Opinion

Jemi tashmë në Luftën e Tretë Botërore, dhe Rusia qëndron prapa shumicës së konflikteve sot në botë

Nga Diane Francis*-Konfliktet Izrael-Gazë dhe Ukrainë-Rusi, janë rezultat i një lufte botërore të nisur që në vitin 1999 nga Vladimir Putin, me synim rikrijimin e perandorisë së Bashkimit Sovjetik.

Makina e luftës ruse funksionon në hije, dhe qëndron prapa shumicës më të madhe të konflikteve sot në botë.

Ajo nuk është një krijesë monolite, që ecën me hapat e një pate, por një Hidër e fshehur dhe që zotëron mijëra tentakula, të cilat arrijnë në mbarë botën dhe që janë rritur prej dekadash. Putin preferon të zhvillojë një luftë hibride dhe përdor mercenarë, vende diktatoriale dhe lojtarë jo-shtetërorë si terroristë apo ekstremistë politikë për të nxitur kudo ku mundet trazira dhe revolta.

Ai përdor si armë ushqimin dhe karburantin dhe saboton ekonomitë, zgjedhjet kombëtare, reputacionin dhe industritë e vende të ndryshme. Operativët rusë korruptojnë kombet; torturojnë, helmojnë ose korruptojnë individë; rrëmbejnë fëmijët; marrin pengje dhe kryejmë sulme kibernetike dhe fushata dezinformuese në një shkallë industriale.

Taktika të tilla kanë arritur kulmin me 2 luftërat e mëdha, që po zhvillohen aktualisht në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Dhe pavarësisht nga dëshmitë e shumta të përfshirjes së Rusisë, nuk ka asnjë konsensus global se kjo është Lufta e Tretë Botërore dhe se ajo duhet të ndalet.

Përkundrazi, udhëheqësit po bëjnë pazare mbi lëvizjet e ardhshme, dhe nëse do të financojnë më shumë Ukrainën në krahasim me Izraelin, kur në fakt e njëjta e keqe qëndron prapa të gjitha konflikteve. Vetëm një aleancë globale, do ta ndalë luftën globale të nisur nga Rusia.

Nëse i analizojmë problemet gjeopolitike aktuale përmes prizmit të një lufte botërore të orkestruar nga një udhëheqës tjetër i pamëshirshëm, atëherë nuk ka vend për qasje paqtuese, neutralitet dhe shmangie. Por as për ëndrra, ku negociatat, armëpushimet apo bisedimet e paqes do ta frenojnë në fund kaosin.

Vetëm çrrënjosja e këtij rrjeti, me të gjithë mekanizmat e tij, do të garantojë paqen. Aleatët shtetërorë të Rusisë janë Irani dhe Koreja e Veriut. Por Moska ka financuar dhe trajnuar gjithashtu mijëra aktorë jo-shtetërorë, të cilët janë angazhuar kudo për të shkaktuar telashe. Hamasi dhe Hezbollahu janë ushtritë e njohura guerile terroriste në listë-pagesat e Rusisë dhe Iranit.

Po ashtu, ka edhe një listë të vendeve anti-perëndimore, partive politike, celulave të fjetura terroriste, lëvizjeve dhe liderëve. Së fundi, ekziston ushtria e madhe konvencionale e Rusisë, si dhe mercenarët e Grupit Wagner, që kanë luajtur një rol të madh në destabilizimin e Evropës Lindore, Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Venezuelës.

Ata të gjithë duhet të luftohen dhe të mposhten. Por në vend të kësaj, bota po fokusohet aktualisht në fushëbetejën e Izraelit dhe Ukrainës. Në fakt, ajo duhet t’i shohë ato si tragjedi që kanë ndodhur për shkak të miopisë strategjike të botës, ndaj ekzistencës së kësaj lufte globale tinëzare.

Për shembull, situata aktuale në Izrael, ilustron të paktën dy gabime:dështimin e Izraelit dhe të tjerëve për të njohur dhe ndalur manovrat në prapaskenë të Putinit; dhe mbështetjen tek forcat e armatosura konvencionale për të pasur siguri kundër luftës hibride.

Rezultati ishte se më 7 tetor (ditëlindja e Putinit), Hamasi masakroi 1400 njerëz, pavarësisht ushtrisë së madhe që ka Izraeli dhe “miqësisë” së Putinit me Benjamin Netanyahun. Më pas, për hakmarrje, Izraeli kundërsulmoi duke kryer bombardime masive dhe ka nisur një pushtim tokësor të Gazës për të shkatërruar Hamasin, sikur ky i fundit të ishte një shtet-komb me një territor të përcaktuar dhe si një organizatë rebele dinake dhe e lëvizshme.

Kur mbërritën tanket izraelite në vendngjarje, Hamasi ishte zhdukur ose ishte fshehur pas civilëve palestinezë, duke i përdorur ata si mburoja. Hakmarrja e egër e Izraelit ka shkatërruar tashmë gjysmën e Gazës, ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve, por ka eliminuar vetëm disa dhjetëra terroristë.

Ky rezultat i dha Rusisë dhe tentakulave të saj globale mundësinë për të bërë një propagandë të madhe mediatike, bazuar tek gjendja e rëndë të civilëve palestinezë për shkak të fushatës ushtarake të Izraelit. Ajo e ka tronditur opinionin botëror dhe ka sjellë kritika të forta ndaj Izraelit madje edhe nga aleatët e tij.

Teorikisht, nëse bota do ta kishte kuptuar se çfarë po bënte Putini, një aftësi e mirë e aleatëve mbi luftën hibride, mund të kishte zbuluar dhe parandaluar në kohë sulmin e 7 tetorit, dhe mund të kishte kryer një kundërsulm kirurgjik me më pak viktima civile.

Ndërkohë tani Perëndimi dhe Izraeli, janë nën shenjestrën e propagandës, politikanët amerikanë janë të përçarë, vende aleate arabe dhe myslimane janë distancuar dhe mundësia e një zgjidhjeje të konfliktit përmes krijimit të 2 shteteve, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Nuk është për t’u habitur pse Vladimir Putin dha një intervistë të rrallë atë ditë për Al Jazeera, televizionin në pronësi të Katarit, ku ai shprehu shqetësimin për “rritjen katastrofike” të numrit të civilëve të vrarë në Izrael dhe Rripin e Gazës.

“Udhëheqësi rus kritikoi gjithashtu politikën e Uashingtonit në Lindjen e Mesme, për të cilën ai tha se kishte dështuar duke mos marrë parasysh nevojat e palestinezëve”- lexohet në faqen e saj të internetit.

Dështimi për të pasur një qasje globale ndaj sjelljeve agresive të Rusisë, bën që një aleat të përballet me një tjetër ose të bëjë një gabim të rëndë strategjik që i dëmton të gjithë. Është e qartë se një aleancë e bashkuar duhet të organizojë një kundërofensivë ndaj kësaj lufte hibride, e cila mund të identifikojë, gjurmojë, parashikojë, infiltrojë dhe shkatërrojë Rusinë, Iranin dhe aktorët e tyre keqdashës jo-shtetërorë para se ata të sulmojnë.

Dështimi për të krijuar një forcë globale kundër Rusisë, i jep mundësi Putinit të fitojë terren, gjeografikisht ose politikisht, duke përçarë dhe pushtuar armiqtë, duke izoluar objektivat e tyre dhe duke prodhuar destabilitet në mbarë botën. Ukraina, është një shembull tjetër i asaj që ndodh kur bota e civilizuar nuk arrin të bashkohet kundër Rusisë.

Në vitin 2008, Putin pushtoi Gjeorgjinë, më pas Ukrainën në 2014-në pa ndonjë reagim shumë të fortë të Amerikës, Evropës apo të tjerëve. Obama tentoi një rigjallërim të raporteve me Rusinë, një strategji kjo e pakuptimtë duke pasur parasysh socio-patinë e regjimit të Putinit.

Ky përllogaritje e gabuar, së bashku me qëndrimet e zbutura ndaj Moskës, çuan në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Por nëse Perëndimi do ta kishte kuptuar se Putini po e dominonte gradualisht Perëndimin, në një përpjekje për të kontrolluar edhe një herë Evropën Lindore, do të ishin zbatuar strategji të tjera.

Së pari, Evropa do ta kishte kuptuar se nuk mund të bëhej asnjëherë plotësisht e varur nga nafta dhe gazi natyror rus; NATO do të ishte zgjeruar në Skandinavi, Gjeorgji dhe Ukrainë vite më parë, dhe Perëndimi do të kishte investuar miliarda dollarë në garantimin e sigurisë kolektive, dhe jo të detyrohej të lëvizte vetëm gjatë 20 muajve të fundit.

E inkurajuar nga këto 2 triumfe të mëdha, Rusia do ta vazhdojë në nivel global “luftën e saj hibride”. Ajo do të financojë çdo grup, media, parti politike dhe lider anti-amerikan, anti-BE, anti-Izrael apo anti-NATO. Përpjekje të tilla kanë dhënë tashmë frytet e tyre.

Tentakulat e Putinit kanë mbështetur populistët anti-BE si Marine Le Pen në Francë, Victor Orban në Hungari, politikanë sllovakë apo serbë, lëvizjen “Brexit” në Britani, supremacistët e bardhë në SHBA, si dhe personazhe të famshëm anti-evropianë si Steve Bannon, Donald Trump dhe Tucker Carlson.

Rusia ka përdorur gjithashtu emigrimin si një armë në Evropë dhe Amerikë, për t’i destabilizuar si në rrafshin politik ashtu edhe social. Rreth 20 milionë refugjatë kanë hyrë në Evropë pas ndërhyrjeve ushtarake ruse në Siri dhe Ukrainë. Asnjë nga vendet nuk i ka siguruar siç duhet hyrjet e tyre.

Nëse dikush pajtohet me pohimin tim se Lufta e Tretë Botërore tashmë është duke u zhvilluar, nuk është e vështirë të spekulohet se në mesin e dhjetëra mijëra burrave venezuelas dhe të Amerikës Qendrore që hyjnë Shtetet e Bashkuara, ka spiunë, kriminelë, trafikantë droge ose terroristë. Përveç kësaj, mijëra të tjerë mbërrijnë nga më larg, duke përfshirë Rusinë.

Dhe Evropa ndodhet në një situatë edhe më të keqe, sepse i mungon një marinë kontinentale, dhe është e përmbytur nga kërkesat e qindra mijëra azilantëve, që së fundmi kanë mbërritur me anije nga Lindja e Mesme apo nga vendet afrikane, ku është i fuqishëm ndikimi rus.

Pavarësisht mburrjeve të Putinit se 2 vendet kanë një “miqësi të pakufishme”, Kina ka qëndruar mënjanë në këtë luftë globale. Rusisë do t’i pëlqente të bindte Kinën të hapte një front të tretë në luftën e saj botërore duke pushtuar Tajvanin. Por ky është më shumë një diversion i Kremlinit, i kombinuar me një mendim të dëshiruar.

Që nga pushtimi i Ukrainës, Kina është distancuar nga Rusia dhe ka refuzuar të ofrojë ndihmë ushtarake. Pushtimi ushtarak nuk është në stilin e sjelljes së Kinës. Politika e saj e jashtme ka qenë merkantiliste, nëpërmjet Nismës së Brezit dhe Rrugës. Përveç kësaj, Pekini po shkon drejt uljes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për hir të interesit të tij vetjak për të mbështetur eksportet dhe ekonominë kineze në të ardhmen.

Po ashtu, Kina i frikësohet Rusisë, siç në fakt duhet të ndodhë. Sepse ishte Rusia, dhe jo Kina, ajo që nisi dhe mbështeti pushtimet e vetme të pasluftës në Azi, ato në Kore dhe Vietnam. Të dyja konfliktet mbajtën të zënë për vite me radhë Shtetet e Bashkuara, ndërsa aleanca e saj e trupave konvencionale luftoi kundër ushtrive guerile derisa u mbërrit në një ngërç.

Sot Rusia mbetet një shtet djallëzor që mjerisht po e fiton luftën e saj botërore. Për këtë arsye, një aleancë duhet të ndalojë dhe çmontojë makinerinë e saj vdekjeprurëse të luftës.

Burimi: Kyiv Post/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Diane Francis është një gazetare kanadeze, autore dhe kryeredaktore e gazetës National Post që nga viti 1998.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë