Ka ndodhur

Vrasja për gjakmarrje e Prek Tonajt, 53-vjeçari arrestohet për dëshmi të rreme

Gazeta Si – Një 53-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia për dëshmi të rreme për vrasjen e 47-vjeçrit Prek Tonaj në 13 shkurt të vitit të kaluar në lokalin e të ndaluarit.

“Gjykata e Shkodrës, me vendimin e datës 11.07.2022, ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ka dhënë dëshmi të rreme përpara prokurorit, për rrethanat e vrasjes së shtetasit P. T., 47 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 13.02.2022, në lokalin e 53-vjeçarit”, njoftoi policia.

47-vjeçari Tonaj u vra teksa ishte ulur në një lokal në fshatin Grudë e Re. Policia tha se pas ngjarjes fshihet një histori e vjetër hakmarrjeje mes familjes Tonaj dhe Kësolla në Shkodër.

Për këtë arsye si autor i ngjarjes u arrestua Eduart Kësolla. Ai është djali i Pal Kësollës, i vrarë nga fisi Tonaj në vitin 1996.

Vetë Pal Kësolla ishte personi i cili vrau vëllain e Prekë Tonajt, Nikollë Tonaj. Ngjarja në fjalë ndodhi në burg, në kohën e komunizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë