Gazeta Si – Gjermania kampione bote! Në finalen e Botërorit të basketbollit për meshkujsh ajo mundi Serbinë 83-77. Gjermanët iu imponuan kundërshtarit me një super Shrëder dhe fituan trofeun e parë në histori.
Gjermanët triumfuan në Manila, Filipine, ndaj një Serbie favorite. Finale spektakolare dhe e ekuilibruar deri në fund. Shrëder, shënuesi më i mirë me 28 pikë, dhe Franz Vagner (19 pikë dhe 7 ribaunde) udhëhoqën 5-shen e Herbert drejt suksesit.
Nuk mjaftuan forma e jashtëzakonshme e Bogdanoviç (17 pikë) dhe një Avramoviç stoik (21 pikë) për djemtë e Pesiç, që duhet të kënaqen me medaljen e argjendtë.
Ndeshja pati ritëm shumë të lartë. Serbia humbi Dobriç në fillim, por bëri një punë të mirë me Joviç dhe Marinkoviç. Gjermanët ishin gjithmonë aty edhe falë gjakftohtësisë së Vagner në gjuajtjet e lira. Bogdanoviç tentoi shkëputjen me 2 trepikësha, por pas pushimit gjermanët fluturuan me Denis Shrëder.
Basketbollisti gjerman vendosi turbon, Gjermania shënoi 22 pikë dhe Serbia vetëm 10. Në periodën e fundit Gjermania shkoi sërish në +7. Avramoviç ishte i fundit që u dorëzua nga serbët, duke e çuar diferencën deri në -3. Në momentin më delikat Shrëder mbylli llogaritë dhe gjithçka përfundoi 83-77.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.