Ngjarje

Foto / Dy ushtarë të diasporës shqiptare humbin jetën në front kundër Rusisë. Majko: Luftuan si heronj

Gazeta Si – Dy djem me origjinë shqiptare, respektivisht 43 dhe 21 vjeç, kanë humbur jetën në luftën që po zhvillohet në Ukrainë kundër forcave pushtuese ruse. Lajmi është bërë i ditur nga deputeti socialist dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko.

Në një postim në rrjetet sociale, Majko shkruan se është njoftuar për këtë ngjarje nga konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakrin.

Sipas deputetit socialist, djemtë me origjinë shqiptare, vinin nga radhët e disporës, dhanë jetën në krye të detyrës si heronj.

Ata ishin: Dermentli Anatoly, nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës). Ai kishte lindur më 3 shtator të vitit 1980 dhe u mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Për fat të keq, ai humbi jetën në 15 tetor në një mision luftimi.

Ndërsa djali tjetër, është 21-vjeçari Haydarzhy Danylo, i cili u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias).

Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, e cila aktualisht jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta, Danylo ishte në Poloni.

Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për t’u mobilizuar, por u refuzua (për shkak të moshës).

Në vitin 2023, pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës.

“Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit”, – thekson Majko.

Sipas deputetit socialist, të dielën (22 tetor), janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias, “ceremonitë funerale të dy djemve shqiptarë me gjak, të cilët edhe nga fotot personale duket që nuk kanë harruar origjinën e tyre”.

Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar. “I përjetshëm, qoftë kujtimi i tyre!”, – përfundon Majko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë