Drejtësia

‘Sterilizimi’, arrestohet ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Në pranga edhe biznesmeni që fitoi koncesionin, 7 në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje

Gazeta Si - Pas 3 vitesh hetime, me urdhër të SPAK, është arrestuar këtë të enjte ish zv. ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe biznesmeni që fitoi koncesionin, Ilir Rrapaj, i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” për aferën e "sterilizimit".

Për të njëjtën çështje penale, GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” në mungesë për mjekun Arben Gjata (shef i Kirurgjisë në QSUT), Naile Ajazin dhe Genc Byrazerin.

Dy ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë u lanë në "arrest shtëpie": Saimir Kadiu (drejtor ekonomik) dhe Marsela Serjanaj (drejtoreshë juridike). Masat e kërkuara nga SPAK janë për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi pas mesdite zyrtarisht se ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.

Kjo në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

"Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës", njofton SPAK.

Ish-zëvendësministri Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj është pyetur disa herë në Spak për koncesionin e sterilizimit.

Për këtë çështje u mor në pyetje më 4 gusht të këtij viti, ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, për afro 2 orë e 30 minuta.

Denaj dha deklarime lidhur me koncesionin e sterilizimit të nënshkruar në vitin 2015 nga ministria e Shëndetësisë. Për koncesionin e sterilizimit më herët është marrë në pyetje edhe ish-ministri Ilir Beqja.

Dhënia e koncesionit të sterilizimit u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare, “SaniService. Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës kreu një hetim mbi këtë koncesion, por pushoi hetimet.

Por pas 3 vitesh, me ngritjen e SPAK-ut, një kallëzim u bë nga përfaqësues të "Nismës Thurje", të cilët kanë denoncuar penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit.

Më herët, një auditim i KLSh-së ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare, iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

Denoncimi publik i mjekut Artan Koni në dhjetor 2019

Përpara se dosja e “sterilizimit” të mbërrinte te SPAK, kur kjo strukturë e drejtësisë ende nuk ishte ngritur, indicjet e para dyshuese erdhën nga mjeku Artan Koni, i cili ndihmoi edhe Nismën Thurje për ta çuar këtë kallëzim të parë drejt SPAK.

Artan Koni tha në media atë kohë se “Dyshimet e para kanë nisur në fund të vitit 2018, kur doli lajmi se qeveria ka paguar 3.6 mln euro më shumë se planifikimi për këtë koncesion. Pse ndodhi kështu? Duke u nisur nga kjo ne hulumtuar për kostot reale të sterilizimit dhe në fund të këtyre llogarive, ne na doli se kostot totale për sterilizimin e një seti është 2.4 euro, ndërsa ne i japim koncesionarit mesatarisht 190 euro. Supozojmë se ne e kemi bërë llogarinë gabim dhe shohim sa e ka bota. Mesatarja e një seti në Gjermani është 0.8 euro, në Turqi është 1 euro. Sado të jetë gabimi që ne mund të kemi bërë diferenca është jashtëzakonisht e madhe. Nga këtu ka lindur e gjithë historia e këtij koncesioni që dyshohet të jetë abuziv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë