Gazeta Si – Katër punëtorë shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në punë në Hamburg të Gjermanisë dy ditë më parë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Ngjarja ndodhi në zonën e HafenCity, ku shqiptarët po punonin në një zonë që ishte kthyer në një kantier ndërtimi.
Aksidenti i tmerrshëm ndodhi të hënën në mëngjes, ndërsa media gjermane “Bild”, raporton se një prej viktimave nuk është nxjerrë dot ende nga rrënojat.
Sipas “Bild”, dyshohet se skela nuk ishte vendosur siç duhet dhe sipas informacioneve, rreth 80 blloqe betoni (secila me peshë rreth 20 kilogramë) ishin ruajtur në të për t’u instaluar më vonë.
Mediat gjermane raportojnë se gurët janë futur në skelat midis katit të tretë dhe të katërt.
Aksidenti ka ndodhur në Hafencity, zona e një projekti të madh të rizhvillimit të ish-pjesës së portit të Hamburgut.
Aty është parashikuar një kompleks i ri biznesesh, banimi dhe argëtimi, i cili do të përfshijë gjithashtu një terminal shtesë anijesh lundrimi.
Punëtorët shqiptarë që humbën jetën tragjikisht, ishin duke ndërtuar boshtin e ashensorit kur skela u shemb duke i zënë poshtë.
Mediat shkruajnë se informacioni për ngjarjen ka qenë i paqartë në fillim. Një senatore tha fillimisht se viktimat ishin bullgarë. Më pas policia doli në një deklaratë që tha se ishin shqiptarë.
Ndërkohë edhe numri i viktimave ishte i paqartë. Në fillim u fol për 4 humbje jete. Më pas u tha për 3 dhe në fund u korrigjua dhe u njoftua zyrtarisht se janë 4 shqiptarë që kanë humbur jetën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




