Nga Gazeta 'Si'- Me orë të tëra pjesëmarrësit në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork u përpoqën të arrinin një përmbajtje që të ishte e pranueshme për të gjithë. Por në fund rezoluta dështoi në dënimin e aktit terrorist të Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit.
Dështoi në këtë fjali të vetme, deklaroi zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood që e ngriti dorën për të vendosur veton kundër rezolutës: "Jemi të zhgënjyer, që autorët e rezolutës nuk kanë shprehur ngushëllimin për viktimat e sulmit të neveritshëm, dhe nuk kanë dënuar vrasësit e tyre. Kjo është e pabesueshme."
Wood kritikoi që nuk është përmendur në deklaratë dhuna e seksualizuar e militantëve të Hamasit. Hamasi kategorizohet nga SHBA, Gjermania, BE e disa vende arabe si organizatë terroriste. Në një kohë që Këshilli i Sigurimit në 20 vitet e fundit ka theksuar në mënyrë të përsëritur, se një dhunë e tillë në konflikte të tilla duhet të merret seriozisht, u shpreh Wood.
Po ashtu i dërguari amerikan në Këshillin e Sigurimit u shpreh, se deklarata nuk njeh të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Një armëpushim i përkohshëm nuk mund të kthehet në këto kushte në një paqe të qëndrueshme.
"Një ndalim i misionit ushtarak izraelit do t'i mundësojë Hamasit të vazhdojë sundimin e tij dhe të vendosë farën për luftën e ardhshme", theksoi Wood. Ndërkohë përpjekjet diplomatike vazhdojnë. Kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken zhvilloi bisedime me homologë nga vendet arabe. SHBA kanë theksuar, se iniciativa të tilla mund të rrezikojnë përpjekjet diplomatike në vend.
Takimin e Këshillit të Sigurimit e nxiti Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përmes një mase të pazakontë. Guterres i ishte referuar nenit 99 të Kartës së OKB-së. Ky instrument i lejon atij të ndërhyjë në agjendën e Këshillit të Sigurimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.