Pas 8 net feste në qytetin e Korçës, festivali mbarëkombëtar i komedisë “Koko Fest” mbylli edicionin e tij të dhjetë.
Nata finale e edicionit të 10-të të festivalit mbarëkombëtar të komedisë përcolli emocione të forta te publiku artdashës korçar dhe jo vetëm.
Juria e përbërë nga aktori Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, Rajmonda Bulku, Vasjan Lami dhe Vethi Redhi vlerësuan si shfaqjen më të mirë veprën e Shekspirit “Nata e Dymbëdhjetë”.
Komedia me regji të Dimitris Milonas ngjiti në skenën e teatrit aktorët e mirënjohur si Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Gent Hazizi, Guri Koço, etj.
Çmimi i regjisë më të mirë shkoi për Erion Isain me shfaqjen “Tërësisht të huaj”.
Çmimi i karrierës shkoi për aktorin e njohur Viktor Zhustin, çmimi i publikut për Gentian Zenelajn dhe aktorja më e mirë protagoniste u shpall Olta Daku, ndërsa aktori më i mirë protagonist u shpall aktori kosovar, Bujar Ahmeti.
Festivali mbarëkombëtar i komedisë “Koko Fest” dhuroi përgjatë tetë netëve për publikun korçar emocione, humor dhe interpretime mbresëlënëse nga aktorët pjesëmarrës.
Organizatorja e festivalit, Zamira Kita më herët në një intervistë për Gazetën “Si” do të shprehej se synimi i 10-vjeçarit që vjen është që në programin e Koko Fest të futen edhe shfaqje të huaja.
“Edhe shfaqjet e këtij edicioni janë të gjitha shqipfolëse. Synojmë që në 10-vjetorin tjetër të kemi edhe shfaqje të huaja për të ndarë edhe eksperienca me njëri-tjetrin”, do të shprehej organizatorja e Koko Fest, Zamira Kita për Gazetën “Si”.
Edicioni i dhjetë u mbajt nga data 2 deri më 9 shtator dhe solli 8 shfaqje në konkurrim.
Festivali po merr trajtën e traditës çdo fillim vjeshte, duke u kthyer në një pikëtakim të teatrove të trojeve shqipfolëse që i vijnë publikut korçar me plot të qeshura përmes komedive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.