Nga Gazeta ‘Si’-Pensionistët shqiptarë që jetojnë në Itali kanë protestuar sot përpara ambasadës italiane në Tiranë për ngadalësimin e procedurave për njohjen e pensioneve. Ata kanë kërkuar njohjen e ndërsjelltë të pensioneve mes dy vendeve.
Protesta ishte paqësore aq se edhe e shkurtër, por në fund pati një ballafaqim direkt të qytetarëve me ambasadorin italian, Fabrizio Buccin i cili u garantoi se do të zgjidhet shumë shpejt.
Në thirrjet e tyre, ata akuzuan qeverinë shqiptare dhe politikat e huaja duke shprehur indinjatën për jetesën e vështirë në kushte jo fort të mira ekonomike.


“Jetojmë me 15000 lekë dhe jetojmë në kushte të vështira. Kam 32 vite në Itali dhe aty kam vënë re humanizëm për këdo. Pyetje që i bëj vetes është Meloni çfarë është? Mjafton një firmë edhe mbaroi”, tha një pensionist.
“Kam 30 vjet që punoj në Itali dhe kam dhënë kontribut të rëndësishëm në atë vend. Më takon, duhet të hipi shkallët për të nxjerrë bukën e gojës. Unë dua të me hedhin kontributet shqiptare dhe italiane, dua dinjitetin dhe djersën time”, u shpreh një tjetër protestues.
“Duam djersën, mundin. Të jeni të bindur se do e çojmë zërin tonë para parlamentit italian. Kam të drejtë të votoj në Itali po s’kam në Shqipëri? Po është turp more! Duam djersën, jemi këtu vetëm për pensionet”, u shpreh një protestues tjetër.
Bucci deklaroi se qeveria e Italisë ka vullnetin e plotë për të arritur këtë marrëveshje.
“Më duhet t’iu siguroj që nga pala italiane po bëhet maksimumi për ta zgjidhur këtë problem. Kemi folur për të arritur një dakordësi me palën shqiptare. Ne jemi tani në momentet e fundit të dakordësimit, mungojnë pak gjëra. Në javët e ardhshme apo maksimumi në muajit e ardhshëm do të realizohet firmosja e marrëveshjes italo-shqiptare. Ka qenë pak e vështirë sepse ka pasur disa teknikalitete për procedurën. Keni fjalën time, që nga pala italiane po bëhet maksimumi. Bëni pak durim”, iu drejtua ambasadori protestuesve.
Shqipëria dhe Italia përfunduan negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet më 26 korrik të 2022.
Marrëveshja për njohjen e viteve të punës u vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali, theksoi asokohe Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




