Menaxhim

Pse ekonomia italiane ka mbetur në stanjacion prej 30 vitesh? Shërbimi taksi na ofron një ide

Nga Gazeta ‘Si’- Milano – Të gjesh një taksi në kryeqytetin financiar të Italisë kur bie shi, kërkon të qëndrosh në radhë të gjata dhe një durim të madh. Gjatë panaireve tregtare dhe sfilatave të modës, situata bëhet edhe më e vështirë: Kërkesa për këtë shërbim rritet, por numri i taksive mbetet i njëjtë.

Edhe në ditët me diell, sheh radhë të gjata udhëtarësh të ngarkuar me valixhe nëpër duar që kërkojnë të dëshpëruar një taksi në aeroportet dhe stacionet e trenit.

Ndërkohë shumë vendas, as që e marrin mundimin ta provojnë të gjejnë një të tillë. Taksistët italianë janë prej vitesh të mbrojtur nga konkurrenca, duke lobuar për të kufizuar numrin e licencave të taksive por edhe për të kufizuar kompanitë që ofrojnë ndarjen e kostos së udhëtimit me të tjerët si p.sh Uber.

Kryetarët e bashkive që përpiqen të sfidojnë kërkesat e shoferët e taksive, mund të përballen me greva dhe bllokime të rrugëve që i paralizojnë qytetet.

“Kjo pritje është qesharake, por çfarë mund të bëjmë?”- tha Marco Mariani, ndërsa ai dhe gruaja e tij po prisnin një taksi në sheshin qendror të Milanos.

Çifti bëri disa blerje me rastin e Krishtlindjeve, por nuk po gjente dot një taksi për t’u kthyer në hotelin e tyre. Pritja e gjatë për një taksi në Milano dhe Romë, është më shumë se sa thjesht një shqetësim. Shumë italianë e shohin problemin si një shembull të turpshëm të dështimit të vendit për të zgjuar nga gjumi ekonominë e tij sklerotike, që mezi është rritur paksa gjatë 30 viteve të fundit.

Një nga arsyet kryesore për stanjacionin ekonomik të Italisë, është fuqia e madhe grupeve që kanë interesa të caktuara. Ata arrijnë të pengojnë me sukses përpjekjet për të rritur konkurrencën, inovacionin dhe produktivitetin. “Shërbimi taksi, është një simptomë tipike e asaj që nuk funksionon në Itali”-thotë Gabriele Grea, profesor i ekonomisë në Universitetin Boçoni të Milanos, i specializuar në fushën e transportit.

Sipas Bankës Botërore, ekonomia e Italisë është sot 1.5 për qind më e vogël se në vitin 2007, para krizës financiare globale. Në të njëjtën periudhë, ekonomia e Gjermanisë është rritur me 17 për qind, ajo e Francës me 13 për qind, dhe e SHBA-së me 28 për qind.

Italia doli relativisht shpejt nga recesioni i thellë ekonomik i vitit 2020, i shkaktuar nga pandemia e Covid-19, duke nxitur për pak kohë shpresën vendi mund të dilte nga stanjacioni i gjatë  ekonomik. Mario Draghi, që ishte kryeministër i Italisë në vitet 2021-2022, u përpoq të kryente një sërë reformash, për të cilat disa ekonomistë dhe njerëz të biznesit thanë se mund ta ringjallnin ecurinë e ekonomisë.

Por përplasjet e brendshme në koalicionin qeverisës, sollën dorëheqjen e tij përpara se të viheshin në zbatim shumë nga ndryshimet e planifikuara. Inflacioni i lartë, përfshirë rritjen e çmimit të energjisë që pasoi pushtimin e Ukrainës nga Rusia, si dhe rritja e normave të interesit, e frenuan me shpejtësi rimëkëmbjen.

Sipas agjencisë kombëtare të statistikave, ekonomia italiane parashikohet të rritet këtë vit vetëm 0.7  qind, dhe po kaq edhe vitin e ardhshëm. Arsyeja kryesore e stanjacionit të gjatë ekonomik të Italisë, mund të gjurmohet tek mungesa e dukshme e meritokracisë, si në sektorët publikë ashtu edhe ata privatë, thotë Lorenzo Codogno, ekonomist dhe konsulent, që kohët e fundit ka botuar  një libër mbi rënien ekonomike të vendit.

Sipas tij, në një vend me një mungesë meritokracie, më i dukshëm është hendeku gjinor. Eurostat thotë se në Itali janë të punësuara vetëm 55 për qind e grave në moshë pune, niveli më i ulët në Bashkimin Evropian. Në Gjermani kjo shifër është 80 për qind, ndërsa në Francë 71 për qind.

Ndërsa norma e rritjes ekonomike mbetet shumë e ulët për shkak të faktorëve të ndryshëm, midis tyre edhe mungesa e kujdesit të përballueshëm për fëmijët, Codogno dhe ekonomistë të tjerë e vënë theksin tek normat kulturore në shtëpi dhe në vendin e punës, që detyrojnë shumë gra të heqin dorë nga karriera për të rritur fëmijët e tyre.

“Nëse politikanët, punëdhënësit dhe sindikatat, do të donin të ofronin mundësi të barabarta për të gjithë, ata do të kishin gjetur zgjidhje në mënyrë që punëtorët, meshkuj dhe femra, të mund të gjenin një përshtatje më të mirë midis punës dhe jetës familjare”- shton Codogno.

Tek mungesa e përparimit të shpejtë ekonomik të Italisë, po ndikon edhe një sistem me rrënjë të thella, i cili e vlerëson vjetërsinë në një punë mbi aftësitë e individëve. Dhe rezultati i kësaj mendësie, është se gati 21 për qind e italianëve të moshës 15-34 vjeç nuk janë të punësuar, nuk studiojnë ose nuk trajnohen, një nivel ky sërish më i larti në BE.

Sa për krahasim, e njëjta shifër në Francë është vetëm 13 për qind, ndërsa në Gjermani 10 për qind. Për dekada me radhë, Italia e ka pasur jo pak të vështirë të përmirësojë një sistem drejtësie shumë të ngadaltë, që po i largon investitorët e huaj, si dhe një ekonomi të madhe në të zezë, një nivel të lartë të borxhit kombëtar, një evazion fiskal kronik apo të ngushtojë diferencën të mëdha në pasuri midis veriut dhe jugut të vendit.

Nga ana tjetër, krahasuar me vendet e tjera perëndimore, Italia ka pak startup të suksesshëm ndërkombëtarisht, dhe tërheq më pak kapitale nga sipërmarrësit e huaj. Po ashtu, ajo mezi përfshihen  në renditjen kryesore të 100 universiteteve më të mira në botë, ndërsa të rinjtë italianë të shkollave të mesme, kanë një përgatitje më të dobët sesa shumica e vendeve të tjera të zhvilluara.

Plazhet italiane ofrojnë një tjetër shembull të mungesës së konkurrencës dhe rezistencës ndaj ndryshimit. Vit pas viti, të njëjtat biznese u paguajnë autoriteteve publike një tarifë të vogël për koncesione fitimprurëse, për të marrë me qira çadra dhe shezllonë për plazhistët.

BE-ja është ankuar për mungesën e tenderëve publikë konkurrues, dhe për të ardhurat e vogla që mbledh qeveria italiane për gjithë ato privilegje që u ofron privatëve. Problemet në plazhe por edhe më shërbimin taksi, tregojnë se ato janë kryesisht të lidhura me ligjet e këqija dhe jo me ndonjë mungesë të natyrshme të talenteve apo sipërmarrjes në vend, thotë Carlo Maria Capè, shef ekzekutiv i BIP, kompani që këshillon bizneset në Evropë dhe Amerikën e Jugut mbi përdorimin e teknologjisë.

“Rregullat në fuqi në Itali e bëjnë të vështirë ndryshimin. Por nëse kompanitë e vogla dhe të mesme, që përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë, lejohen që të punojnë, ato do t’i përshtaten ndryshimeve në treg”- thekson Capè. Shoferët e taksive kanë nxitur me sukses miratimin e ligjeve që i mbajnë të kufizuara shumë nga aplikacionet e udhëtimit si Uber.

Drejtuesit e Uber-it në Itali, duhet të jenë të licencuar dhe të kenë një makinë luksoze, gjë që e bën shërbimin më të shtrenjtë se një taksi normale dhe kësisoj e zbeh tërheqjen e tij për shumicën e përdoruesve të mundshëm. Në shumë qytete italiane, shoferët e taksive kanë bllokuar dhënien e licencave të reja të taksive gjatë 2 dekadave të fundit, duke mbrojtur vlerën e patentës së tyre, por duke e bërë të vështirë gjetjen e një taksie për të shkuar diku.

Por me këtë sjellje, ata po e humbasin simpatinë e italianëve. Shoqatat e shoferëve të taksive, ankohen se nuk do të fitojnë mjaftueshëm sa për të mbijetuar nëse do të hapet tregu i tyre. Por një shofer taksie nga Bolonja, u bë një hero në mediat sociale kur e sfidoi këtë narrativë duke postuar në platformën X aktivitetin e tij të përditshëm.

Popullariteti i tij u rrit akoma më shumë këtë muaj, kur kompania ku bënte pjesë e pezulloi  për një javë nga puna për cenim të imazhit të saj. Dhënia e më shumë licencave, nuk do ta zgjidhte vetvetiu problemin e shërbimi taksi thotë Grea.

“Ajo është një parakusht, por neve na duhet një strategji e përgjithshme për të përmirësuar lëvizshmërinë në qytetet italiane, dhe kjo duhet të përfshijë si transportin publik ashtu edhe atë privat. Nëse zgjidhet ky ngërç, njerëzit do të shohin se ndryshimi është i mundur”- thekson eksperti.

Burimi: Wall Street Journal/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë