Ngjarje

Tirana në ‘shtetrrethim’ për samitin e procesit të Berlinit, 1.600 policë në terren. Rrugët që do bllokohen

Gazeta Si – Tirana do të kalojë në shtetrrethim në prag të samitit të proceslit të Berlinit që do të mbahet të hënën, 16 tetor, një event ndërkombëtar ku do të marrin pjesë liderët e Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Europian si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Masat e sigurisë do të fillojnë që pasditen e të dielës (15 Tetor) me bllokimin e disa rrugëve në qendër të Tiranës, ku nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se për mbarëvajtjen e këtij samiti do të jenë të angazhuar 1604 forca policore.

Gjatë fashës së orarit që do të jenë të bllokuara, në këto rrugë nuk do të lejohen të kalojnë as njerëzit, përveç rezidentëve.

Kështu, rrugët që do të jenë të bllokuara janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – ura e Dajtit deri te sheshi Nënë Tereza, bulevardi “Bajram Curri nga kryqëzimi me rrugën e Elbasanit deri tek kryqëzimi i rrugës Ibrahim Rrugova, Rruga Papa Gjon Pali II – ETC – RTSH – stadiumi, rruga Ismail Qemali deri te rruga e Elbasanit, rruga Mustafa Matohiti.

Sipas Bizhgës, në këto zona do të lejohet vetëm qarkullimi në këmbë i banorëve rezidentë. Ndërsa në rrugën “Papa Gjon Pali II” nuk do të lejohet as qarkullimi i këmbësorëve.

Gjithashtu për garantimin dhe sigurinë e aktivitetit, Policia e Shtetit tha se ka bashkëpunuar me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend dhe me organizma ndërkombëtare si Europoli për shkëmbimin e informacionit.

“Po bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës, Autoritetin Portul të Rinasit, Policinë bashkiake, shërbimin zjarrfikës dhe qendrën spitalore të Tiranës”, – vijoi Bizhga.

Siguria parashikohet të jetë e lartë, sepse bëhet fjalë për një event që zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë