Politike

Seanca e të enjtes / Nga studentët tek kanabisi, por PS synon t’i japë vjedhurazi edhe Gjinushit mandat, Açka: Puç parlamentar  

E enjtja është seanca e fundit për këtë sesion parlamentar. Kuvendi ka publikuar 19 pika të rendit të ditës, përfshi draftin për studentët dhe kanabisin.

Edhe axhenda është publikuar, në momentet e fundit, vjen një reagim nga kryetarja e komisionit të Medias, Flutura Açka e cila publikisht ka reaguar për një tentative të minutës së fundit që sipas saj, deputetet socialistë Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj po bëjnë për zgjatjen e mandatit të Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.

Më herët Koçi dhe Beqiraj ishin dorëhequr nga përmbajtja e draftit të tyre për disa ndryshime në Akademinë e Shkencave duke lënë vetëm një pikë, atë për një mandat të dytë radhazi për Skënder Gjinushin në krye të Akademisë.

Ndërkohë, vetëm 24 orë më parë, Akademia kishte njoftuar se zgjedhja e kryetarit të ri do të bëhet në fund të këtij viti.  

“Sot, pikërisht në ditën e mbarimit të mandatit të Skënder Gjinushit si Kryetar i Akademisë së Shkencave të RSH, kur të gjitha komisionet parlamentare e kanë mbyllur sesionin e punës së tyre dhe kanë dorëzuar (sipas rregullores së Parlamentit 48 orë më parë) të gjitha vendimet për seancën e nesërme të Parlamentit, dy anëtarë të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik (KPEMIP), deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, po përgatisin një puç parlamentar, duke stisur një mbledhje jashtë rendit të Komisionit të Medias për të kaluar në votim projektligjin e tyre famëkeq, që ia zgjat jetën nē drejtimin e Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi.

Me forma tipike ilegale, me një ngut të pajustifikuar, në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Parlamentit, duke i bërë presion të hapur kolegēve të shumicës, anētarē të komisionit të medias, duke e detyruar hapur stafin e komisionit dhe stafin e Kuvendit që mbikëqyr punēn e komisioneve që të shkelē Rregulloren, në sulm të hapur ndaj zgjedhjeve të lira në Akademinë e Shkencave të RSH dhe kundër dëshirës së Asamblesë së ASH-së, në fyerje të hapur të autonomisë që i jep ligji këtij institucioni, këta dy kolegë po përpiqen ta quajnë të kryer misionin e tyre të nisur prej muajsh në shërbim personal ndaj Skënder Gjinushit”, shkruan kryetarja e Komisionit Flutura Açka.

“Në të gjitha hallkat e shqyrtimi të projektligjit të sjellē nē Kuvend nga kolegët Koçi e Beqiraj, ka pasur shkelje, mospërputhje ligjore, manipulime të dokumentacionit të ardhur nga ASH dhe nonsense që kërkojnë kohēn e vet për një produkt cilësor. Nxitimi ka vetëm një qëllim, siç ka edhe ligji vetëm një emër: të shpëtojmë kryetarin e ikur të ASH, edhe pse për ta bërë këtë shkelet ligji hapur faqe shqiptarëve.

Si titullare e këtij komisioni i bëj me dije Kryetares së Kuvendit se deri në këto çaste nuk jam informuar për depozitimin e ndonjë kërkese në protokollin e Kuvendit për mbledhje të KPEMIP nga dy deputetët. Vetēm pas marrjes së kërkesës, si drejtuese kam detyrimin ta shqyrtoj dhe të vendos datën dhe orën e mbledhjes, sipas Rregullores.

I bëj thirrje dy kolegëve deputetë të respektojnë Rregulloren e Kuvendit për thirrjen e mbledhjes së Komisionit Parlamentar dhe të mos urdhërojnë kolegët në forma private dhe jo institucionale dhe jashtē hierarkisë së përcaktuar nga kjo Rregullore. Mënyra e mbledhjes së Komisionit Parlamentar dhe procedura e mbarëvajtjes së tij është pērcaktuar shumē qartë nē ligj”, nënvizon ajo.

Mbledhja ishte njoftuar për të mërkurën në orën 11.00 ndërsa nuk është reflektuar në faqen zyrtare të Kuvendit.

Ka reaguar gjithashtu edhe deputetja tjetër e PD-së, anëtare e Komisionit të Medias, Ina Zhupa.

“Nuk mund të ketë votim kur relacioni është i pasaktë dhe me mashtrime. Projektligji vjen hapur në konflikt interesi, ku bashkë propozuesi Gjinushi, e kërkon për mandatin e tij. Akademia e Shkencave hyn në zgjedhje sipas statutit me mbarimin e mandatit të kryetarit. Ka 3 kërkesa proceduriale në organet e kuvendit për këtë çështje. S’ka një sqarim shterues mbi peticionin e 52 akademikëve, na sillet për një vendim të 2022, dhe sot jemi në kushtet të tjera të zgjedhjeve në akademi. Duhet një dëgjesë me ta”, shkruan ajo.

Çfarë ndryshohet

Projektligji për Akademinë e Shkencave i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Arsimit sjell ndryshime për funksionim apo dhe në lidhje me mandatin e kryetarit të ASH.

Me ligjin aktual kohëzgjatja e mandatit të Kryetarit dhe të Zëvendëskryetarit është 4 vjet, ndërsa e Sekretarit Shkencor dhe e drejtuesve të seksioneve është 5 vjet. Kryetari, Zëvendëskryetari, Sekretari Shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të zgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi.

Me propozimin e ri në projektligj kryetari i Akademisë së Shkencave mund të zgjidhet për dy mandate, duke nënkuptuar se ato mund të jenë në vazhdim pa shkëputje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë