Gazeta Si – Një ditë pas aksidentit te Rruga e Kosovarëve te Liqeni Artificial, mësohet 26-vjeçari Eldi Allushi, jo vetëm që nuk ka qenë shoferi i BMW-së luksoze, por në makinë kanë qenë edhe 2 persona të tjerë. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit, thuhet shofer ka qenë Emiljano Nina, 28 vjeç banues në Tiranë.
Ai është shpallur në kërkim për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N., duke drejtuar automjetin “BMË”, në pronësi të shtetasi E. A., për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi J. A., i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.
Shtetasi E. A. ka përkrahur drejtuesin e automjetit dhe ka penguar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke dhënë dëshmi të rreme në lidhje me rrethanat e aksidentit.
Dëshmi kontradiktore
Sakaq, i riu Eldi Allushi, i cili u ndalua nga policia në Rrugën e Arbrit, gjatë marrjes në pyetje ka dhënë dëshmi kontradiktore për aksidentin e së martës, makina e të cilit përfundoi në digën e Liqenit Artificial të Tiranë.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se fillimisht 26-vjeçari ka mohuar të ketë qenë drejtues i mjetit luksoz, por më pas ka ngritur pretendimet se iu bllokua pedali i gazit.
Nga kamerat e sigurisë përgjatë zonës ka rezultuar se në automjet ndodheshin edhe dy të rinj të tjerë. Njëri prej tyre është shoqëruar nga policia, ndërsa tjetri po kërkohet për t’u marrë në pyetje.
LEXO EDHE:
– ‘Fluturoi’ tek diga e Liqenit me makinë, arrestohet Eldi Allushi
– Video e BMW-së që përfundoi mbi digën e liqenit, teksa ngjit maloren me shpejtësi skëterrë. Veliaj kërkon dënim maksimal
– Aksident te Liqeni i Tiranës, makina ‘fluturon’ nga Rruga e Kosovarëve te muri i Digës. Drejtuesi braktis mjetin dhe merr targat (video)
Mësohet se në makinë BMW X6 me Eldi Allushi, ka qenë dhe Jurgen Allushi e Emiljano Nina. Policia ka marrë në pyetje Jurgen Allushin ndërsa ka shpallur në kërkim Emiljano Ninën, i cili rezulton me precedentë penalë. Emiljano (Tasho) Nina është kushëri i Vis Martinajt, i shpallur zyrtarisht i zhdukur nga policia.
Pasagjeri i “rëndësishëm”
27-vjeçari Emiljano Nina është një person me precedentë penalë dhe i njohur për autoritetet vendase. Ai mbahet mend që nga vrasja e Enton Nikës, ngjarje e ndodhur në Linzë, më 11 nëntor të vitit 2015.
Nina kishte shkuar në Linzë, pranë lokalit “Muraga”, i shoqëruar nga kushëriri i tij Ervis Martinaj, Mirsad Kuça dhe Bujar Hasani Lika (tashmë i ndjerë).
Të katërt kërkonin Ismet Gaxherrin, pronarin e lokal “Muragës”, i cili u kishte para borxh (të marra me fajde).
Mes tyre ndërhyri dhe Enton Nika e në momentin që Nina qëlloi me armë zjarri e vrau 30-vjeçarin e plagosi Gaxherrin.
Dosja u mbyll dhe Nina u dënua, por problemet për të vazhduan. Në vitin 2018, i riu që në atë kohë ishte 23 vjeç, tronditi pushuesit në Dhërmi, pasi qëlloi me armë zjarri në një klub nate.
Ai qëlloi katër herë, por nuk la të lënduar. E gjithë ngjarja, sipas bluve në atë kohë, ndodhi pas një sherri mes Emilianos dhe një tjetër personi për konflikte të hershme mes tyre.
Emiliano (Nina) Tasho, është gjithashtu i përfshirë edhe në vjedhje, më datë 30.09.2015 dhe më datë 12.03.2014, Nina ka marrë pjesë në dy vjedhje me armë zjarri.
Dyshimet
Në orën 15:00 të pasdites së djeshme, Eldi Allushit i është bërë testi i alkoolit dhe nuk ka rezultuar në efektin e pijeve alkoolike.
Pavarësisht kësaj, policia ka dyshime se në orën 05:12 që ka ndodhur aksidenti ai mund të ketë qenë nën e efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike.
Për të vërtetuar këtë dyshim i është marrë kampion gjaku dhe pritet përgjigja e analizave. Brenda automjetit është gjetur patenta e 26-vjeçarit.
Sipas videos të publikuar një ditë më parë, shihet se i riu nga Durrësi me shpejtësi ‘skëterrë’ ka qenë duke ecur nga Rruga e Kosovarëve drejt malores që ndan shëtitoren e liqenit me aksin, për të përfunduar në bordurën e digës.
Pas aksidentit, ai u larguar nga vendi i ngjarjes dhe kishte marrë me vete edhe targën, por u arrestua pas disa orësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



