Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” përfaqëson për herë të parë Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “To the stars” në Varna, Bullgari, me monodramën “Gruaja e thyer” me regji të Endri Çela dhe interpretimin e Adriana Tolka.
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “To the Stars” sot shënon natën e fundit (nga 3-9 gusht) në Qendrën e Festivalit dhe Kongresit në qytetin port të Varnës, organizuar nga Fondacioni Osnova-Ta.
Ky festival u zhvillua nën kujdesin e zëvendëspresidentes Iliana Iotova.
Edicioni i 11-të i këtij festivali prezantoi monoperformancën kolektive të Marius Kurkinskit “Marius 50”, monoperformancën e Zdrava Kamenovës “The Hit of the Season”, me regji të Elitsa Yovcheva, “Our Yunus”, Monodramë nga Turqia, “Gruaja e thyer” nga Shqipëria, “Arka – Box” nga Kosova etj.
Monodrama “Gruaja e thyer” është një shfaqje kontemporane, ku gjithçka buron nga e brendshmja e personazhit: lëvizja trupore, fjala, imazhi, muzikaliteti, e kënduara dhe e luajtura e muzikës “live”.
“Muriel, 43 vjeç, pas pesë vitesh që jeton e vetme dhe e mbyllur në apartamentin e saj, mezi pret të nesërmen për tu takuar me bashkëshortin dhe të birin e mitur, që jeton me të atin", thuhet nga Teatri Kombëtar Eksperimental.
Shfaqja u duartrokit gjatë nga të pranishmit në Varna të Bullgarisë dhe mori vlerësime pozitive nga personalitete të fushës si regjisori dhe aktori Thierry Harcourt (i ftuar special i festivalit) dhe veçanërisht dhe nga Drejtori i festivalit, Marius Donkin, i cili e ftoi shfaqjen në edicionin e radhës të këtij festival, i cili do të zhvillohet në shkurt 2024 në Sofje.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mori gjithashtu ftesë nga festivali ndërkombëtar i teatrit “Scene at the Crossroads”, që do të zhvillohet në muajin shtator 2024 në Plovdiv, Bullgari, festival i cili ka tashmë 24 vite që organizohet në skenën e teatrit më të hershëm në Bullgari.
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “To the stars” gjithashtu ishte dhe një takim dhe diskutim për herë të parë mes psikoanalistëve, mjekëve, artistëve, kulturologëve, muzikantëve, shkrimtarëve, gazetarëve.
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës është themeluar nga aktori Marius Donkin në vitin 2006, i cili është qytetar nderi i Sofjes dhe Varnës, i cili tashmë ka pritur njëmbëdhjetë edicione të veprimtarisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.