Njerez

Poeti që vjen nga epoka e shkrimit me dorë

Suadela Balliu – Në kabinën e teleferikut që po e çonte për të dytën herë drejt malit të Dajtit, me të ishin edhe dy vajza, që kohën e udhëtimit prej trembëdhjetë minutash e shfrytëzuan të shkrepnin fotografi nga telefonat celularë. I kërkuan nëse mundej të zhvendosej në stolin përballë dhe nëse, mundej gjithaq, t’u shkrepte një fotografi të rejave, që deri atë çast ia kishin dalë vetë, duke qeshur e pozuar me sytë ngulitur tek ekrani i vogël. “Por unë nuk e di si përdoret. Nuk kam parë kurrë një të tillë” , u tha ai, ndërsa vajzat- prej të cilave kishte mësuar se ishin studente dhe punonin për një kompani italiane “call center” – të habitura e pyetën “Nga vjen ti?!” Më shumë sesa vendndodhja gjeografike e të huajit që po bisedonte në gjuhën angleze me to, kureshtja i çonte këto dy të reja, që kishin vendosur ta shfrytëzonin ditën e pushimit me një ekskursion në mal, të kuptonin se nga ç’epokë vinte ky burrë në moshë të mesme, të cilin teknologjia nuk e kishte prekur ende.

Kështu rrëfen Erwin Einzinger, poeti austriak që prej një muaji po jeton si banor i Tiranës, në rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë, organizuar nga “Poeteka Albania” në bashkëpunim me ambasadën Austriake në Tiranë, në një vit të shpallur si viti kulturor mes dy shteteve; Austrisë e Shqipërisë. Por nuk është e vetmja ndodhi që ia përforcon pretendimin se, me pajisjet e teknologjisë së informacionit ka një marrëdhënie fare të largët, për të mos thënë asfare. Edhe me celularin e një modeli të thjeshtë, vetëm për të dërguar mesazhe apo për të bërë thirrje, që i dha mikpritësi ditën kur mbërriti në kryeqytetin shqiptar, nuk pati ndonjë farë afërsie. Por, kur i thanë se ishin përpjekur ta telefononin disa herë e nuk kishin mundur ta arrinin, kuptoi se në fakt celulari ishte në gjendjen e heshtur, “silent”. Po ku ta dinte ai sesi mund të shtypje butonat, të shkoje tek udhëzimet, t’i ndiqje hap pas hapi për ta bërë më pas atë send të vogël të tingëllueshëm?! Mendoi të shkonte në ambasadën austriake, sigurisht jo për këtë, por për t’u përshëndetur me njerëzit që kishin bërë të mundur këtë vizitë të tij të parën, në shtetin shqiptar. Dikush aty i vendosi një melodi, në mënyrë që saherë ta telefononin ta dëgjonte e të përgjigjej e nuk do të mendonin gjithfarë skenarësh se si i huaj, mund edhe të kishte humbur rrugën, diku.

Erwin Einzinger dhe aktori Vasjan Lami

“Po ecja në shëtitoren e Pazarit të Ri kur dëgjova një zile të lartë telefoni. Mendova se zonjës aty afër po i binte telefoni dhe ajo nuk e dëgjonte. Zilja u bë më intensive dhe ngulmuese. Ktheva kokën nga ana tjetër dhe isha i bindur se do të qe telefoni i zotërisë që po kalonte pranë meje. Pas disa çastesh kuptova se ishte në fakt, telefoni im, të cilin e kisha vendosur në xhepin e mëngës së xhaketës sime”, thotë ai, ndërsa e vendos celularin mbi tryezë dhe është i mendimit se opsioni “vibrate” mbase do të ishte më i volitshmi. “Kur u ktheva në shtëpi pashë një mesazh të shkurtër. Ishte ime shoqe, e cila më njoftonte se kishte mbërritur mirë në shtëpi dhe se më kishte telefonuar më parë, por unë, me siguri nuk do e kisha dëgjuar zilen.”
Bashkëshortja, shton ai, ndërsa kthen një gotë të vogël me raki shqiptare, që ka marrë ngjyrë të kuqërremë, e ruajtur gjatë në enën e vogël prej druri, në barin “Hemingway”, ka vetëm pak ditë që u kthye në shtëpinë e tyre në Micheldorf, pas një udhëtimi disaditor në jug të Shqipërisë. “Vizituam Beratin, Gjirokastrën, Sarandën dhe Vlorën. Peizazhi është i mrekullueshëm”, thotë, ndërsa rrëfen sesi dikush nga shtëpia e tij botuese i rekomandoi një restorant të vogël në Berat – “I dërguam një kartolinë nga aty, më pas”, jep më shumë hollësi poeti – sesi mësuesi i gjermanishtes në Shkodër e këshilloi të porosiste verë të mbyllur në Gjirokastër – “Porositëm një “Primitivo” italiane. Ishte vërtet e mirë”, kujton.
Kur mbërriti në Sarandë, dy javë më parë, “patëm mundësi të laheshim në det, në një plazh shumë të bukur me rërë të bardhë në Ksamil”, shton, ndërsa bashkë me të shoqen ranë dakord se, vitin që vjen do të vijnë sërish në Shqipëri, për të vizituar ndoshta veriun, për të cilin dëgjoi se është po aq i bukur sa edhe riviera.

Einzinger në serën e tij, në Austri


I gjithë ky rrugëtim ishte eksplorim vetjak. Pajtoi një makinë me qira në Tiranë, bleu një hartë dhe bashkë me të shoqen u nis, pa e ditur rrugën. “Hasëm disa telashe me rrugët”, thotë “Disa njerëz na këshilluan të mos i binim andej se rrugët ishin të këqija, por në hartë dukeshin në rregull. Isha edhe kureshtar të shihja sesi dukeshin rrugët e këqija. Tani e di”, thotë duke qeshur, por përtej infrastrukturës rrugore, që nuk është se i la edhe aq përshtypje të keqe, natyra që i zbulohej teksa kalonte qafën e Llogorasë, ishte përrallore. “Më parë nuk largohesha edhe aq shumë nga shtëpia”, thotë, teksa zbulon se pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar duke u mësuar fëmijëve anglisht, në shkollë. “E kam nisur punën në moshën 22-vjeçare, kur isha ende student. Nevojiteshin mësues për lëndën e anglishtes dhe unë udhëtoja nga Salzburgu, ku studioja në universitet drejt Micheldorf-it, që janë 140 kilometra. Jepja mësim tri ditë e më pas kthehesha në Salzburg, tek ime shoqe”, atëherë nuk ishin martuar ende, saktëson.  Në moshën 50 –vjeçare vendosi të dalë në pension të parakohshëm për të shijuar ato që i kishte penguar vetes me kalendarin e ngjeshur të punës, ku i duhej të jepte mësim çdo ditë të javës, disa orë në ditë. “Përfitova nga një gjysmë pensioni, por kjo më dha mundësinë të udhëtoj shumë këta 15 vjet”, thotë, ndërsa shton se tani i ka mbushur të gjashtëdhjetepestat. “Kam udhëtuar në Japoni, Kinë, Rusi… vende të cilat nuk do të kisha pasur mundësinë t’i vizitoja nëse do të vazhdoja të punoja si mësues”. Profesion që, gjithsesi, e ka dashur shumë.


Edhe pse nisi të shkruante poezi në të njëzetat e tij, edhe pse ka të botuara disa libra me poezi dhe në prozë në Austri, ende prezantohet si mësues i gjuhës angleze. “Erwin, harrove të thoshe se je mësues i anglishtes”, e ngacmojnë me shaka ata të shtëpisë botuese, gjatë ngjarjeve letrare apo panaireve të librit, sepse e dinë fort mirë se pas emrit, vjen gjithmonë fjalia “jam mësues i anglishtes”. “Ti e di se je më shumë sesa aq, je shkrimtar!”, i thonë botuesit, por këtë dimension e ka pasur me doza të përmbajtura ( jo në krijimtari, vetëm në prezantim), thuajse të fshehur. “Në vendin tim jam njeri i zakonshëm. Pak njerëz e dinë se jam shkrimtar”, thotë dhe më pas kujton ditën kur u njoftoi nxënësve të tij se po dilte në pension. “Po ti je vetëm 50 vjeç!”, thanë ata, “Si mund të dalësh në pension? Si mundesh të na lësh? U thashë se përveçse jap mësim, kam edhe një profesion tjetër që, edhe pse nuk më sjell shumë të ardhura, e kam shumë përzemër. Një nxënës më tha: “Unë e di, ti je shkrimtar. Tetoja ime ka një libër, ku lexova emrin tënd në kopertinë””. Pasi u nda me të vegjlit, ata i thanë të shkruante një libër për historinë e tij në shkollë, me nxënësit, “Ai po, që do të jetë një bestseller”, më thanë. Më ngrohu vërtet zemrën sjellja e tyre. Edhe kur vjen ndonjë prej tyre në leximet që bëj apo më ndalojnë për të më thënë “A më mban mend?”Janë rritur shumë”, thotë pa e fshehur emocionin që i shkakton ajo lidhje e gjatë me nxënësit e tij.


