Gazeta Si – Emiljano Nina, i cili ishte drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin e frikshëm, rreth një muaj e gjysmë më parë tek diga e Liqenit në Tiranë, është arrestuar.
Nina, kushëriri i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, u arrestua ditën e djeshme në kuadër të operacionit policor të koduar “Escape”.
Në polici, ai deklaroi se ishte nën efektin e lëndëve psikotrope, të cilat përfshihen tshmë te lëndët narkotike. “Kisha pirë tullumbace azot dhe po lëvizja me shpejtësi 180 km/h”, – tha ai.
I riu, në muajin gusht të këtij viti, duke drejtuar një automjet tip “BMW”, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore te Liqeni Artificial. Pas aksidentit, ai është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
28-vjeçari, ishte i shpallur në kërkim edhe për dhunë në familje, pasi është dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër penale.
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, Nina është arrestuar në banesën e tij në zonën e “5 Majit” në kryeqytet. Me vete nuk i është gjetur asnjë send i kundraligjshëm.
Aksidenti i frikshëm ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 22 gusht, ku automjeti me shpejtësi skëterre doli nga rruga e “Kosovarëve” dhe përfundoi në digën e liqenit.
Policia Rrugore e Tiranës tha se shkak për aksidentin e pazakontë ishte shpejtësia shumë e lartë, që bëri 28-vjeçarin të humbasë kontrollin e makinës.
Uniformat blu thanë se kanë referuar në prokurori shtetasin Emiliano Nina për 7 akuza, më të rëndat prej tyre ato të drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ndryshe nga sa policia mendoi në fillim, në makinë bashkë me Ninën gjatë udhëtimit të shpejtë në ‘Rrugën e Kosovarëve’, rezultoi të kishte qenë shtetasin Jurgen Allushi, një 25-vjeçar, i cili pas ngjarjes është larguar bashkë me drejtuesin. Për këtë ai është referuar në gjendje të lirë për akuzën e moskallëzimit të krimit.
Por arrestimit nuk i shpëtoi as pronari i makinës, Eldi Allushi, i cili u vu në pranga me dyshimet se ka penguar zbardhjen e të vërtetës me largimin dhe dëshmitë paraprake, nuk ka kallëzuar krimin dhe ka përkrahur autorin e ngjarjes.
Ai u lokalizua dhe shoqërua nga policia disa orë pas ngjajres, pasi ishte larguar për të shmangur përgjegjësitë dhe detyrimin për të kallëzuar.
Nina njihet edhe me emrin Emiljano Tasho dhe mësohet se është shoqëruar edhe më herët nga uniformat blu. Në vitin 2015, ai u shpall në kërkim nga policia për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Tiranë.
Bëhet fjalë për vrasjen e 30-vjeçarit Enton Nikaj që ndodhi në nëntor në parkingun e një restoranti në Linzë, ku mbeti i plagosur edhe pronari i biznesit. Nina, në atë kohë 20 vjeç, u shpall në kërkim si person i dyshuar për përfshirje në vrasje.
Pasi u shoqërua nga policia për këtë ngjarje, u la i lirë sepse u provua se nuk rezultonte të kishte gisht në krim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



