Ngjarje

Me dy identitete/ Arrestohet shqiptari në Itali. Dyshohet si i pjesë e krimit të organizuar

Një 39-vjeçar shqiptar në Itali ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se është një person i rrezikshëm i krimit të organizuar. Mediat italiane shkruajnë se emri i vërtetë i tij është Binak Çela, i njohur ndryshe dhe si Daniel Popescu.

Mësohet se arrestimi i tij u bë në Romë, pasi ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2018.

Binak Çela u ndalua pas një kontrolli rutinë rrugor, ku pasi kishte parë patrullën rrugore, shqiptari tentoi të bëj një ndryshim drejtimi të automjetit, gjë që ka çuar në dyshimet e ndjekjen nga patrulla e policisë.

Në momentin e ndalimit është justifikuar se ishte një turist e nuk njihte rrugët. Por kontrolli i Policisë Italiane zbardhi identitetin e tij duke e vënë në pranga.

Arrestimi i Çela-s mund të ndihmojë policinë italiane për të hetuar e zbardhur aktivitetin kriminal të bandave shqiptare në kryeqytetin italian, Romë.

Ndaj tij rëndon akuza e ‘armëmbajtjes pa leje’ dhe e ‘grabitjes’. Hetimet e antimafias italiane konfirmojnë se ai është shumë pranë bandës kriminale me veprim në veri të Romës, që drejtohet nga ish boksieri Petrit Bardhi, e që konsiderohet nga më të fortat në këtë qytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë