Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë prezantimit të bilancit turistik të sezonit veror, ndërsa deklaroi se deri në fund të vitit Shqipëria mund të vizitohet nga 10 milionë turistë, kryeministri Edi Rama analizoi faktorët që kanë ndikuar në këtë prurje vizitorësh.
Ai tha se është dashur shumë punë për të larguar perceptimin e keq që ishte krijuar për vendin megjithatë theksoi se nëse nuk do të jemi të përgatitur për të përballuar një kërkesë që sipas tij do të jetë më e madhe vitin tjetër, kjo situatë mund të kthehet në boomerang.
“Ne mund të arrijmë edhe 10 milionë turistë këtë vit por me siguri, ne këtë vit, do ta prekim tavanin e 9 milionëve që është një gjë që do të duhej një kurajo shumë e madhe për ta thënë jo shumë vite më parë, ashtu sikundër nuk besoj se kanë qenë shumë ata që e kanë imagjinuar që mund të ndodhte në këtë kohë të shkurtër.
Por të kemi parasysh se çfarë trashëgimie të tmerrshme kemi pasur mbi kurriz dhe se çfarë imazhi pavarësisht se, një pjesë të konsiderueshme të krijuar nga paragjykime të kthyera në perceptim, kemi pasur përballë si një pengesë për t’u kapërcyer.
Po t’i marrim një nga një elementet shohim se suksesi në turizëm është i lidhur me disa faktorë të thjeshtë që lidhen me shumë ndërveprime dhe institucione se bukuria e Shqipërisë dhe larmia e bukurisë së vendit tonë, që në një territor të vogël, ofron një shumëllojshmëri të natyrës, nuk është se u krijua nga ne. Ishte aty. Madje më parë ka qenë edhe më e virgjër sesa sot për shkak të zhvillimit por që bukuria të vihet në dispozicion të vizionit të krijimit të një industrie turistike duhen garantuar disa gjëra të tjera. Sepse që njerëzit të vijnë për të kaluar pushimet nuk mjafton t’i tërheqë bukuria që iu shfaqen nëpër ekrane dhe revista”, deklaroi Rama.
Si faktorin e parë ai përmendi sigurinë.
“Këtë vit ne kemi pasur nivelin më të lartë të sigurisë në 30 e kusur vitet e fundit, minus 40 për qind vrasje krahasuar me vitin e kaluar. Këtë vit Shqipëria ka befasuar shumë njerëz sepse jo ne por barometri europian e nxori vendin e fundit në kontinent europian për vjedhje”, deklaroi Rama ndërsa shtoi se i dyti është pastërtia.
“Ka qenë gjithmonë po kaq e bukur sepse nuk ka pasur kaq shumë zhvillim por ka qenë një vend ku artikujt e pakët që prodhoheshin nga sezoni ishin për papastërtinë dhe publikimet ishin publikime zhgënjimi. Dhe sot është më e pastër. Tjetra është aksesi në infrastrukturë, që është sot më i mirë se asnjëherë më parë”, theksoi Rama dhe shtoi se vendi ynë nuk duhet të mbetet në turizmin low cost.
Ai u tregua i prerë me bizneset në vijat bregdetare ku tha se sezonin e ardhshëm s’do tolerohet asnjë biznes që do derdhë ujërat e zeza në det apo në liqenin e Pogradecit dhe tha se do ngrihet një task forcë për kontrollet.
“Kjo bëhet duke u thënë shumë qartë jo vetëm me fjalë por edhe me një akt të menjëhershëm ligjor por edhe me task forcë. Do investosh për derdhjen e ujërave të zeza. Është bërë edhe studimi sa kushton, është një kosto e përballueshme, s’po them që t’u vëmë kufirin banorëve për banesat, shtëpitë që kanë gropat skeptike se do ishte e padrejtë. Kostoja do ishte e papërballueshme, s’janë ata ndotësit më të mëdhenj. Ujërat e kristaltë të Maldiveve të Europës i ndotin ata që na ballë i vënë hotelit 5 yje dhe nga mbrapa i lëshojnë komunitetit mbetjet e yjeve. Nuk mund të vazhdojë”, tha Rama.
Ai përsëriti sërish faktin që hotelet vitin e ardhshëm do të kenë çmim referencë pasi numri i turistëve me të ardhurat e deklaruara, nuk korrespondojnë. Rama tha se s’do të tolerohen as ata që nuk deklarojnë çmimet reale të dhomave.
Në fund, ai theksoi se duhet shtrirë koha e Shqipërisë turistike në 12 muajt e vitit si edhe gjithashtu të zhvillojnë më shumë turizmin malor duke ndërtuar pista skish apo resorte.
Në një bilanc shifrash ministrja e turizmit, Mirela Kumbaro tha se shtatori u mbyll me 1.1 milionë vizitorë të huaj, rreth 30% më shumë se viti i kaluar.
“9-mujori shënoi 8.3 milionë, ose 1.9 milionë vizitorë të huaj më shumë se 9-mujori i vitit të kaluar.
Nuk i përmend për t’u krenuar por për t’u ndërgjegjësuar se kur vendi përshkohet, jetohet, eksperimentohet, udhëtohet, nga gati 5-fishi i popullsisë së qëndrueshme, përgatitja, mobilizimi dhe vëmendja, madje dhe alerti, janë dhe duhet të jenë shumë më lart”, theksoi Kumbaro e cila shtoi se ndonëse ka patur shumë përmirësim në pastrimin e territorit, lufta me mbetjet sipas saj nuk është fituar ende.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi se po krijohet brenda Policisë së Shtetit një forcë kombëtare e sigurisë publike, e cila sipas tij, do të jetë e gatshme të përballojë nevojat e Shqipërisë turistike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.