Gazeta Si – Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Rei Metën, 33-vjeçari që akuzohet për vrasjen me grushte nga pakujdesia të biznesmenit të ndërtimit, Armando Meshau. Mes të dyve pati një përplasje fizike në një qendër interneti.
Nga ana e saj, pala mbrojtëse ka paraqitur në gjykatë edhe një raport që tregon se 55-vjeçari që ndërroi jetë kishte pasur një ndërhyrje ‘bypass’ në zemër. Si pasojë e goditjeve Meshau ndërroi jetë pak minuta pas goditjeve.
Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë Nurihan Seitu (Meta) u arrestua të hënën me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
Viktima, 55-vjeçari Meshau, ishte ulur në një prej kompjuterëve të internet kafesë, ndërsa autori i qëndronte afër në këmbë. Fillimisht ata debatuan me fjalë, ndërsa në një moment, Meshau ngrihet dhe godet me grusht të riun Rei Meta.
Ky i fundit reagoi me disa goditje të njëpasnjëshme. Për pasojë Meshau ra sërish në karrige dhe iu përplas koka në një nga tavolinat. Kjo ishte fatale për të.
Konflikti që i mori jetën Meshaut dyshohet të ketë prapavijë mosmarrëveshjet për pronësinë e një apartamenti të një pallati që viktima kishte ndërtuar.
Ky është pohuar dhe nga vetë autori, i cili ka deklaruar ndër të tjera se nuk ka pasur qëllim për ta vrarë 55-vjeçarin dhe se vdekja e tij ka qenë aksidentale.
Në rastin që solli konfliktin, Armando Meshau viktima, pretendonte se e kishte gjetur vetë dakordsinë me palën e tretë dhe kishte refuzuar t’i kalonte Metës një apartament që do ishte pagesa e tij për ndërmjetësimin.
Zyrtarisht policia njoftoi se mes dy personave pati një përplasje për “motive të dobëta”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.