Drejtësia

Greqi, gjykata rrëzon kërkesën e prokurorisë shqiptare për ekstradimin e Laert Haxhiut

Gazeta Si - Gjykata e Janinës në Greqi ka vendosur të rrëzojë kërkesën e prokurorisë shqiptare për ekstradimin e Laert Haxhiut.

Haxhiu do të qëndrojë në burg me akuzat vetëm për largim nga vendi aksidentit dhe prishje të qetësisë publike.

Pavarësisht vendimit për refuzim të ekstradimit, prokuroria themelore e Janinës pritet ta Apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar ekstradimin e Laert Haxhiut në Shqipëri.

Laert Haxhiu, një nga të shumëkërkuarit e drejtësisë shqiptare, është arrestuar në qytetin e Janinës në Greqi në maj të këtij viti.

Organizatori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, në ngjarjen që mori emrin si "masakra e Lushnjës", është i dënuar nga gjykata me 18 vjet burgim dhe njihet si rival i bandës së Aldo Bares.

Haxhiu, nga Lushnja u kap në Janinë me leje qëndrimi greke të falsifikuar me identitetin Mikis Askalidis, 32 vjeç lindur në Gjeorgji.

GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, të shpallur fajtor për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut, në Lushnjë në 2017.

Dy bashkëpunëtorët e Haxhiut, mbrëmjen e 11 tetorit 2017, u nisën për të ekzekutuar Xhuljo Shkurtin, nipi e Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës në një Lokal në Lushnjë.

Plumbat e kallashnikovit qëlluan për vdekje Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën, ndërsa shënjestra e atentatit Xhulio Shkurti mundi të shpëtonte.

Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec, ndërsa ishte shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës.

Ndërkohë, Orges Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ai u plagos nga një punonjës policie pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë