Lojëra me Dore

Rafael Nadal largon çdo dyshim për të ardhmen: Do të kthehem të luaj tenis

Gazeta Si – Pasi ka humbur thuajse gjithë 2023-shin për shkak dëmtimesh që e kanë ‘torturuar’, tenisti spanjoll është shfaqur optimist për rikthimin në fushë. ‘Nuk mund ta them ende se kur do të jem në fushë përsëri, por jam i lumtur”, – ka thënë ai.

Rafael Nadal nuk është ende gati t’i thotë lamutumirë tenisit. Kampioni nga Majorka ka qenë larg fushave praktikisht gjatë gjithë këtij sezoni, sepse dëmtimet nuk e kanë lejuar. Ai ka folur për rikuperimin në një konferencë shtypi në Barcelonë, gjatë prezantimit të ‘Teknon Tennis Clinic’.

“Nëse doni të dini diçka të re, që nuk e kam thënë, është se nuk e dija nëse një ditë do të luaja sërish tenis, kurse tani besoj sinqerisht se do të luaj. Nuk jam ende në gjendje ta them kur dhe ku me saktësi, por jam i lumtur për mënyrën si po shkojnë gjërat”, – u shpren Nadal.

Pas njoftimit të organizatorëve të Australian Open (ku ka luajtur ndeshjen e fundit më 18 janar 2023), është e paevitueshme të mendosh që rikthimi mund të jetë pikërisht në Slam-in e parë të 2024-ës, por Nadal nuk nxitohet: “E kuptoj interesin e lajmit, por kur ta di me siguri se kur do të kthehem, do ta them.

Jam i ndërgjegjshëm se do të jetë e vështirë të kthehem të jem një lojtar i nivelit të lartë, por nëse nuk do doja të isha kompetitiv, nuk do të bëja atë që kam bërë këto muaj. Nuk do të vazhdoja të lodhesha kot, në moshën time duhet për të qenë kompetitiv. Karriera ime ka qenë e gjatë dhe nuk e mohoj faktin se vitet peshojnë”.

“Gjokoviçin me 24 Slam-e nuk e kaloj dot, – thekson më tej spanjolli, – nuk besoj se jam në pozicionin se mund të aspiroj për këtë arritje. Jetoj në një realitet ndryshe, nuk luaj prej një viti dhe për mua sukesi është që të mbaj entuziazmin dhe të kthehem në fushë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë