Gazeta Si - Një aksident i pazakontë ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të kësaj të marte në Tiranë, ku një automjet ka përfunduar mbi digën e Liqenit Artificial.
Policia dyshon se mjeti tip “BMW X6” ka qenë duke udhëtuar nga “Rruga e Kosovarëve” në drejtim të zonës së liqenit.
Për shkak të shpejtësisë së lartë, e cila dyshohet se ka qenë rreth 200 km/orë, mjeti ka përfunduar mbi digë i shkatërruar dhe është ndaluar nga barriera mbrojtëse e digës.
Drejtuesi i mjetit kishte braktisur vendngjarjen dhe është larguar. Ai ka marrë edhe targat e automjetit për të humbur gjurmët dhe për të mos u identifikuar.
Por Policia e Tiranës, në një njoftim zyrtar për mediat, thotë se ka mundur ta identifikojë. Bëhet fjalë për një 26-vjeçar nga qyteti i Durrësit, me iniciale E.A., për të cilin po punohet për ta shoqëruar në komisariat.
Dyshohet se i riu mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit apo të lëndëve narkotike në momentin e aksidentit.
“Policia Rrugore e Tiranës ka identifikuar drejtuesin e mjetit “BMW X6” që përfundoi në pedonalen e digës së Liqenit Artificial. Bëhet fjalë për një djalë të moshës së 26 vjeç nga qyteti bregdetar i Durrësit, teksa dyshohet se ka qenë duke lëvizur nga “Rruga e Kosovarëve” në drejtim të digës. Gjithashtu dyshohet se i riu mund të ketë qenë në efektin e alkoolit apo të substancave narkotike. Blutë e Tiranës po punojnë për kapjen e tij dhe shoqërimin për kryerjen e veprimeve hetimore”, njofton policia.
Nga aksidenti kanë arritur të shpëtojnë mrekullisht një çift, i cili ka qenë duke bërë shëtitjen e mëngjesit te diga e Liqenit.
Aksidenti ka vënë në rrezik jetën e këmbësorëve të shumtë që frekuentojnë këtë zonë për ecje dhe aktivitete sportive.
Ndërkaq mësohet se policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia e Tiranës.
Po ashtu, po verifikohen pamjet filmike nga kamerat e shumta të sigurisë që ndodhen në zonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.