Ngjarje

Landfilli i Sharrës në administrim nga shteti, Baçi: Bashkitë e qarkut të Tiranës debitore prej 3 muajsh! Rrezikohet kaos në mbledhjen e mbjetjeve urbane

Pas sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës, landfilli i mbetjeve në Sharrë është marrë në administrim nga shteti. Kjo me qëllim që të vijojë puna për menaxhimin e mbetjeve të qarkut të Tiranës.

Administratori shtetëror Arjan Baçi, në një prononcim për mediat, bëri me dije se prej 3 muajsh, disa bashki, mes tyre edhe ajo e kryeqytetit, nuk kanë paguar për depozitimin e mbetjeve.

“Ka një vendim të GJKKO, që ka bërë sekuestron preventive të shoqërisë që menaxhon mbetjet në landfillin e Sharrës,  Integrated Energy, GJKKO ka vendosur që për menaxhimit e kësaj shoqërie të merret agjencia e menaxhimit të pasurive të konfiskuara dhe administrator jam përzgjedhur unë. Kam dalë për të thënë që puna po vazhdon normalisht, po shikohen detyrimet e prapambetura që kompanitë ka te kjo shoqëri, që të bëhet e mundur vazhdimi i ecurisë, për trajnimin e mbeturinave në qarkun e Tiranës, Bashkitë janë debitor, për 3 muaj nuk kanë shlyer detyrimet, kemi filluar kontaktimin që të zbatojnë kontratën, mes tyre edhe Bashkia e Tiranës, e Vorës, e Kavajës”, bëri me dije Baçi.

Ai tha se nëse këto Bashki, nuk do të paguajnë paratë dhe do të refuzojnë që të respektojnë kontratën, rrezikohet të krijohet një kaos në menaxhimin e mbeturinave.

“Ka një kontratë që duhet të zbatohet, mos zbatimi do sillte një kaos në menaxhimin e mbetjeve urbane të qarkut të Tiranës”, shtoi ai.

Sa i përket Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, të shpallur në kërkim, Baçi sqaroi se ato nuk kanë më asnjë të drejtë në menaxhimin e kompanisë.

“Asgjë nuk ka nga bashkëpunëtore në kërkim, menaxhimi bëhet nga ne llogaritë bankare, QKB të gjitha janë në administrim të agjencisë”, përfundoi Baçi.

Në 1 gusht, Prokuroria e Posaçme ka vënë nën sekuestro inceneratorin e Tiranës. Në një njoftim për shtyp, SPAK bëri të ditur se nga hetimet e kryera deri më tani, rezulton se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të kompanisë e cila ka përfituar koncesionin me vlerë mbi 128 milionë euro. Mërtiri dhe Zoto nëpërmjet kompanive fiktive kanë falsifikuar fatura tatimore me vlerë mbi 4 milionë euro për të justifikuar ndërtimin e inceneratorit, e ndërsa për këtë aferë në kërkim është edhe ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë