Gazeta Si – Një apartament në katin e 9-të të një pallati është përfshirë nga flakët në Tiranë në zonën e “Ish-Nisharakut” ose zona e ish-parkut të Autobusëve.
Flakët kanë qenë të mëdha, pasi pëveç katit të fundit ku kanë nisur fillimisht, janë përhapur më pas në apartamentet e mëposhtme. Burime policore bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një pallat në rrugën “Sali Butka”.
Mësohet se të gjithë banorët e pallatit kanë dalë jashtë, ndërsa në vendin e ngjarjes ndodhen forcat zjarrfikëse, ashtu sikurse policia.
Flakët kanë rënë rreth orës 14:00, por ende vijon duke dëmtuar dhe pjesë të tjera të pallatit. Pjesë të fasadës po bien nga pallati, ndërsa ka pasur vatra zjarri edhe nëpër ballkonet e pallatit të cilat fatmirësisht janë shuar me ndërhyrjen e zjarrfikëseve.
Rreth 4 zjarrfikëse dhe forca të shumta zjarrfikëse ndodhen në vendin e ngjarjes. Policia ka evakuar banorët, gjithashtu është vendosur dhe një perimetër sigurie. Ndërkohë dy ambulanca kanë mbërritur në vendngjarje.
Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale.
“Më datë 14.09.2023, rreth orës 14:20, në rrugën “Sali Butka”, ka rënë zjarr në ballkonin e një banese, në katin e fundit të një pallati. Në vendngjarje janë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëset të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes“, tha dhe Policia e Tiranës në një njoftim paraprak për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.