Drejtësia

Braktisi në garazhin e pallatit foshnjen e porsalindur, gjykata liron nga qelia 30-vjeçaren: I dashuri më la, familja nuk do e pranonte

Nga Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për 30-vjeçaren që braktisin foshnjën e saj në garazhin e një pallati në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Avokati i saj ka kërkuar kryerjen e një akt eskpertimi psikik, për të vlerësuar gjendjen mendore të saj.

Ngjarja e rëndë u regjistrua katër ditë më parë, kur foshnja e seksit mashkull u gjet në një divan në garazhin e pallatit. Foshnja u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë të nesërmen. Në momentin që është dërguar në reanimacion foshnja ka qenë i mbuluar me gjak e baltë.

Foshnjës i është konstatuar hipotermi e thellë, gërvishtje e syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë, të cilat u evidentuan pas larjes së bebes. Pas ngjarjes, policia arrestoi nënë 30-vjeçare e cila ka deklaruar se ishte e pamartuar dhe se kishte fshehur shtatzëninë nga familja e saj.

30 vjeçarja e ka marrë vesh në gjykatë lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të foshnjës së porsalindur. Në dëshminë e dhënë, ajo ka deklaruar se kishte vepruar nën presion pasi familja e saj nuk dinte asgjë për shtatzaninë si dhe i dashuri i saj e kishte braktisur në momentin që e kishte marrë vesh se ajo është shtatzënë.

“Punoj në një fabrikë këpucësh. I dashuri quhet Klodi, më ka braktisur dhe nuk është interesuar pasi mbeta shtatzënë. Më zunë dhimbjet dhe shkova te garazhi, nuk e mbaja dot sepse kisha presionin e familjarëve që nuk e pranonin pasi isha e pamartuar”, ka deklaruar 30 vjeçarja.

Nga ana tjetër, e ëma e 30 vjeçares ka deklaruar se nuk e kishin kuptuar se vajza kishte qenë shtatzënë, pasi vishte rroba të gjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë