Gazeta Si – Një 59-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Sarandë, pasi akuzohet se ka mbajtur peng 6 turistë italianë, të cilët dyshohet se i kanë dëmtuar pajisjet në apartamentin e dhënë me qira.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen Nr.1, teksa pronari i apartamentit, 59-vjeçari J.A. nga Prishtina, nuk lejonte 6 italianët të dilnin nga banesa që iu kishte dhënë me qira.
Pronari pretendonte se italianët i kishin dëmtuar disa pajisje në banesë, dhe për këtë arsye i mbajti peng për rreth 1 orë.
Policia, që u njoftua për ngjarjen, shkoi në vendngjarje dhe arrestoi 59-vjeçarin, ndërsa liroi edhe 6 turistët italianë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



