Interviste

Ambasadorja e Izraelit: S’mund ta pranojmë propozimin e Ramës (dhe diçka për myslimanët shqiptarë)

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galet Peleg, gjatë një interviste në emisionin “Pa Censurë” të Elona Meços, deklaroi se propozimi i kryeministrit Edi Rama për mbarëvajtjen e situatës pas mbarimit të luftës duhet të plotësojë tre kushte.

Sipas ambasadores Peleg tre kushtet janë lirimi i të gjitha pengjeve nga Hamasi, moskontrolli i Gazës nga Hamasi dhe që çdo zgjidhje duhet të ketë masa sigurie për Izraelin.

“Çdo zgjidhje që do të pranohet pas luftës, duhet të marrë në konsideratë tre kushte dhe mendoj që kryeministri Rama e kuptoi shumë mirë.

1. Që pengjet duhet të lirohen. Të gjithë! Pa kushte!

2. Që Hamas-i të mos e kontrollojë Gazën.

3. Çdo zgjidhje duhet të përfshijë masa sigurie për Izraelin”-tha Ambasadorja.

Më tej diplomatja izraelite foli edhe për myslimanët e Shqëipërisë të cilët edhe kanë tubuar pro Palestinës.

“Unë njoh shumë myslimanë, edhe në Shqipëri. Jam e sigurtë se asnjë prej tyre nuk do të binte dakord që të vriteshin foshnja në emër të islamit, apo t’u priten kokat njerëzve në emër të islamit, ose të përdhunohen gra në emër të islamit”-tha Peleg.

Ju thatë pak më parë se ndiheni e kënaqur që jeni në Tiranë, për shkak edhe të sigurisë që ju jep Shqipëria. Kjo e përjashton pyetjen time, nëse izraelitët këtu mund të ndihen të kërcënuar në njëfarë mënyre?

Ambasadorja e Izraelit: Së pari, nuk ka shumë hebrenj në Shqipëri. Janë disa, por nuk besoj se ndihen të kërcënuar. Jua them dhe pse. Mund t’ju them personalisht se pas 7 tetorit mora një numër të madh mesazhesh, ngushëllime, njerëz që thonë “ne jemi me ju”, “ne ju mbështesim”, “ne ju kuptojmë”. Ishte diçka e mrekullueshme. U mburresha kolegëve të mi, ambasadorëve të tjerë në vende të tjera, sepse shumë njerëz na mbështesin dhe janë dakord me Izraelin. Por edhe nëse ka pak njerëz që nuk bien dakord me Izraelin, qëndrimi nga presidenti tek qeveria, në parlament, pavarësisht nëse janë në opozitë ose maxhorancë, autoritete të ndryshme, kemi marrë kaq shumë mbështetje, por edhe nga njerëzit në rrugë. Prandaj mund të them se jo, nuk shoh kërcënim këtu.

 Jua bëra këtë pyetje, sepse këtu në Shqipëri u mbajtën 2-3 protesta në mbështetje, siç u tha, të popullit palestinez. Besoj ju ranë në sy pankartat e tyre për krimet e luftës apo genocidit të Izraelit në Gaza. Keni informacion për rritje të ndjenjave antisemite në Shqipëri?

Ambasadorja e Izraelit: Së pari dua të sqaroj se nuk ka genocid. Janë lajme të rreme që po qarkullojnë, në mënyrë që të përhapin një reputacion të keq për Izraelin. Si mund të ketë genocid, kur numri i palestinezëve dyfishohet çdo vit?! Nuk ka genocid. Izraeli nuk ka asnjë problem me popullin palestinez. Mund t’ju them edhe më shumë. Si ambasadore këtu, nuk kam asnjë problem me protestat pro palestineze. Është ok të jesh pro palestinez. Është ok të jesh pro izraelit. Kushdo mund të ketë opinionin e vet, përsa kohë nuk sulmon palën tjetër me të drejtën për të ekzistuar. Nuk mendoj se antisemitizmi po rritet në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria është akoma si një perlë, si një rreze drite në atë se çfarë po ndodh sot në Europë. Mendoj që është shumë, shumë i rëndësishëm pozicioni i qeverisë, i policisë dhe siç e thashë, i parlamentit. Nuk është çështje e Partisë Socialiste apo Partisë Demokratike. Mendoj se antisemitizmi nuk ekziston këtu. Ne folëm për ADN-në, antisemitizmi nuk ekziston në AND-në e shqiptarëve. Kur flasim për fenë, njerëzit nuk janë radikalë dhe vërtet shpresoj që ata elementë radikalë nuk do të inflitrohen në Shqipëri. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me të gjitha fetë këtu dhe do të doja të vëzhdonte kështu.

Protestat që u organizuan në Tiranë kishin pankarta që dënonin, siç thashë, genocidin dhe krimet e luftës së Izraelit në Gaza, por a kanë ato edhe karakter fetar, duke qenë se janë organizuar përgjithësisht nga organizata islamike? 

Ambasadorja e Izraelit: Jam e sigurtë që kanë. Por siç e thashë, mendoj se shqiptarët nuk janë radikalë. Nuk ka rëndësi se cilit besim i përkasin. Dhe shpresoj se nuk do të ndikohen nga radikalët. Dua të them diçka që e kam thënë që prej nisjes së kësaj lufte. Nëse je mysliman, duhet të jesh i pari që duhet të dënosh Hamas-in. Sepse emri i tij është Lëvizja e Rezistencës Islame. Gjithçka ata thonë se e bëjnë në emër të islamit. Unë njoh shumë myslimanë, edhe në Shqipëri. Jam e sigurtë se asnjë prej tyre nuk do  të binte dakord që të vriteshin foshnja në emër të islamit, apo t’u priten kokat njerëzve në emër të islamit, ose të përdhunohen gra në emër të islamit. Pra, nëse ka elementë që duan ta trajtojnë si diçka të fesë myslimane, mendoj se janë shumë gabim. Ata duhet të jenë të parët që të thonë se kjo nuk na përfaqëson. Prandaj them se qëllimi ynë për të eliminuar Hamas-in nga Gaza nuk është vetëm për Izraelin, por edhe për palestinezët në Gaza, për myslymanët në Gaza.

Por ata e kanë votuar Hamas-in.

Ambasadorja e Izraelit: Askush nuk është naiv që të mendojë se nuk ka mbështetës të Hamas-it në Gaza. Keni absolutisht të drejtë. U mbajtën zgjedhje dhe ata fituan. Pa hile. Kjo nuk e ndryshon faktin që ata po vuajnë. Shikoni, një shembull shumë të vogël. Ata po luten që ndihmat humanitare të hyjnë në Gaza. Ndihma humanitrare po shkon në Gaza dhe ku po shkon? Po shkon në duart e Hamsa-it. Ata po ua japin ndihmat njerëzve të tyre ose ndjekësve të tyre. E dini sa para janë dhënë për Gazën çdo vit? Miliarda euro janë derdhur në Gaza. Si ka mundësi që nuk është bërë dot Singapori i Lindjes së Mesme? Sepse  paratë e tyre i ka marrë Hamas-i. Ku jetojnë udhëheqësit e tyre? Ata kanë vila në Gaza, por jetojnë në Katar, në Doha, jetojnë në hotele luksoze në Ankara dhe në Stamboll. Ata nuk rrinë në Gaza.

Meqë jemi tek Stambolli. Unë këmbëngula tek çështja fetare, pasi presidenti turk, rreth 2 javë më parë deklaroi se rënia e Gazës do të jetë një plagë e thellë për unitetin e botës islamike. Po përdoret feja islame për nxitjen e urrejtjes?

Ambasadorja e Izraelit: Fatkeqësisht, Presidenti i Turqisë e shfrytëzoi këtë rast për të prompovuar veten. Ai ka thënë gjëra të tmerrshme për Izraelin dhe është ndër pak, fare pak udhëheqës  në botë që mbështet Hamas-in. Hamas-i është një organizatë terroriste. Nëse je mik me Hamas-in, nuk mund të konsiderohesh si një udhëheqës serioz që vërtet do që të arrish diçka. Tani, në lidhje me Gazën si një plagë për islamin, ku ishte ai 2 muaj më parë? Ku ishte ai në 6 tetor? Pra, dua të them pse nuk e ndaloi Hamas-in për të mos bërë atë që bëri?

Ndoshta nuk e dinte?

Ambasadorja e Izraelit: Ai nuk e dinte?! Ai është miku më i ngushtë i Hamas-it. Izraeli nuk ka ambicie për të kontrolluar Gazën. Ne u tërhoqëm nga Gaza në 2005-ën dhe nuk kemi arsye të kthehemi atje. Prandaj, Gaza nuk do të bjerë në duart e Izraelit. Izraeli do që të eliminojë Hamas-in, të kthejë pengjet në atdhe dhe të ikim nga Gaza. Ne nuk duam asnjë ushtar në Gaza. Nuk duam të vëmë në rrezik asnjë izraelit, por ne nuk do të tolerojmë që, në të ardhmen, të vazhdojmë të bashkëjetojmë me një organizatë naziste terroriste që provoi se mizoria e saj shkon përtej çdo imagjinate.

Qëllimi i deklaruar i luftës që Izraeli po bën në Gaza është shkatërrimi i Hamas-it, gjë që duket pak realiste. Sepse Hamasi nuk është vetëm një forcë fizike, e përbërë nga disa individë, udhëheqës politikë apo ushtarakë që mund të vriten. Organizata është një ide dhe idetë nuk vriten dot, por ka dhe financa të forta, siç thatë ju, financohet miliarda euro. Si do ta shkatërroni Hamas-in, sa do të zgjasë lufta?  

Ambasadorja e Izraelit: Së pari, ne e kemi përgatitur veten për një luftë të gjatë. Ne nuk e dimë se kur do të mbarojë. Nuk e di se cila do të ishte pamja e fitores që ju po kërkoni, por mund t’ju them se jam dakord me ju që nuk mund të mbarosh shpejt punë me Hamas-in. Është si një gjarpër që i pret kokën dhe rritet sërish. Jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Idea është që të shkatërrojmë aftësinë ushtarake në Gaza, kështu që ata nuk mund të veprojnë nga Gaza. Të shkatërrojmë selitë e tyre, armët dhe të shkatërrojmë zinxhirin e komandimit, në mënyrë që organizata të mos ketë mundësi të funksionojë në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ne po punojmë me të gjitha qeveritë në botë, në mënyrë që të kontrollohet furnizimi me para që ata marrin, pra financimi.

Në lidhje me financimin. Pak ditë më parë, ambasadori i Izraelit në OKB akuzoi George dhe Alexander Soros, se financojnë organizata pro Hamasit, që kërkojnë shkatërrimin e Izraelit. Sa të besueshme janë këto deklarata, kur George Soros është vetë hebre? Pse do t’i interesonte kjo?

Ambasadorja e Izraelit: Nuk jam një specialiste për Sorosin, as për të shkuarën e tij dhe as për aktivitetin e tij aktual. Mund të them se nuk është hera e parë që ka kritika për aktivitetin e tij në Lindjen e Mesme, pra për fondacionin e tij, jo për të personalisht. Fakti që ai është hebre nuk do të thotë asgjë. Ka hebrenj që punojnë kundër Izraelit dhe kjo nuk të jep një certifikatë sigurie. Ka organizata që e prezantojnë veten si liberale, progresiste, pro njerëzve, por kur shikon më thellë se çfarë bëjnë ato, gjen se ata po financojnë edhe aktivitet anti-izraelit. Prandaj mendoj se këtë ka dashur të thotë ambasadori. Nuk mendoj se ka dashur të thotë që Soros po financon terrorin. Por mjafton që ka organizata të cilat brohorasin “që nga lumi deri në det, Palestina do të jetë e lirë’. Çfarë do të thotë “që nga lumi deri në det”, pra që nga lumi Jordan deri në detin Mesdhe. Çfarë ka në mes të lumit Jordan dhe detit Mesdhe? Është Izraeli. Nëse bërtet “nga lumi në det”, në fakt, po thua me fjalë të tjera se dua të shkatërroj Shtetin e Izraelit. T’ju them se këto George Soros ia thotë vetes çdo mëngjes? Nuk mendoj së është kështu, por nëse ai mbështet organizata që bërtasin këtë parrullë, atëherë, në mënyrë indirekte, ai po mbështet një organizatë që është kundër Izraelit.  

Kryeministri Rama ka propozuar një koalicion shumëkombësh të Ligës Arabe dhe Turqisë, me mandat të OKB-së, që, kur të mbarojë lufta, të marrë kontrollin e Gazës dhe  të bëjë kalimin e qeverisjes nga Hamas-i tek Autoriteti Palestinez. Cili është qëndrimi i qeverisë së Izraelit për këtë propozim, kur dihet se Izraeli nuk është dakord që Autoriteti Palestinez të marrë kontrollin e Gazës?

Ambasadorja e Izraelit: Pata një takim me kryeministrin, gjithashtu edhe me Ministrin e Jashtëm. Ishte një takim shumë i mirë. Së pari, dua të them se ne e vlerësojmë shumë qëndrimin shumë të fortë të kryeministrit dhe qeverisë së tij në lidhje me përkrahjen e Izraelit kundër terrorit dhe për dënimin shumë qartë të Hamas-it. Jo çdo udhëheqës, për fat të keq, ishte mjaftueshëm kurajoz për ta thënë këtë. Kështu që kjo është diçka që ne e vlerësojmë shumë, pra, pozicionin shumë të qartë të kryeministrit. Gjithashtu, ne vlerësojmë që ai është i përfshirë dhe përpiqet të gjejë një zgjidhje. Më duhet të them se në këtë moment, ne nuk po shohim për ditën që vjen pas mbarimit të luftës. Po shohim se çfarë duhet bërë tani, sepse gjëja më e rëndësishme për ne është që të kthejmë në shtëpi të gjithë pengjet dhe të sigurohemi që Hamas-i nuk është më në Gaza. Çdo zgjidhje që do të pranohet pas luftës, duhet të marrë në konsideratë tre kushte dhe mendoj që kryeministri Rama e kuptoi shumë mirë. 1. Që pengjet duhet të lirohen. Të gjithë! Pa kushte! 2. Që Hamas-i të mos e kontrollojë Gazën. 3. Çdo zgjidhje duhet të përfshijë masa sigurie për Izraelin. Tani, pyetja e madhe është: kush mund të jetë mjaftueshëm i fortë dhe të japë siguri që këto kushte do të përmbushen? Ajo që ne mendojmë tani është se Autoriteti Palestinez është tepër i dobët. Nuk është se ne nuk duam që ata të kontrollojnë Gazën në të ardhmen. Gaza është palestineze, kështu që do të ishte e natyrshme që Autoriteti Palestinez ta kontrollojë. Çështja është a janë ata mjaftueshëm të fortë tani që të sigurojnë se Hamas nuk kthehet psh. brenda 3 javësh? I thashë kryeministrit Rama se, kur Presidenti i Turqisë deklaron se Hamas-i është luftëtar i lirisë dhe Izraeli është terrorist, nuk mendoj se Izraeli do të bjerë dakord që ai të jetë njeriu, i cili do të na japë sigurinë se Hamas-i nuk do të jetë më në Gaza. Mendoj se nuk mund të nxjerrim të gjithë letrat mbi tavolinë përpara se lufta të mbarojë. Ne kemi një mision shumë të rëndësishëm dhe dua ta përdor këtë platformë për t’ju treguar një fotografi, se pse lufta duhet të mbarojë dhe pse ajo nuk mund të mbarojë përpara se këta fëmijë të kthehen në shtëpi. Ne akoma kemi pengje në Gaza. Ky foshnjë, e ka emrin Kfir. U çua në 7 tetor në Gaza me vëllanë Ariel. Atëherë ishte 9 muajsh. Sot është 11 muajsh. E kanë marrë bashkë me të ëmën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë