Gazeta Si – Rikthimi i numrit 2 në botë, Karlos Alkaraz, zgjat vetëm një ndeshje. Rusi e eliminon 6-3 dhe 6-4. Tani është radha e Novak Gjokoviç, që rikthehet pas dy muajsh.
Një krizë të vërtetë po kalon Karlos Alkaraz, jashtë që pas ndeshjes së parë të Paris-Bercy, pas humbjeve të parakohshme në Pekin dhe Shangai kundër Dimitrov dhe Siner. Spanjolli është eliminuar pas 2 setesh nga një Roman Safiulin i jashtëzakonshëm. Një tjetër fitore prestigji për rusin.
Përpara 2-1 me një ‘break’ në favor, spanjolli më pas e humbi 6-3 setin e parë. Kërkoi reagimin në të dytin, duke shkuar 3-1 me një frymë pozitive, por Roman, çerekfinalist në Uimbëlldon, fitoi 4 gejme radhazi. Rusi e çoi rezultatin 5-3, për ta mbyllur ndeshjen në ‘match point’-in e dytë.
Safiulin, pas kësaj mbrëmjeje ëndrrash, do të ndeshet me Khaçanov në 1/8-at. Është eliminuar edhe një tjetër francez, Gael Monfils, i mundur nga Çerundolo. Aleksandër Zverev rrezikoi eliminimin ndaj hungarezit Fucsovics, por fitoi 2-1.
Fituesi i 1000 të Shangait, numri 11 në botë, Hubert Hurkacz, e nisi me këmbën e mbarë në Paris, duke mundur 6-3, 6-7 dhe 6-3 Sebastian Kordën. Etcheverri mundi Kecmanoviç dhe do të jetë pikërisht argjentinasi kundërshtari i parë i Novak Gjokoviç, që kthehet në fushë pas gati dy muajsh nga finalja e fituar në Us Open.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.