Nga Gazeta ‘Si’-Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj ka korrigjuar lajmin e publikuar nga Zëri i Amerikës se edhe nisja e zbatimit të programit IPARD III në mbështetje të bujqësisë shqiptare, është pezulluar.
E ftuar në emisionin “Debat” në A2CNN, Denaj sqaroi se nuk bëhet fjalë për pezullim, por për lënie në pritje të programit në një kohë kur të gjitha proceset janë në monitorim të plotë.
Pasi VOA raportoi se vendimi pason ndërprerjen në muajin korrik të rimbursimeve në kuadër të IPARD II, si shkak i hetimeve të ndërmarra mbi akuzat për korrupsion, Denaj theksoi se është shumë e rëndësishme që të sqarohet terminologjia e përdorur në letrën e delegacionit të BE-së rreth kësaj çështjeje sensitive.
Sipas saj, bëhet fjalë për një masë preventive, që nuk është marrë vetëm në Shqipëri, derisa vendi të jetë gati edhe për përmirësimin institucional.
Të njëjtën gjë Denaj theksoi edhe para disa ditësh në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ku tha se fjala bllokim nuk ështe termi i duhur, por ngadalësim.
“Afati i IPARD II përfundon në dhjetor dhe kemi bërë të gjithë praktikën për IPARD III të dorëzuar siç e kanë bërë edhe vendet e tjera të rajonit”, tha ajo në komision.
Së dyti, sa i përket raportit të dorëzuar nga OLAF pranë KE-së ku përmenden 71 raste të parregullsive, Denaj sqaroi se bëhet fjalë për raste të raportuara nga vetë Shqipëria gjatë vitit 2022.
“Në progres-raportin e KE-së, që është një ndër më të mirët që është bërë për Shqipërinë ndër vite. Kur vjen çështja e 71 rasteve, thuhet Shqipëria në vitin 2022, raportoi 71 raste të parregullsive.”
Dhe, diferenca këtu sipas saj, është se janë krijuar kushtet për t’u mundësuar raportime të parregullsive nga vetë strukturat e brendshme të vendit.
“Në strukturat e brendshme të monitorimit, të cilat kanë qenë një punë e vazhdueshme e institucioneve, dhe jo vetëm e ministrisë së bujqësisë, të raporteve të auditit në veçanti, kanë krijuar një parakusht për të mundësuar atë që quhet ëarnings apo raportime për parregullsi nga vetë strukturat e brendshme.”
Megjithatë, Denaj shtoi se ka ende vend për përmirësim dhe kërkohet një bashkëpunim akoma më i madh mes strukturave për përmirësimin e investigimit.
Ndërsa, sa i përket pyetjes se kur mund të “zhbllokohen” këto programe të financimit për bujqësinë, ajo sqaroi se në veçanti, programi IPARD III ka 9 masa dhe kjo, siç u shpreh ajo, kërkon më shumë kohë, institucione më të forta dhe disa mësime rreth kapaciteteve institucionale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.