Nga Judy Dempsey-Lufta e re midis Izraelit dhe Hamasit javët e fundit, e bën më pak të zbatueshme se kurrë më parë zgjidhjen me krijimin e 2 shteteve të veçanta. Arritja e paqes midis 2 popujve kërkon vullnet politik, kompromis dhe iniciativë nga komuniteti ndërkombëtar. Ja çfarë mendojnë disa analistë të njohur mbi këtë çështje:
Muriel Asseburg, bashkëpunëtor mbi çështjet e Afrikës dhe Lindjes së Mesme në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP):
Konflikti izraelito-palestinez, që ishte frenuar disi nga Marrëveshja e Oslos, është rikthyer sot në një konflikt ekzistencial mbi të gjithë Palestinën që dikur menaxhohej nga britanikët. Deri më sot komuniteti ndërkombëtar është mjaftuar me menaxhimin e krizave.
Por mizoritë e kryera nga Hamasi dhe militantët e tjerë më 7 tetor, numri i paprecedentë i vdekjeve, shkatërrimi i shkaktuar nga Lufta në Gaza, dhe rreziku i lartë i një lufte më të gjerë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, nënvizojnë se nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme pa një marrëveshje që njeh nevojat e sigurisë, aspiratat kombëtare por edhe dinjitetin njerëzor të izraelitëve dhe palestinezëve.
Ky mirëkuptim, duhet të ndihmojë në fokusimin e aktorëve përkatës – mbi të gjitha SHBA-së, Evropës dhe shteteve arabe – që të bashkojnë më në fund forcat dhe të arrijnë fillimisht një marrëveshje mbi Gazën, dhe më pas një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Palestinës.
Në fakt, një ndarje në 2 shtete, është bërë sot edhe më i pamundur se sa ishte më parë. Nëse aktorët ndërkombëtarë do të arrijnë të grumbullojnë vullnet dhe kapital të mjaftueshëm politik për të treguar rrugën që duhet ndjekur, për t’i nxitur palët në një proces të ndërmjetësuar fuqishëm dhe për ta arritur në fund atë, ata mund ta arrijnë një rezultat të tillë.
Caroline De Gruyter, korrespondente për çështjet evropiane për “NRC Handelsblad“:
Zgjidhja me krijimin e 2 shteteve të veçanta, është e vetmja rrugë e mundshme drejt arritjes së paqes që qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve. Për Izraelin, të jetuarit në një shtet me palestinezët është diçka e papranueshme. Sepse me normën aktuale të lindjeve, një ditë hebrenjtë mund të jenë më të paktë në numër.
Për këtë arsye Izraeli investoi shumë procesin e paqes në Oslo në vitet 1990, që i dha Palestinës një farë autonomie graduale. Por ajo nuk evoluoi kurrë deri tek pavarësia. Një nga arsyet, është ndërtimi i vazhdueshëm i vendbanimeve të Izraelit dhe izolimi ushtarak i palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Fshatrat palestineze janë të shpërndara gjithandej, dhe të ndarë me gardhe nga njëri-tjetri. Argumenti se vendbanimet janë të përhershme është i rremë. Kur jetova atje në vitet 1994-1999, shumë izraelitë u vendosën në tokat palestineze në Bregun Perëndimor, sepse ishte një lloj periferie e subvencionuar, e papastër, pranë Tel Avivit dhe plazhit.
Autostradat mundësonin një udhëtim të lehtë për në punë apo në kinema. Madje atje njoha shumë kolonë të majtë, që votonin për partinë Meretz, e cila thoshte që nëse një ditë do të kishte paqe, mbështetësit e saj do të shkonin të jetonin me kënaqësi në atë zonë. Qeveria do t’i blinte ato toka, siç bëri në Sinai dhe më vonë në Gaza.
Sigurisht, tani atje jetojnë edhe shumë kolonë fetarë dhe ekstremistë. Largimi i të gjithë atyre kërkon vetëm një gjë: vullnet politik, i cili deri tani ka munguar shumë. Dhe mjerisht unë dyshoj se do ta shohim atë në të ardhmen e afërt.
Bruno Maçães, analist dhe korrespondent i çështjeve ndërkombëtare në “New Statesman”:
Unë nuk besoj se është më e mundur një zgjidhje me dy shtete, siç do të ishte e dëshirueshme nga shumë njerëz. Rreth gjysmë milioni kolonë izraelitë, jetojnë tashmë në Bregun Perëndimor. Popullsia palestineze po dëbohet nga shtëpitë e tyre, dhe ndërsa ne flasim, kolonët po ndikojnë gjithnjë e më shumë tek sjellja e qeverisë izraelite.
Një zgjidhje me dy shtete, do të varej gjithmonë nga një ekuilibër fuqie midis dy palëve, dhe tani Izraeli ndihet aq shumë i fuqishëm, sa që nuk e ndjen më të nevojshme të bëjë kompromis. Ajo që pashë në vizitën time të fundit në Bregun Perëndimor një vit më parë ishin një dëshpërim i madh.
Për fat të keq, e pamundur është edhe një zgjidhje me një shtet të përbashkët. Pas sulmeve brutale nga Hamasi muajin e kaluar, po afrohet skenari i një dëbimi përfundimtar të palestinezëve nga Gaza, dhe madje edhe nga Bregu Perëndimor. Aktualisht mund të jemi duke parë grahmat e fundit të ëndrrës kombëtare palestineze.
Marwan Muasher, zv/president për studimet në programin e Lindjes së Mesme në institutin e mendimit “Carnegie Endowment for International Peace”:
Cilat janë kushtet, në të cilat mund të jetë ende e mundur në teori një zgjidhje me dy shtete?
Së pari, duhet një SHBA e aftë dhe të gatshme që të udhëheqë një iniciativë jo drejt një procesi tjetër të hapur, në të cilin asnjëra nga palët nuk beson më, por një proces ku të përcaktojë apriori rezultatin përfundimtar.
Pra dhënien fund të pushtimit izraelit të zonave palestineze, në mënyrë që më pas të punohet për një proces për ta arritur paqen. Dhe të gjitha këto duhen kryer në një vit zgjedhor.
Së dyti, duhet një qeveri e re izraelite, e cila jo vetëm të zëvendësojë koalicionin aktual të vijës së ashpër, por një qeveri që të jetë e gatshme të pranojë një tërheqje përgjatë kufirit të vitit 1967. Pra të ketë një prishje të konsiderueshme të vendbanimeve, ku numri i kolonëve është sot mbi 750.000. Dhe kjo duhet bërë në një atmosferë, ku opinioni publik aktual izraelit është më i ashpër se kurrë më parë pas operacionit të Hamasit më 7 tetor.
Së treti, lipset një udhëheqje e re palestineze, e cila duhet të dalë përmes zgjedhjeve në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gaza, dhe që të ketë mundësi të nënshkruajë në mënyrë legjitime një marrëveshje në emër të palestinezëve.
Por fakti është se zgjedhje të tilla nuk janë me interes për asnjërën nga palët. Në këto kushte a janë zero shanset për një kompromis? Jo. A ka gjasa të jenë afër tij? Jo. Një zgjidhje me dy shtete ekziston vetëm në teori. Në praktikë, kjo ide ka vdekur shumë kohë më parë.
Tessa Szyszkowitz, kuratore në forumin “Bruno Kreisky” për Dialogun Ndërkombëtar me seli në Vjenë:
Në vitin 1993, udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yassir Arafat përqafoi zgjidhjen me 2 shtete, ashtu si edhe kryeministri i atëhershëm i Izraelit, Yitzhak Rabin. Atë vit u firmosën Marrëveshjet e Oslos, dhe në vitin 1994 Çmimi Nobel për Paqe iu dha Rabin, Arafat dhe Shimon Peres, që ishte edhe truri i asaj marrëveshjeje historike.
Ideja – një shtet për izraelitët dhe një tjetër për palestinezët – ishte plani i parë që e bënte të dukej si një zgjidhje për një konflikt të pafundmë dhe të kushtueshëm mes dy popujve,të cilët pretendonin se e njëjti territor, mund të ndahej me një marrëveshje reciproke.
Por pakti nuk mjaftoi, dhe dështoi zbatimi i tij. Tridhjetë vjet më vonë ka pak shpresë për një zgjidhje të tillë. Sot një pjesë e shoqërisë palestineze, kryesisht ajo e drejtuar nga Hamasi në Gaza, është më shumë pro linjës së dhunës.
Në vend të ndërtimit të besimit, qeveritë e njëpasnjëshme izraelite kanë ndërtuar më shumë vendbanime në ato pjesë të Bregun Perëndimor të pushtuara nga ushtria por edhe në Jerusalemin Lindor. Ndërkohë janë rreth 700.000 izraelitë që jetojnë midis 3 milionë palestinezëve në tokën e caktuar për krijimin e një shteti palestinez.
Që nga masakra e 7 tetorit e deri 1.400 civilëve nga Hamasi në kibucët izraelitë, dhuna e ka diktuar trajektoren e këtij konflikti. Izraeli po bie në kurthin e ngritur nga Hamasi. Një muaj pas sulmit, nuk ka shumë njerëz që besojnë se do të jetë e mundur ndonjëherë një bashkëjetesë paqësore.
Por ndoshta kjo katastrofë do të çojë përfundimisht në një mendim të ri për planet e paqes. Filozofi hebre austriak Martin Buber, mendoi për një shtet dy-kombëtar që në vitin 1946. Mendimtarët palestinezë dhe ata izraelitë – mes tyre Bashir Bashir, Leila Farsakh dhe Avraham Burg – i kanë risjellë kohët e fundit në vëmendje këto ide, duke i shqyrtuar si alternativa ndaj ndarjes së përhershme.
Ata ngritën pyetjen:”Po sikur vetëvendosja për izraelitët dhe palestinezët, të mos bazohet domosdoshmërisht tek një territor i caktuar por tek të drejtat e qytetarëve? Ndërmjetësuesit dhe paqe-kërkuesit duhet ta mbajnë mendjen e hapur dhe të mos heqin dorë nga një zgjidhje paqësore. Sepse alternativa është një lufta e pafundme.
Marrë me shkurtime nga “Carnegie Europe”/ Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



