Ngjarje

Reduktimi i urbanëve në Tiranë, operatorët: Jemi me 60% të kapacitetit. Ose lehtësira fiskale ose rritje dyfish të çmimit të biletës

Nga dita e hënë, qytetarët e kryeqytetit kanë pritur në stacione më shumë se zakonisht pasi Unioni i operatorëve të transportit urban ka vendosur të reduktojë deri në 60 për qind numrin e autobusëve të linjave brenda Tiranës, Kamza dhe Vora.

Në një prononcim për gazetën “Si”, kryetari i unionit të shoqatës Konstandin Foni tha se që prej nisjes së pandemisë, ky sektor ka hasur vështirësi duke u thelluar me krizën e çmimeve si pasojë e konfliktit Ukrainë-Rusi. Foni tha se ndonëse u premtua nga qeveria, operatorët urbanë kanë përfituar vetëm 6 muaj nga paketa e lehtësimit të krizës.

“Operatorët urbanë janë në krizë. Rritja e çmimit të karburantit ka prekur financat e kompanive të cilët kanë kërkuar vazhdimisht të subvencionohen nga shteti. Ne kemi parashtruar disa kërkesa siç janë: heqja e akcizës së karburantit, heqja e taksës së qarkullimit ose në të kundërt kemi kërkuar rritje dyfish të çmimit të biletës", thotë drejtuesi i unionit të transportit publik Konstandin Foni.

I pyetur në lidhje me vendimmarrjen në pikun e temperaturave të larta, Foni tha se prej 2020 është kërkuar vazhdimisht që operatorët urbanë të dëgjohen për kërkesat e tyre por asnjë hap nuk është bërë.

"Ne nuk kemi asnjë përgjigje për kërkesat tona. Për operatorët urbanë cdo periudhë e vitit është e rëndësishme pasi ne punojmë me kapacitet të plotë dhe mbijetojmë me të ardhurat që marrim nga shërbimi. Ndaj vendimi për reduktimin e urbanëve është i vonuar madje. Ne duhet të dëgjohemi për situatën e keqe ekonomike ku ndodhemi", u shpreh kreu i shoqatës së transportit urban në Tiranë Konstandin Foni.

Por, teksa vendimi për rritjen e çmimit të biletës së shërbimit urban është një vendimmarrje e qeverisë, jo vetëm bashkia por as ministria e Transportit nuk kanë dhënë asnjë sinjal për dëgjesë me institucionet përgjegjëse të linjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë