Kushdo që kërcet kyçet e ka dëgjuar të paktën një herë fjalinë “mos e bëj këtë veprim se dëmton kyçet”. Kjo dhe për shkak të tingullit që dëgjohet kur ka një kërcitje por tashmë ky mit duket se bie poshtë.
Mjeku Donald Unger, për 50 vite kërciti nyjet e dorës së majtë të paktën dy herë në ditë, ndërsa nyjet e dorës së djathtë asnjëherë.
Sipas gjetjeve, që i botoi në revistën Arthritis and Reumatism, “nuk kishte asnjë dallim midis dy duarve”.
Kërcitja e nyjeve, e njohur gjithashtu edhe si kërcitja e gishtave, është një zakon shumë i zakonshëm tek njerëzit.
“Shumë njerëz thjesht nuk janë të qetë nëse nuk kërcasin nyjet”, shpjegon Venuthurla Ram Mohan Reddy, kirurg ortopedik.
Ai shtoi se kjo kërcitje mund të kryhet edhe në kyçe të tjera të trupit, përfshirë edhe shtyllën kurrizore.
“Ka shumë debate për arsyen e tingullit që dëgjojmë kur kërcasim gishtat. Shumë kanë frikë se tingulli është për shkak të dëmtimit ose thyerjes së indeve të buta”, thotë Reddy, duke shtuar se në fakt ajo që kërcitet është një shtresë e hollë lëngu që vesh kyçin.
“Kjo shtresë e lëngshme ka flluska gazi me azot, oksigjen dhe dioksid karboni në to. Këto flluska shpërthejnë duke krijuar tingullin kur ne kërcasim gishtat.”
Megjithëse një punim i cituar shpesh nga viti 1990, i botuar në revistën Arthritis and Rheumatism, arrin në përfundimin se edhe pse nuk ka prova të shtuara të artritit tek ata që kërcasin nyjet e tyre, personat që e bëjnë diçka të tillë kanë më shumë gjasa që të kenë ënjtje të duarve dhe më pak forcë.
Megjithatë, shumë studime që atëherë e kanë kundërshtuar këtë, duke mos gjetur asnjë lidhje midis kërcitjes së duarve dhe forcës.
“Për sa kohë që nuk ka dhimbje dhe ënjtje të shoqëruar gjatë kërcitjes së gishtërinjve, ky është një zakon i padëmshëm”, thotë Reddy.
Madje, ai thotë se kërcitja e gishtave ndihmon në lehtësimin e ngurtësisë dhe shtrirjen e indeve të buta.
“Në një farë mënyre, është e dobishme të kërcisni gishtat herë pas here”, thotë Reddy.
Burimi: Express. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.