Lojëra me Dore

Dënim i rëndë për ish-numrin 1, Simona Halep skualifikohet 4 vjet për doping

Gazeta Si – Dënim shumë i rëndë për Simona Halep. Ish-numri 1 në botë është skualifikuar për 4 vjet, pasi ka rezultuar pozitive në testet e dopingut të një viti më parë. Rumunia ka pretenduar gjithmonë se është e pafajshme, por tani vjen ky vendim, që rrezikon vërtet t’i mbyllë karrierën 32-vjeçares.

Skualifikimi llogaritet prej 7 tetorit të vitit të kaluar dhe përfundon në të njëtën datë të vitit 2026. Halep është dënuar për përdorim të ‘Roxadustat’, substancë e zbuluar në shtator të 2022-shit, pas humbjes në turin e parë të Us Open ndaj Daria Snigur.

Bëhet fjalë për një ilaç që përdoret për trajtimin e anemisë, por që është i ndaluar fushën sportive, sepse shton prodhimin e eritropoietinës dhe rrit hemoglobinën. Në fakt jemi ende në fillim të një beteje ligjore, që pritet të jetë e gjatë. Tenistja rumune do të apelojë. Dënimi i saj duket vërtet shumë i rëndë.

Gjykata e pavarur e ‘International Tennis Integrity Association’ është mbledhur në Londër dhe ka dëgjuar versionet e ekspertëve shkencorë të thirrur nga Halep, si dhe sportisten vetë që ka dhënë informacion të detajuar. Por nuk ka mjaftuar.

Gjykata e ka shpallur ish-numrin 1 fajtore, pasi ka shkelur rregullat antidoping në dy pika të kodit: praninë e ‘Roxadustat’ në analizat e urinës, por mbi të gjitha është konfirmuar përdorimi i një substance të ndaluar edhe sa i takon programit në pasaportën biologjike të sportistes me 51 kampione gjaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë