Menaxhim

Zhytur në borxhe dhe pa asete, falimenton ujësjellësi i Durrësit

Nga Gazeta 'SI' - Ndërmarrja e Ujësjellësit të Durrësit, UKD, ka shpallur falimentimin pasi ishte zhytur në borxhe dhe nuk kishte më mundësi financiare.

Vendimi është marr që në maj të këtij viti, kur shoqëria ka dërguar bilancin në QKB.

Të dhënat nga bilanci tregojnë se humbjet UKD-së u dyfishuan gjatë vitit të kaluar duke arritur në mbi 1 miliardë lekë afërsisht 10 milionë euro, nga 535 milionë lekë (5 mln euro) që ishin në vitin 2021.

Vitin e shkuar, detyrimet e shoqërisë u rritën me 150 mln euro duke arritur në 16 mld ndërkohë që kapitali raportohej negativ 2.8 mld lekë. Për 2022-shin, të ardhurat e UKD-së u rritën me 64 mln lekë.

Falimentimi i UKD-së, do të thotë që aktiviteti i kalon shoqërisë rajonale Durrës, ku përfshihet dhe Kruja, Shijaku, Vora, Kurbini. Shoqëria rajonale do të marrë të gjitha detyrimet e UKD-së. Një pjesë e madhe e borxheve të saj janë ndaj OSSHE-së, me 4.3 mld lekë.

“Në vijim pasi u shqyrtua bilanci i vitit 2022 u arrit në përfundimin se UKD nuk disponon më asete”, thuhet ne raportin për likuidimin e shoqërisë të publikuar në QKB.

Në raportin e auditimit për këtë ndërmarrje, thuhet se shkak është bërë keqadministrimi i ndërmarrjes dhe se ka bilance të pasakta. UKD ka dërguar të dhëna të tjera nga ato realet në Tatime dhe nuk përkonin me ato që kishte shoqëria.

Në një raport të pak javëve më parë, Enti Rregullator i Ujit, tregonte se vetëm 3 shoqëri ujësjellëssih mund të mbulonin kostot e tyre, ndonëse të ardhurat ishin shumë të larta. Sipas ERRU, ujësjellësit rëndoheshin nga kostot e energjisë dhe numri i lartë i punonjësve, që nuk ishin të dobishëm.

Nga ana tjetër, ujësjellësi i Durrësit, shumë i rëndësishëm për vendin, është ndër më të financuarit, për shkak të turizmit. Në vitin 2013 Banka Botërore e miratoi një kredi prej 85.3 milionë dollarë amerikanë Shqipërisë, për investime në Ujësjellës kanalizimin e Durrësit. Huaja e IBRD-së prej 85.3 milionë dollarësh amerikanë për Projektin e investimeve për Sektorin e Ujit në Shqipëri, kishte për qëllim të përmirësojë rrjetin ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në rajonin e Durrësit, qyteti i dytë më të madh i vendit dhe njëri prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, si dhe porti kryesor i Shqipërisë.

Ndërsa në vjeshtën e vitit të kaluar u firmos marrëveshja 60 mln euro për financimin e rrjetit të Ujësjellësit Durrës, mes Qeverisë Shqiptare dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Edi Rama u shpreh se ky investim do arrijë të mundësojë transformimin e qytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë