duhet të përqendrohet rreth arritjes së këtij qëllimi.

A ka sugjeruar ndonjë nga aleatët tuaj ngrirjen e konfliktit?

Ky opsion nuk është në tavolinë. Aleatët tanë nuk na kanë kërkuar të negociojmë me Rusinë për të ngrirë luftën, as kur jemi ulur me delegacionet, dhe as në takime me dyer të mbyllura në një format më të reduktuar. Kjo nuk është diçka që dikush mund të guxojë ta vendosë në tavolinë. Gjithçka tjetër janë vetëm thashetheme.

Marrë me shkurtime nga El Pais/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë