Gazeta Si - Ministrat e Brendshëm, hetuesit dhe magjistratët kanë bërë premtime për kapjen e Matteo Messina Denaro për dekada.
U deshën 30 vjet dhe një sëmundje tumorale, ai që i mori jetën bosit, për të futur në burg “Padrinon e fundit të organizatës mafioze Cosa Nostra.
Messina Denaro e kaloi gjysmën e jetës së tij i fshehur dhe menjëherë pas kapjes së bosit të bosëve Totò Riina, u bë i pagjurmueshëm.
Dhe ndërsa policia shkencore ishte përgjegjëse për përditësimin, plakjen, imazhin rinor të shefit, perandoria e tij miliardere u shpërbë dhe u kap pjesë-pjesë.
Kështu, u çmontua zinxhiri i tij i mbrojtjes dhe financimit, ku u shemb miti i një kumbari që kishte fuqi të pafund. Në fakt, ai jetonte si fantazmë, ndonëse padukshmëria e tij nuk e pengoi të bëhej dy herë baba.
Dy fëmijët e Matteo Messina Denaros
Gjithçka që dihet, është vetëm për vajzën e tij. Lorenza, deri rreth 10 vite më parë jetonte në shtëpinë e gjyshes nga babai me nënën e saj, Francesca Alagna.
Më pas, së bashku vendosën të shkëputnin lidhjet e ngushta dhe të shkonin të jetonin diku tjetër.
Lorenza, e cila mbante mbiemrin e nënës (më pas babai i saj i dha mbiemrin në spital pas arrestimit), jeton në Castelvetrano (Palermo) dhe lindi një djalë më 14 korrik 2021, të cilit nuk ia vuri emrin Matteo edhe pse kështu e donte tradita mafioze.
Shumë pak dihet për djalin tjetër, edhe kjo prej atyre që ka dalë nga përgjimet.
Ai quhet Francesco, si patriarku i vjetër i dinastisë dhe ka lindur midis viteve 2004 dhe 2005 në provincën e Trapanit, midis Castelvetranos dhe Partannas, ku Matteo Messina Denaro kishte ndërtuar fuqinë e tij ekonomike dhe kriminale.
Bosi që i donte femrat dhe luksin
I kujdesshëm në menaxhimin e mosveprimit të tij dhe duke e mbrojtur atë me një mori mbështetësish, një nga bosët më të kërkuar në botë, la pas vetëm imazhin e një “playboy” të paepur me “Ray Bans”, këmisha të shtrenjta dhe elegante të stilit “casual”…
Dhe pas këtij imazhi tashmë të zbehur, është një gjurmë legjendash, një pushtuesi i madh i zemrave të femrave, një adhurues i makinave “Porsche” dhe orave “Rolex” prej ari, një maniak i video-lojërave, një ndjekës pasionant i filmave dhe librave komik.
Dhe këtu, një qëndron mbi të gjithë… Ai është “Diabolik”, nga i cili huazoi pseudonimin. Edhe në pseudonimet e tij, Matteo Messina Denaro personifikonte fytyrën e dyfishtë të një lideri të aftë për të ndërthurur dimensionin tradicional dhe të njohur të mafies me versionin e saj më modern.
Trashëgimtari i Provenzanos dhe Don Ciccio Messina Denaro
Kumbari i Castelvetrano ka lëvizur gjithmonë mes egërsisë kriminale dhe pragmatizmit politik. Për këtë arsye ai konsiderohej trashëgimtari i Bernardo Provenzanos, por mbi të gjitha i babait të tij, Don Ciccio, një tjetër bos i nomenklaturës tradicionale që vdiq si i arratisur në vitin 1998.
Kur patriarku i vjetër u zhduk, gjurmët e të riut Matteo kishin humbur tashmë prej pesë vitesh, në vitin 1993, madje para se ai të përfshihej në hetimet për masakrat e atyre viteve.
Dhe që atëherë, Diaboliku kishte arritur gjithmonë, ndonjëherë me akrobaci fatlume të denja për personazhin e pakapshëm të librit komik, t’i shpëtonte goditjeve.
Një shpërblim prej një milion e gjysmë euro ishte vendosur për kokën e tij, por për të arritur te gjurmët, hetuesit shtrënguan rrjetin e mbështetësve.
Nuk u kursyen as familjarët e tij: motra Patrizia, e arrestuar dhe e akuzuar për drejtimin e një rrjeti zhvatjesh, vëllai i tij Salvatore, kunati i tij, nipi dhe shumë njerëz të besuar të tjerë.
Vrasja e parë kur ishte 18 vjeç
“Fatkeqësitë” gjyqësore të Matteo Messina Denaros, nisën sipas të anëtarëve të penduar të organizatës, “për dy automatikët që ai donte të vendoste në pjesën e përparme të Alfa 164, në vitin 1989, kur ai ishte ende një djalosh.
Babai i famshëm i tij, Don Ciccio, - bosi i Castelvetranos – akuzohet për herë të parë për themelimin e organizatës mafioze.
I njohur tashmë në qarqet hetimore që prej asaj kohe, ai nuk gëzon ende “famë” publike, por mandatin e ka marrë me delegim nga babai-kumbar i tij i sëmurë, që e udhëhoqi drejt trashëgimisë.
Duke qenë fëmija mrekulli-bërës i krimit, i destinuar nga lidhjet e gjakut për të marrë një rol në “Cosa Nostra”, atij i është dashur gjithmonë të jetë i përfshirë në ngjarje dhe të përdorë armë zjarri. Në moshën 14-vjeçare ai dinte të merrej me to, ndërsa në moshën 18-vjeçare kreu vrasjen e parë.
Ishte pjesë e komandos për vrasjen e Falcones
“Me njerëzit që vrava mund të ndërtoja varreza”, i ka rrëfyer ai një miku. Në përputhje me strategjinë e masakrës së Korleonezëve, prej të cilëve, si babai i tij, do të mbetet gjithmonë aleat besnik, ai përfshihet në masakrat e viti 1992, ku humbën jetën gjykatësit Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.
Roli i Messina Denaros u shfaq vetëm kur Prokuroria e Caltanissettas, e cila rihapi hetimin për sulmet, kërkoi paraburgim për shefin e Castelvetranos dhe në tetor 2020 e dënoi atë me burgim të përjetshëm për të dy sulmet.
Sipas hetuesve, ai ka qenë i pranishëm në samitin e kërkuar nga Riina në tetor 1991, në të cilin u vendos plani i vdekjes që synonte dy magjistratët. T
ë penduarit pastaj kanë treguar se ai ishte pjesë e komandos që duhej të eliminonte Falconen në Romë, aq sa mori pjesë në inspektimet e organizuara për sulmin.
Megjithatë, ndalesa e Riinës erdhi nga Palermo dhe Falcone u vra disa muaj më vonë në Capaci.
Ishte në arrati që nga viti 1993
“Diaboliku” luajti një rol të rëndësishëm edhe në masakrat e vitit 1993 në Romë, Firence dhe Milano. I akuzuar dhe i gjykuar, ai u dënua me burgim të përjetshëm për sulmet me bomba.
Arratia e tij e gjatë nisi në qershor 1993. Në një letër shqetësuese të shkruar për të dashurën e tij, Angela në atë kohë, ai shpalli fillimin e jetës së tij si një njeri i pakapshëm.
“Do të dëgjoni për mua, do të më pikturojnë si djall, por të gjitha janë gënjeshtra”, i shkruante ai, duke lënë të kuptohet se ishte i vetëdijshëm se emri i tij do të lidhej së shpejti me ngjarje të rënda të përgjakshme.
Dënime për masakra dhe vrasje
“Fantazma” e Messina Denaros u ndoq nga një mal me urdhër-arreste dhe dënime të përjetshme për grup mafioz, vrasje, sulme, posedim dhe transport të lëndëve plasëse.
Në ngjarjet më të rënda kriminale të 30 viteve të fundit, duke filluar nga masakrat e 92-it, në të cilën u vranë Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, ishte dora e tij.
Por nëse njihet dhe vlerësohet reputacioni i tij si një njeri i pamëshirshëm, disa dyshime janë ngritur mbi aftësinë e tij reale për t[u ringritur, pas arrestimit të Totò Riinas dhe Bernardo Provenzanos, strukturën unitare të “Cosa Nostra”-s të prekur nga arrestimet dhe nga një proces fragmentimi.
Një bos që e çoi “Cosa Nostra”-n në mijëvjeçarin e dytë, pa arritur megjithatë të shmangë fundin si kumbarët e vjetër.
Në karrierën e tij kriminale, kumbari nga Trapani ka grumbulluar dhjetëra dënime të përjetshme. Përveç atyre për bombat, ai mori burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe vrasjen e vogëlushit Giuseppe Di Matteo, djalit të të penduarit të rrëmbyer nga një komando e “Cosa Nostra”, i mbytur dhe i tretur në acid në vitin 1996 pas gati dy vitesh burgim (edhe pse vazhdoi ta mohonte).
U shpall fajtor për krijim të organizatave mafioze që nga viti 1989, me dënimin e fundit për këtë akuzë që ka qenë 30 vjet burg.
Gjykata e Marsalas e njohu atë si bos për herë të parë në vitin 2012. Dhe bosi mori gjithashtu një “breshëri” burgimesh të përjetshme në gjyqet Omega dhe Arca, të cilat hodhën dritë mbi një seri vrasjesh mafioze të kryera midis Alcamos, Marsalas dhe Castellammares, mes viteve 1989 dhe 1992.
“Nuk do të pendohem kurrë”
Matteo Messina Denaro e ka mohuar gjithmonë, para drejtësisë, se ka qenë pjesë e “Cosa Nostra”-s.
Gjithashtu hodhi poshtë akuzat për masakra dhe vrasje, mohoi të kishte trafikuar ndonjëherë drogë (“isha i pasur, babai im ishte tregtar i veprave të artit”) dhe pretendoi se koha e tij në arrati kishte përfunduar vetëm për shkak të sëmundjes.
Në 70 faqe të dëshmisë gjatë marrjes në pyetje, dhënë për prokurorin e Palermos, Maurizio de Lucia, Denaro e kishte bërë të qartë: “Nuk pendohem kurrë”. Dhe ashtu ndodhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.