“Në vendin tim jam njeri i zakonshëm. Pak njerëz e dinë se jam shkrimtar”,

Nga gjuha angleze ka sjellë për lexuesin gjermanishtfolës disa shkrimtarë të njohur bashkëkohës, ndër ta edhe John Ashbery, një poet i njohur amerikan, i vlerësuar edhe me çmimin Pulitzer, për të cilin Einzinger rrëfen se ka ushqyer admirim të thellë, si lexues së pari. Kjo e çoi edhe t’i përkthente veprën e plotë në gjuhën gjermane. “Kur kishte diçka rreth së cilës isha i paqartë gjatë përkthimit i shkruaja Ashbery-it letra, ku i parashtroja problemin. Njëherë më tha, më dërgo e-mail dhe komunikojmë aty. Iu përgjigja se nuk kisha asnjë adresë elektronike dhe se, përdorja vetëm postën e zakonshme. Ai ma ktheu: “Po në cilën epokë jetoni ju, në Austri?” I thashë se të tjerët mbase kishin, por unë vetë jo.” Edhe Ashbery iu përshtat epokës së Einzinger-it, ndërsa letërkëmbimi mes tyre, me letra të shkruara me dorë prej përkthyesit dhe të shtypura në kompjuter të poetit, u bënë me dhjetëra; një letërkëmbim i çmuar për të – tani që Ashbery ka dy vite që ka ndërruar jetë e nuk do të jetë e mundur t’i shkruajë më – por fatkeqësisht disa prej tyre humbën, kur i dërgoi në një shtëpi botuese, që kërkuan të nxirrnin disa citime prej atyre letrave. Me laps dhe letër nuk shkruan vetëm letrat (ndoshta për postierin ai është banori i asaj qyteze pranë pyllit, të cilin e sheh më shpesh.)


Edhe poezitë e tij ngjizen ashtu, me laps e letër. Mban një bllok të vogël shënimesh në xhep dhe saherë vëren diç të re, të çuditshme, të pahasur më parë, ose me të cilën mund të niste një poezi, shënon mbi të mbresa të vogla, që më vonë, do të shndërrohen në poezi të gjata. Poezitë e Erwin Einzinger ngjajnë shpesh si tregime apo copëza romanësh. Është vëzhgues i hollë i asaj çka e rrethon dhe vargjet e tij rrëzojnë çdo parafytyrim që një lexues mund të kishte rreth përkufizimit të poezisë, si zhanër apo të përmbajtjes së saj.
Por, nëse dikush duke lexuar titullin “Ode e borës së shkrirë” do të prisnin të pasonin ca vargje lirike për bardhësinë, butësinë apo ndjenjat e ëmbla që të ndjell ky fenomen meteorologjik, pasi t’i ketë shkuar deri në vargun e fundit, do të futet në mendime se përse, kurrë më parë, nuk i kishte vajtur mendja ta shihte ashtu.


Rrëfen sesa përshtypje i la një burrë, atje në rrugën “Hoxha Tahsin”, pranë apartamentit ku po banon këtë muaj, që shqelmonte me këmbë një makinë qepëse të vjetër. “Mendova se ç’e shtynte atë njeri të bënte këtë veprim?! Këto gjëra mbërthejnë vëmendjen time”

Nuk ka shumë për të thënë rreth poezive të mia. Unë shkruaj rrallë dhe çuditërisht atë që shkruaj e bëj për kënaqësinë time, shprehej poeti kur libri i tij i parë me titullin e çuditshëm Gjuhë qengji të paketuara në celofan u vlerësua me çmimin letrar Georg Trakl.
“Por a do të mjaftonte vetëm çmimi Georg Trakl dhe titulli i çuditshëm i librit për ta bërë lexuesin të kthejë vështrimin nga poezia ndryshe e Erwin Einzinger-it? Çfarë mund të priste lexuesi nga një poetikë si ajo, që braktis rëndësinë dhe seriozitetin e zakonshëm për të sjellë pamje plot humor të befasishëm dhe ndriçimin e tehut të ironisë?”, thotë shkrimtari Arian Leka, mikpritës i Einzinger në rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë, këtu në Tiranë, ndërsa ua prezanton poetin austriak gjatë mbrëmjes poetike, në barin “Hemingway”, ku një copëz nga krijimtaria e Einzinger lexohet në gjuhën gjermane prej tij dhe në shqip prej tri përkthyeseve dhe aktorit Vasjan Lami.    

Pasi ke lexuar disa poezi nga ai, të cilat i ka përzgjedhur nga periudha të ndryshme të krijimtarisë, ke ndjesinë se ai mund të bëjë poezi nga një realitet aspak poetik. Ai mjaftohet me vëzhgimin, pa dhënë mbresa personale “Nuk ka “unë” tek poezia ime. Nuk janë poezi për të thënë sesi ndihem unë. E shoh të shkëputur nga vetja. Ime shoqe ndonjëherë më thotë “E di se ku e ke parë këtë që ke përshkruar tek kjo poezi.” Por unë harroj. Më mbetet vetëm copëza si material burimor dhe ritmi është i rëndësishëm për mua. Kur shoh diçka të re, që nuk e kam hasur më parë…” Rrëfen sesa përshtypje i la një burrë, atje në rrugën “Hoxha Tahsin”, pranë apartamentit ku po banon këtë muaj, që shqelmonte me këmbë një makinë qepëse të vjetër. “Mendova se ç’e shtynte atë njeri të bënte këtë veprim?! Këto gjëra mbërthejnë vëmendjen time”, thotë. I pyetur nëse ka gjetur ndonjë motiv nga Shqipëria për ta përdorur në poezitë e tij, shton se u trondit nga një libër në gjuhën angleze, që fliste rreth një tragjedie të madhe me humbje jetësh njerëzore, diku pranë aeroportit të Rinasit. Ka lexuar rreth shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. “Besoj se, kur të kthehem në shtëpi, nga shtëpia botuese apo revista letrare do të më kërkojnë të shkruaj ndonjë ditar udhëtimesh”, shton. Në listën e tij gjenden pamjet e përditshmërisë së botës, ku nuk mungojnë njerëz, kafshë, pemë, objekte dhe diçka e padukshme që syri nuk ka mundur ta kapë pa ndihmën e një poeti vrojtues si Erwin Einzinger, mendon Leka. “Pamjet janë aq të rëndomta sa, pas leximit të këtyre poezive nuk na dhimbset më bota, por vetja jonë, që fillon të dallojë se njeriu mbi pirgun e kotësive nuk qenkësh kurrkush tjetër veç tij.”Poezisë së Einzinger nuk i përvidhesh dot me një të lexuar të atypëratyshëm, sepse edhe ndjesia që të lë nuk është e tillë. Të shtyn drejt një udhëtimi introspektiv. 


Ajo që të bën edhe më shumë habi, se ky poet- vëzhgues i mprehtë i realitetit që ndryshon çdo ditë me zhvillimet urbane e teknologjike, vetë është thuajse i pa infektuar prej tyre. Pranë një peizazhi kodrash, vë një reklamë rruge për shpëlarës goje apo ca lule plastike…Gjithë çfarë bota konsumeriste ka pranëvënë në natyrë. Ky listim i padobive tona, i mburrjeve, i mendjelehtësisë duket se na tremb. Edhe pamja e pazakonshme një poeti që mban shënim jetën tonë në përfaqësimet e veta të ulëta na tremb. Ai inventarizon ekzistencën në formën më të zbehtë. Erwin Einzinger mban shënim. “Pasi lexova poezitë tuaja, po mendoja se edhe poetët e mëdhenj të shekullit të 19-të apo edhe të 18-të, nëse do të jetonin në këtë epokë do të shkruanin kështu”, i them e ndërsa falënderon, shton se ndihet i çliruar kur lexuesit e kuptojnë poezinë e tij kështu, thotë “Sa më shumë kalon mosha, aq më shumë mendoj për poetët e vjetër. Kur isha ri, në universitet isha shumë i interesuar për letërsinë avangarde dhe nuk doja të lexoja rreth Gëtes apo Rilkes. Tani më flasin poetët e kohëve të shkuara. Marcel Proust që shkruan aq gjatë e për gjëra të parëndësishme kam zbuluar se ka mbresa të mrekullueshme dhe bukuria qëndron tek gjuha, mënyra sesi e përdor atë”, thotë poeti austriak dhe në atë çast ndërmend disa nga leximet publike të John Ashbery-it dhe sesi ai, me ton serioz, pa mimika apo intonacione të zërit i bënte të qeshnin me zë turmat që mblidheshin ta dëgjonin. “Ishte e pabesueshme çfarë arrinte të bënte ai me gjuhën!”


Gjatë mbrëmjes poetike, të 19 nëntorit, teksa lexon në gjermanisht poezitë e tij -kërkon falje paraprakisht për gjatësinë apo se mund të tingëllojnë shumë të çuditshme –publiku nuk i mban të qeshurat, të cilat vijnë dyfishe; në fillim ata që kuptojnë gjuhën gjermane e më pas, qeshin ata që mbajnë vesh përkthimin në shqip. (Do të kisha dashur t’i thosha atë çast, teksa ai qëndron në gjysmëdritën e skenës së vogël që mirëpret herë pas herë ngjarje kulturore në atë bar të ngrohtë, se ai duket ashtu siç përshkruante më herët Ashbery-in në ato leximet që shkaktonin të qeshura.) Kur e pyesnin Ashbery-in të habitur rreth mënyrës sesi e përdorte ai gjuhën, poeti amerikan do të përgjigjej se ishte njësoj siç një piktor përdor ngjyrat. Piktura herë mund të jetë realiste, herë impresioniste apo abstrakte. “Admira më pyeti për një nga poemat se përse bëhej fjalë. I thashë se është një lloj mbrese surrealiste. Ndonjëherë ndihem se nuk di t’i shpjegoj”, thotë Einzinger, ndërsa e ka fjalën për bisedën që pati me përkthyesen në shqip, Admira Poçi, gjatë atyre tri orëve rrugë që bën nga aeroporti i Rinasit drejt Shkodrës, për një lexim në universitet. Rrëfen më tej se kur e shoqja iu bashkua në Tiranë, kishte sjellë me vete edhe një gazetë ku ishte shkruar një recensë për librin e fundit, botuar në muajin shtator në Austri. “Kritiku ishte shumë entuziast. I kishte pëlqyer gjithçka nga libri, por nuk i shpjegonte më tej se për se bëjnë fjalë. Ai u thoshte lexuesve “Duhet t’i vëzhgoni vetë.” Isha shumë i lumtur për këtë.”


Ime shoqe më ka këshilluar shpesh. Kur shkon për lexime, mos fol shumë! Më mirë lexo dhe kaq. Por ajo nuk është këtu”


Libri i tij i fundit me poezi titullohet “Derri i egër”. Einzinger ndan me dëgjuesit historinë pas këtij titulli. “Unë dhe ime shoqe ishim këtu, në Tiranë dhe, vajza kishte marrë gazetën, ku kishte një artikull kritik mbi librin dhe ajo nisi të lexonte “Erein Eizinger, “Derri i egër” …Mbesa, kur e dëgjoi u mërzit nga kjo dhe i tha vajzës sime: “Po mami, gjyshi nuk është derr i egër!”Ndërsa ka dhuruar sërish të qeshura tek audienca, shton “Ime shoqe më ka këshilluar shpesh. Kur shkon për lexime, mos fol shumë! Më mirë lexo dhe kaq. Por ajo nuk është këtu”, thotë duke qeshur, “Por unë nuk e kuptoj se po flas shumë”. Titulli i parë i librit kishte të bënte me furça rrobash, titull që botuesi nuk e pëlqeu fort. “Botuesi më tha “I dashur Erwin”, siç e di libri i mëparshëm titullohej “Njëqind makina qepëse” , duhet ta dish se ne nuk jemi botues të manualeve për pajisje shtëpiake. Kështu që, gjej një titull tjetër!” Ndërsa po vrisja mendjen, më ra në duar një libër me ilustrime, të cilin një shok i imi e çmonte shumë dhe aty pashë figurën e një derri të egër dhe vendosa ta titulloj “Derri i egër i çmendur”. Ky titull është më mirë tha botuesi, por ta heqim atë të “çmendur” Derri i egër është mjaftueshëm i çmendur.” Është shthurur natyra jonë, realiteti dhe bashkë me të edhe rendi njerëzor, apo mendja e një autori si Erwin Einzinger i bën më të afërta pamje që sytë tanë nuk i rrokin dhe teknika nuk dëshiron të na i sjellë më pranë?


“Një poezi si ajo që shkruan Erwin Einzinger kërkon shumë. Ajo ka harruar se jetojmë në shoqërinë e spektaklit. Ky poet zotëron lëndën poetike që del nga kaosi i jetëve tona”, thotë Leka. “Ndihem i lehtësuar nëse njerëzit ndihen kështu sepse gjatë gjithë këtyre viteve, kritikët thonë: është i mirë interesant, por është pak i vështirë dhe kjo është gjëja më e keqe që mund t’i thuash dikujt që shkruan. Nuk ka asgjë të vështirë aty, është pikëpamje ndaj botës. Mbase kanë koncepte të ndryshme të të shkruarit”, thotë poeti austriak. Edhe për shkrimtarin shqiptar, Arian Leka, poezia e Erwin Einzinger nuk është aspak e lehtë për t’u shkruar. “Për t’u lexuar jo se jo. Ajo është po aq e vështirë sa edhe profesioni prej mësuesi dhe prej përkthyesi, të cilat ecin prej dekadash së bashku me këtë poet.”Si një mozaik mbresash. Kështu e sheh letërsinë e tij. I njëjti stil është edhe në prozë. Romanet janë të gjatë, zbulon, shkojnë deri në pesëqind faqe “Por lidhen me copëza të vogla. Përpiqem të vë bashkë mbresa udhëtimesh. i fundit titullohet “Një histori Perëndimi nga Kirgistani” dhe flet për një njeri që do të ecë më këmbë sa më larg drejt Lindjes për muaj e muaj.” Subjekti, pranon ai, është vetëm grepi për të përdorur mbresat nga udhëtime. “Ata që e lexojnë deri në fund thonë se është i mrekullueshëm sepse gjithçka përputhet, por lexuesi mesatar humbet. Janë mësuar me histori normale, që vazhdon. Shkrimi im është i ndërprerë. Shpesh këta lexues më thonë se janë përpjekur ta lexojnë, por u është dukur shumë i gjatë…”

Çfarë tjetër më ka shpëtuar pa u vënë re, mes detajeve të shumta të këtyre poezive me densitetin e një romani të mirë?, pyet Arian Leka …Një koncert me muzikë dhome, ka kohë që ka mbaruar, zonjëzën, që ia ka këputur gjumit duhet ta prekin disa herë mbi sup, të zgjohet apo të mos gërhijë. Pastaj shfaqet një balerinë amatore që, në hutim e sipër, i bie me kokë një dollapi prej xhami. Pastaj shohim këpucë prodhuar prej letre dhe mbetjesh kartoni. Pastaj duket një vocërrak, teksa ecën me një karamele në gojë dhe që mban veshur çizmet me goma të trasha me bateri. Ja edhe një krijesë dembele, femër, me çizmet ngjyrë vjollcë, e cila ndalet mu para syve tanë për të fotografuar lulet e shkelura të një feste. E pastaj…?Në poezinë e Erwin Einzinger-it ka vend edhe për tubat mbajtës në autobusë që janë ngrohur nga duart e nxehta të pasagjerëve edhe për shitës të mallrave me pakicë dhe për një lavanderi të vogël në Shefild, në atë lagje ku kurvat janë shtuar shumë edhe ku çarçafët ndonjëherë mbajnë një aromë kundërmuese të glasave të pulave. Edhe për bastet e garave me kuaj, për shtëpiake, për një fëmijë me papuçe dhe pizhame, djem shakatarë dhe falltarë të fshehtë ka vend. Secili sjell pamjen dhe ndodhinë e tij të vogël. Si përkthyes dhe mësues i gjuhës angleze, rrëfen se nuk është marrë me përkthimin e poezive të tij në anglisht.

“Në universitetin e Teksasit, nuk e di si u kishin rënë në duar poezitë e mia dhe kishin përkthyer disa.”Por kur e ftuan në një konferencë rreth poetit Gerard Manley Hopkins, në Irlandë, të vetmet poezi që kishte në gjuhën angleze nuk i pëlqenin më. “I kisha harruar edhe pse i kisha shkruar”, thotë ndërsa u përpoq ato ditë të shkruante diçka origjinale, në gjuhën angleze. “U ula në një pub dhe pas dy birrave Guinnes, nisa të shkruaja. U bënë katër apo pesë poezi, të cilat nuk i di ku përfunduan. Ishin vetëm për atë rast.” Rrëfen se ajo konferencë qe aq e mërzitshme, ndërsa dëshira e tij për të parë Dublinin më e madhe. “Ishte një kritik letrar italian, që e fliste anglishten aq keq sa nuk arrija të kuptoja përse po fliste. U përvodha nga salla, shkova në stacionin e vetëm të autobusëve të këtij fshati të largët dhe pyeta për oraret. Në orën 11:00, siç më tha edhe biletashitësja autobusi kaloi, ia bëra me dorë, por nuk u ndal. Pyeta sërish dhe më tha se ka qenë plot dhe kur është kështu nuk ndalet. Duhet të prisja tjetrin. “O zot ku jam”, mendova. Nëse do të kisha pasur mundësi të kthehesha më herët do e kisha bërë. Ishte përvojë depresive. Edhe në Rusi pata të njëjtën ndjesi, por këtu në Shqipëri nuk jam mërzitur aspak. Njerëzit janë miqësorë dhe të sjellshëm, kudo.”


Sjell ndërmend edhe njëherë bisedën me vajzat e kabinës së teleferikut, drejt malit të Dajtit. “Më thanë se ndoshta në veri të Europës njerëzit mund të jenë më inteligjentë, por ne këtu kemi më shumë zemër.” Është e vërtetë që këtu njerëzit janë më të ngrohtë, por doja t’u thosha se nuk është e vërtetë se janë më të zgjuar andej.”
Biseda rreth telefonave celularë nuk është mbyllur ende. Pandeh se të gjithë ata me ekran të madh, nga ku mund edhe të dërgosh e-mail, janë iPhone. Ende nuk ka dëgjuar për smartphone-ët dhe nuk e di se pajisjet që mbajnë simbolin e mollës së kafshuar, i përkasin thjesht një marke, mes qindrash. Ashtu si edhe veturat, ku si shumë të huajve i shkakton kureshtje të dijë se përse nëpër rrugët e Shqipërisë ka aq shumë makina Mercedes Benz.
Në fillim të viteve 2000, thotë kur sapo kishte nisur moda e telefonave celularë, në rrugët e Romës – ndodhej për një veprimtari letrare- i dukej se të gjithë ata që mbanin dorën në vesh dhe flisnin me zë të lartë, i drejtoheshin atij. “Po si ia bën të jetosh pa një telefon celular Erwin?”, e pyesin. “Ashtu siç kam jetuar përpara se të shpikeshin”, u përgjigjet. Letra, megjithëse mund të ketë dalë nga moda, nuk është zhdukur dhe atij i mjafton të hedhë mbi të gjithë ç’i bën habi nga bota përreth, ndërsa shikimi i tij bëhet më i mprehtë se kurrë për të mbërthyer esencën e kësaj epoke, në të cilën jetojmë, shpesh pa e vënë re…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë